BJERI SHKURT…

(monolog me vetveten)

Ka ardhur koha ta themi të vërtetën, hapur e pa dorëza…

Ndjesë për kohën! Fjalia e mësipërme nuk thotë asgjë. Është stil shkrimi i shumëfishuesve të gjuhës shterpe, që duan të na bindin se e thonë të vërtetën.

Prandaj godit me fjalinë e parë! Shkurt, shqip, qartë! In medias res. Thuaje atë që do ose hesht!

Shkruaje: politikat qeveritare janë të dëmshme!

Shkruaje: politikanët janë të humbur në kohë e në hapësirë!

Shkruaje: deputetët janë makina votuese, që dirigjohen “prej lart”!

Shkruaje: opozitarët flasin për bashkim, por nuk e duan!

Mos e ndërliko thjeshtësinë! Mos e kruaj veshin e djathtë me dorën e majtë!

Shkruaj si në telegraf: gjërat janë keq e mund të bëhen edhe më keq!

Shkruaje: kemi korrupsion, nepotizëm, papërgjegjësi, informalitet, amatorizëm, hipokrizi!

Shkruaje: liria është një fjalë goje!

Shkruaje: kemi të padijshëm që udhëheqin me punët publike!

Shkruaje: ata që kanë lexuar disa librat me detyrim vendosin për ata që shkrimin dhe librin e kanë pjesë të jetës së tyre!

Shkruaje: kemi politikë që bëhet me muskuj dhe jo me mendje!

Shkruaje: nuk mund të presësh të ardhme të ndritur nga politikanë që e flasin një gjuhë e cila mjafton vetëm për nevojat e përditshme ekzistenciale!

Po deshe shkruaje të kundërtën e të sipërthënës, por tento ta argumentosh dhe jo të gënjesh! Mund të kesh mendim të kundërt, krejt varet si e shohim botën. Veç mos harro: fjala e shkruar mbetet! Kur nuk mund ta thuash atë që dëshiron, atëherë më mirë hesht! Nëse nuk do as njërën, as tjetrën, atëherë futja gjumit, që të mos ua prishësh ditën atyre që beson se i mashtron! Ata që lexojnë edhe mendojnë.

***

Qëndro larg princave! Ka plot që i lavdërojnë ata. Gazetaria u shërben si trampolinë për punë të tjera. Nëse merresh me gazetari, atëherë qëndro larg selive partiake! Nëse do që të merresh me politikë, atëherë rri larg redaksive! Duke i mikluar princat mos mendo se e fiton dashurinë e tyre! Politikanët më shumë ua kanë respektin prej frikës shpirtrave të lirë dhe mendjeve kritike. Servilët u duhet si mjet pune.

***

Nuk je i detyruar që të shkruash për çdo deklaratë politikanësh. Ata flasin shumë e thonë pak. As mos i himnizo politikanët! Mos i krahaso me baballarët e kombit! Për këtë nuk gjykon gazetari, por historiani…

Rri larg vendeve ku priten shirita dhe ku bëhen promovime projektesh me para publike! Prerësit e shiritave nuk janë filantropë. Ata “investojnë” paranë tënde. Përse duhet të jenë në media? Përse duhet t’i lavdërojmë? Gazetari a opinionisti që nuk ka gjykim kritik është vetëm argat. Është objekt dhe jo subjekt.

***

Para se të shkruash mendo gjatë! Mos mendo se e shikon botën qartë vetëm se i ke sytë hapur! Kujto: Gazetaria e mirë është gazetaria kritike dhe jo glorifikuese, madje edhe sikur pushteti të ishte i përgjegjshëm! Që të thuash një të vërtetë duhet guxim e kurajë qytetare. Vetëm njerëzit e lirë e kanë këtë kurajë. Mos bëj kinse thuash diçka, sa për të thënë, me frikën se do të nervozosh dikë “lart”! Nëse shkruan duke bërë pazare e ke gabuar profesionin!

***

Lexo para se të shkruash! Ji i qartë! Nuk ka fjali të errëta, por mendime të errëta, tha Gëte. Shikoje botën edhe me sy të mbyllur, duke medituar! Do të shohësh jashtë dhe brenda vetes tënde! Do të dëgjosh atë që ta flet brendia për atë që ndodh jashtë teje! Do të flasësh me gjuhën që nuk do të të turpërojë nesër. Koha ik shpejt dhe gënjeshtrat janë kryeneçe – gjithmonë dalin në shesh. Njoh plot mashtrues që thurnin himne e sot shtiren si viktima. Ajo që është shkruar ka mbetur. Askush nuk mund të mashtrojë përgjithmonë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button