Godet FC Shkupi, po vijnë menaxherët nga Turqia (FOTO)

Intervistë ekskluzive me kryetarin më të suksesshëm të LPFM, z.Ejup Ademi


Një nga skuadrat që të gjithë gazetarët dhe punonjësit sportiv e vlerësuan si befasia e sezonit padyshim se ishte FC Shkupi, pasi që fillimisht të gjithë kishin menduar këtë sezon ekipi nga Çairi do të garojë për mbijetesë. Por me ardhjen e kryetarit Ejup Ademi në krye, gjithçka që ishte premtuar edhe u realizua. Klubi u kthye në Ligën e Parë, ndryshoi emrin në FC Shkupi, soli në radhët e veta futbollist profesionist, ndërsa u bënë edhe ndryshime në infrastrukturën e klubit.

DSC_0214

Në intervistën ekskluzive të realizuar me kryetarin e FC Shkupi, Ejup Ademi do të mësojmë për sfidat dhe punën e lodhshme që kishte bërë ai me stafin e tij për të sjellë klubin në mesin e pesë ekipeve më të mira.

FC Shkupi: z. Ademi fillimisht na thoni se sa jeni të kënaqur nga arritja e klubit, duke marrë parasysh se mbetët në mesin e ekipeve më të mira të sezonit 2015/16?

Ejup ADEMI: Me siguri se unë si kryetar por edhe i gjithë opinioni nga Çairi dhe i gjithë qyteti i Shkupit, me arritjen e FC Shkupi jemi shumë të kënaqur. Të them të drejtën unë nuk do të jem modest, pasi fillimisht dua të falënderoj bashkëpunëtorët e mi më të afërt, të cilët asnjëherë nuk kursyen kohën dhe mundin për të më ndihmuar, gjithashtu patjetër që duhet të falënderoj edhe stafin teknik në krye me Visar Ganiun, por meritor më të mëdhenj për këtë sukses janë edhe futbollistët, të cilët gjatë gjithë ndeshjeve dhanë maksimumin e tyre. Këtu duhet lënë hapësirë të veçantë për publikun më të gjerë që na përkrahu në të shumtën e ndeshjeve, ndërsa në veçanti do të potencoj “Shvercerat”, të cilët dua ti falënderoj përzemërsisht për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që patëm me ta, ndërsa ata në secilën ndeshje ishin lojtari ynë i dymbëdhjetë.

DSC_2206

FC Shkupi: Ekipin e morët nga Liga e katërt, ndërsa ju u ballafaquat me shumë probleme administrative, infrastrukturore dhe me një potencial të vogël të futbollistëve. A ishte e vështirë ta ktheni ekipin në mesin e më të mirëve me një bagazh kaq të madh të problemeve që ishin grumbulluar?

Ejup ADEMI: Unë të them të vërtet ndjehem shumë krenar që jam kryetar i këtij klubi dhe i gëzohem të gjitha këtyre rezultateve. Ju e dini se klubin e morën nga Liga e katërt, me një bagazh të madh dhe shume probleme të grumbulluara administrative, edhe në aspektin e organizimit dhe që në klub mungonte gjithçka. Por me sinqeritet përkushtim dhe vullnet të madh  arritëm që klubin ta kthejmë aty ku e ka vendin. E gjithë kjo aspak nuk ka qenë e lehtë, pasi që kam sakrifikuar gjithçka për t’ia arritur qëllimit, pasi që unë e kisha marrë klubin si amanet nga kryetari i Çairit, z.Izet Mexhiti i cili premtoi se klubin do ta kthejë në Ligën e Parë dhe kjo detyrë mu besua mua nga ana e tij. Unë mendoj se sot me krenari mundë ti them kryetarit të Shkupit të vjetër se amanetin e tij e kemi çuar në vend dhe sot ne jemi dëshmitarë të këtij suksesi.

Ejup Ademi me trajnerin Visar Ganiu
Ejup Ademi me trajnerin Visar Ganiu

FC Shkupi: Pjesa e dytë e sezonit filloi me ndryshim në pankinë, ku emërtuar si trajner kryesor Visar Ganiun. Sa jeni të kënaqur nga puna e tij?

Ejup ADEMI:  Unë fillimisht dua të falënderoj mikun tim Visar Ganiun, njëherit edhe shef i stafit teknik në klubin tonë. Si kryetar mundem të them vetëm fjalë miradije për te, pasi që profesori dhe trajneri Visar Ganiu në rrethin tonë njihet si një pedagog  i shkëlqyeshëm i cili ka dhënë shumë për këtë klub, pikërisht në momentet kur klubi pati më së shumti nevojë, duke sakrifikuar veten dhe udhëhoqi klubin në arritjen e objektivave tona. Andaj unë do ti uroj suksese në të ardhmen, pasi që ai bëri të pamundurën të mundur, e me këtë arritje të tij krenohet i gjithë Shkupi dhe të gjithë ata që e duan klubin tonë.

 

FC Shkupi: Skuadra jonë kishte një buxhet të vogël, por në ekip erdhën futbollistë të cilët dhanë maksimumin duke treguar se e duan ekipin shumë dhe se për ta ishte shumë e rëndësishme ta ndihmojnë atë në rikthimin në elitën e futbollit. Si e keni vlerësuar angazhimin e tyre?

Ejup ADEMI: Nuk do  të ishte aspak korrekte nëse nuk do ti falënderonim edhe futbollistët. E kam patjetër këtu të përmendi emra, të cilët me profesionalizmin, përkushtimin dhe përvojën e tyre, arritëm që të realizojmë ëndrrën e të gjithë shkupjanëve, që ta kthejmë klubin këtu tani ku është. Shumë lehtë e kishim kur në ekip e kemi një kapiten siç është Suat Zendeli, i cili për mua është pa diskutim portieri më i mirë në Maqedoni. Lehtë është kur në ekip e kemi një Ardian Nuhiu i cili me përvojën e tij u jepte kurajë të tjerëve dhe dha maksimumin për të arritur rezultate. Kemi Muharem Bajrami, i cili si luan luftonte në terren, është Bujamin Asani, futbollist të cilin çdo ekip e dëshiron ta ketë në njëmbëdhjetëshin e tyre. Pastaj këtu ishte me ne Dimitrija Llazarevski, i cili me përvojën e tij ndërkombëtare dha shumë për një stabilitet në ekipin tonë. Florent Osmani, i cili me golat e tij kemi arkëtuar shpesh herë pikë me shumë vlerë. Duhet vlerësuar rikthimin e Sedat Berishës, i cili për një gjysmësezon dha kontribut të pakontestueshëm. I pandalshëm ka qenë edhe Ermedin Ademi si dhe përforcimi nga Franca, turku Enes Akgun.  Pastaj kemi futbollistët e rinj si Besar Iseni, Mevlan Adili, Fisnik Zuka, Mevlan Murati, Miran Maksuti, Husein Demiri, Filip Janevski, Fatmir Arifi, Edis Maliqid dhe portierët e rinj Jasir Bajrami dhe Alban Miftari. Të gjithë këta janë meritorë kush më shumë e kush më pak, për të gjitha sukseset që mbajnë firmën e FC Shkupi.

Tifozët "Shvercerat Shkup"
Tifozët “Shvercerat Shkup”

FC Shkupi: Shkupi nga dita në ditë sikurse arrinte suksese në kategoritë, numri i tifozëve vinte e rritej, ndërsa ju keni pasur një lidhje të veçante me tifo grupin “Shvercerat”. Na thoni se cili ishte çelësi i suksesit në mes kryesisë dhe tifozëve?

Ejup ADEMI: Nga dita e parë që kur unë u emërova si kryetar i FC Shkupi, me “Shvercerat” dhe udhëheqësin e grupit Omer Bunjaku kemi pasur raporte të sinqerta. Unë nuk i quaj ata “Shvercera”, por unë i quaj vëllezërit e mi. Me ta në momentet e vështira kemi darë dhimbjen bashkërisht, por edhe në momentet e gëzimit kemi qenë së bashku, që do të thotë edhe në të mirë edhe në të keqe kemi qenë një trup. Nuk kam çka të flas unë për “Shvercerat”, pasi për punën dhe tifozërinë e tyre, flet Maqedonia, Kosova, Shqipëria por edhe Evropa. Padyshim se është tifo grupi më i mirë dhe ne jemi krenar që i kemi. Unë e di se ndoshta ndonjë do harroj, por ato që për momentin më kujtohen e që dua publikisht ti falënderoj, janë Omer Bunjaku, Isufin e Cerovës, Zekon nga Dizhoni, Hamzen nga Gazi Baba, Arditin nga Çairi, Kujtim Kiki, Kenan Seferi, Omerin, Nehatin, Allmirin, Cufin, Sametin e shumë të tjerë, me të cilët çdo herë kemi pasur bashkëpunim shumë të sinqertë, duke dashur që ta përkrahim klubin, por duke mos lejuar që të dënohet. Unë edhe një herë them se ata si grup i njoh si “Shvercerat:, por për mua ata janë vëllezërit e mi.

FC Shkupi: Në stadium u bënë edhe disa ndërhyrje, sa ishte e vështirë që një klub me një buxhet të vogël, të menaxhohet në këtë mënyrë?

Ejup ADEMI: Po ne u munduam që të bëjmë edhe disa ndryshime. Fillimisht kemi bërë lyerjen e mureve, më pas intervenuam ne dhomat e zhveshjes, pastaj rregulluam kabinat e futbollistëve rezervë, riparuam disa herë fushën e blertë, ndërsa më pas edhe sollëm ulëse në tribunë, e ku aty bëmë edhe ndarjen e pjesës së “Shvercerave”. E gjithë kjo punë që është bërë, që nga fillimi, 90% të punëve dhe njëkohësisht edhe që ka mbajtur klubin ishte Komuna e Çairit, ndërsa 10% të mjeteve na kanë ardhur nga disa dashamirë tanë. Por edhe një herë do e potencoj se po të mos ishte komuna, nuk do të ishte klubi këtu ku është tani. Andaj shfrytëzoj rastin që të falënderoj numrin një të Komunës dhe Shkupit të vjetër, z.Izet Mexhitin për gjithë mbështetjen që na ka dhënë.

FC Shkupi: Skuadra jonë së fundi u bë e njohur edhe për thellimin e bashkëpunimit me ekipet tjera shqiptare, e në veçanti me ekipet nga Maqedonia, ndërsa së fundi keni treguar solidaritet me dy ekipet tetovare Shkëndija dhe Renova duke u lënë në diskonim shpesh herë stadiumin?

Ejup ADEMI: Të them të drejtën ne edhe kur ishim në Ligën e Dytë, por edhe tani në të parën kemi krijuar raporte vëllazërore me ekipet shqiptarë, ndërkohë kemi pasur raporte të mira edhe me ekipet maqedonase. Padyshim se kemi qenë nikoqirët më të mirë në ligë, duke u munduar maksimalisht të respektohemi si kryesi, por edhe ekipet mes vete. Ndihma ka qenë vëllazërore dhe shumë e sinqertë, pasi që nuk donim të bëjmë gabimet e të së kaluarës. Unë futbollin fillimisht e kuptova si një argëtim dhe sfidë për sukses e jo armiqësi. Andaj kjo filozofi e ynë fitoi dhe sot ne kemi raporte të shkëlqyera me të gjitha klubet në Maqedoni, sidomos me ekipet shqiptare.

FC Shkupi: Skuadra juaj është një nga ekipet e rralla që ka qenë e kompletuar edhe në mbulimin media. Jeni të pranishëm në të gjitha rrjetet sociale, por edhe bashkëpunimi me të gjitha mediat ka qenë në nivel të lartë. Na flitni pak edhe për organizimin mediatik?

Ejup ADEMI: Është shumë e vërtet se kemi qenë prezent nëpër të gjitha mediet në vend por dhe në ato të Kosovës dhe Shqipërisë. Por kjo padyshim se ka një emër, e ai është njeriu më meritor për gjithë prezantimin e klubit nëpër të gjitha mediat, elektronike dhe të shkruara. Ky është zëdhënësi i klubit Hajrush Mani, i cili pa asnjë kusht dhe pa asnjë ndihmë nga ana ime punoi me vullnet. Do ta falënderoj për të gjitha që ka bërë për klubin, pasi që e di se edhe ai nuk e ka pasur të lehtë, por dashuria ndaj ekipit dhe përkushtimi profesional bëri që ai të gjejë kohë që ta promovojë klubin dhe të jemi prezent në të gjitha mediat. Unë nuk do të hezitoj të them, por Hajrush Mani ka kryer punë sa dhjetë gazetar, ishte i vetëm që e ka mbuluar pjesën mediale. Duhet falënderuar edhe dy persona të tjerë që kanë dhënë kontribut të veçantë, Jetmir Sopi dhe Xhevat Xhemailin.

FC Shkupi: Së fundi Shkupi u ka dhënë shumë rëndësi grupmoshave të reja, ndërsa pionierët e rinj këtë vit fituan Kupën e Maqedonisë. Sa i keni dhënë rëndësi shkollës së futbollit?

Ejup ADEMI: Kjo është meritë e plotë e trajnerëve që kanë punuar me gjeneratat e reja. Profesori i nderuar dhe punëtori i palodhur Sami Ganiu, i cili njihet si ndër edukatorët më të mirë në vendin tonë, pastaj Erkan Murseli, Halim Bilalli dhe Jeton Musliu. Trajneri Musliu vitin e kaluar ishte finalist, ndërsa ja tani e fitoi kupën. Andaj unë i përgëzoj për punën të gjithë trajnerët dhe ata do të kenë mbështetjen tonë, që Shkupi përsëri të jetë një nga ekipet prej ku do të dalin talente të mëdha të futbollit.

DSC_0868

FC Shkupi: Po qarkullojnë zëra se shpejti te Shkupi do të vijnë ta marrin në menaxhim klubin menaxher nga Turqia, sa ka të vërtet në këtë?

Ejup ADEMI: Shfrytëzoj rastin që sot të flas zyrtarisht dhe të shpalos planet e klubit për të ardhmen. Është e vërtet se janë të interesuar dy menaxherë më të fortë nga Turqia që të marrin ekipin. Ne gjatë gjithë kohës kemi punuar edhe në këtë drejtim, pasi kemi qenë të hapur për të filluar bashkëpunim me menaxher apo biznesmen të ndryshëm që të kyçen në klubin tonë. Unë mendoj se shumë shpejt do të konfirmohet që klubi do të menaxhohet nga dy menaxherët turk, Olgun Peker dhe Metin Korkmaz. Peker dhe Korkmaz janë menaxher me renome botërore. Ne u kemi treguar se klubi është shumë i rëndësishëm për ne dhe gjithçka që dëshirojmë, është që FC Shkupin ta bëjmë klub evropian. E kemi dëshmuar se ne jemi në atë rrugë, por me siguri se na duhet edhe ndihma e miqve tanë dhe shpresoj se së bashku do e dërgojmë klubin tonë atje ku edhe e ka vendin.

 

FC Shkupi: Nëse realizohet ky plan, a mundë të shpresojmë se ekipi sezonin që vjen do të garojë për pozitë që e shpie në garat evropiane?

Ejup ADEMI: Është mëkat që të mendohet që Shkupi duhet të luftojë për mbijetesë në Ligë. Shkupi e ka vendin të garojë vetëm për pozitat që qojnë në garat evropiane. Andaj ne që tani kemi filluar misionin e ri, pasi mbaruam misionin e parë duke e kthyer skuadrën në Ligën e Parë, tani them se Shkupin duhet ta kthejmë në garat Evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button