NEWBORN me uniformë të UÇK-së

Ideatori i obeliskut të pavarësisë, Fisnik Ismajli ka shpalosur dizajnin e ri të NEWBORN-it, i cili me rastin e 6-vjetorit të pavarësisë do të vishet me ngjyrat e ushtrisë në shenjë falënderimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, NATO-n, por edhe shënimin e 15 vjetorit jubilar të çlirimit.
Ngjyrat e ushtrisë do të veshin shtatë shkronjat gjigante të obeliskut të pavarësisë i cili qëndron prej 6 vjetësh para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Monumenti i cili është bërë pjesë e imazheve dhe fotografive në mbarë botën, që tregon për lindjen e shtetit të ri të Kosovës, do të merr pamje të re për këtë përvjetor.
NEWBORN i krijuar nga ideatori Fisnik Ismajli do të ndërrojë për herë të tretë pamjen e përmes saj edhe dedikimin dhe falënderimin e popullit të Kosovës ndaj atyre që ndihmuan çlirimin dhe pavarësimin e saj.

15 vjet paqe, 6 vjet pavarësi është moto e dizajnit të ri që do të behët në kujtim të atyre që sakrifikuan për këtë ditë.

Faqja zyrtare e NEWBORN në facebook njofton se për ta vazhduar traditën e ngjyrosjes së monumentit NEWBORN për çdo 17 shkurt, sivjet, për hir të flijimit të popullit tonë gjatë luftës së vitit 1999, sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës kolosale të Aleancës Veriatlantike (NATO), do të kremtohet viti jubilar i 15-të i paqes në Kosovë, me pamje të uniformave ushtarake të asaj kohe.

“Çdo shkronjë do ti ketë larat e njërës prej ushtrive kryesore botërore të asaj periudhe, ose të uniformave me të cilat është identifikuar UÇK. Simbolika e këtij viti i dedikohet më së shumti atyre që dhanë jetën, që NEWBORN të jetojë” thuhet në njoftim ku shtohet se përgatitjet për ngjyrosjen e monumentit do të fillojnë prej 12 shkurtit dhe gjatë ditëve në vijim do të ngjyroset sërish me ndihmën e qytetarëve, pa i krijuar asnjëherë shpenzime parasë së tatimpaguesit”, thuhet në njoftimin e lëshuar në faqen zyrtare të NEWBORN-it në Facebook.

Ideatorët e krijimit të këtij monumenti ftojnë qytetarët e interesuar që të kontribuojnë vullnetarisht për të ndihmuar në ngjyrosjen e monumentit përderisa theksojnë se për realizimin e kësaj ideje u nevojiten para, ngjyra, ushqim, reflektorë, ngrohëse, skele, brusha dhe pajisje tjera.

Të interesuarit për të marr pjesë në ngjyrosjen e monumentit, mund të paraqiten në numrat 045 66 55 15 dhe 045 66 55 11.

“Ju lutemi ta përkrahni këtë iniciativë, e cila po shndërrohet në traditë, duke e shpërndarë këtë postim” apelojnë ideatorët e NEWBORN.

Lajme të ngjashme

Back to top button