Në UT u promovuan tre vepra të autores Rabije Muratit

Në Universitetin e Tetovës, u bë promovimi i veprave ,,Demokratizimi i institucioneve edukative-arsimore në Republikën e Maqedonisë”, ,,Metodika e punës edukative” dhe ,,Demokratizimi i sistemit edukativ-arsimor në Republikën e Maqedonisë”, të autores Rabije Murati, ligjëruese në Fakultetin Filozofik të UT-së.

Në promovimin e këtyre veprave të pranishëm ishin Rektori i UT-së, Vullnet Ameti, Prorektori për Arsim, Reshat Qahili, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof.dr. Arbër Çeliku, Prorektori për Financa, Alifeta Selimi, senatorë, dekanë, profesorë, studentë, miq dhe familjarë të autores.

Redaktori i veprave, Rami Kamberi tha se mes redakturash që deri tash i ka bërë ai, është hera e parë që një autor trajton konceptin për institucionin shkollë.

Recensuesja e librit ,,Metodika e punës edukative”, Svetllana Grnçarovska u shpreh se, në këtë vepër autorja merret me specifikat e procesit edukativ, duke i trajtuar të gjithë faktorët që ndikojnë në realizimin cilësor të saj.

Për librin ,,Demokratizimi i institucioneve edukative – arsimore në Republikën e Maqedonisë” folën recensentët e këtij libri, Myqereme Rusi dhe Xheladin Murati.

Profesoresha Myqereme Rusi vlerësoi se ky libër paraqet njohuri se demokracia si formacion shoqëror në vete mbart një sërë ndryshimesh në jetën shoqërore, e nga kjo edhe në sferën e arsimit.

Recensenti tjetër i librit ,,Demokratizimi i sistemit edukativ-arsimor në Republikën e Maqedonisë”, vlerësoi se ky libër paraqet një punë serioze shkencore që aktualizon shumë çështje, si për nga karakteri teorik, ashtu edhe nga ai praktik, të cilat ndërlidhen me demokratizimin e arsimit, si një nga çështjet e rëndësishme dhe indikator i zhvillimit të shoqërisë.

Autorja e librave që u promovuan, Rabije Murati tha se arsyeja për të cilën janë bërë këto hulumtime në këtë sferë është ballafaqimi i përditshëm me probleme të ndryshme, ose keqkuptime që ndodhin në institucionet tona vendore, përfshirë edhe ato edukative – arsimore. ,,Arsimi, edukata dhe kultura janë themelet fundamentale për zhvillimin e shoqërisë. Arsimi është shtylla kryesore e zhvillimit të një kombi, por edhe e një bote të civilizuar. Dizajnimi i sistemit të ri ekonomik dhe politik supozon ndryshime radikale edhe në sistemin edukativ-arsimor. Me demokratizimin e shoqërisë në përgjithësi, në mënyrë të pashmangshme paraqitet nevoja edhe për demokratizim të arsimit, sepse çdo ndryshim në shoqëri mbart me vete ndryshime edhe  në sferën e arsimit. Demokratizimi i shoqërisë kërkon edhe demokratizim të shkollës, e me këtë pa dyshim se e thekson modelin e arsimit të orientuar kah individi”, potencoi autorja e veprave, Rabije Murati.

Po ashtu, në këtë promovim u tha se këto vepra kanë vlera dhe peshë të rëndësishme shkencore, jo vetëm për shkak të qasjes serioze të hulumtimeve, por edhe për shkak të zgjedhjes së objektit të hulumtimit me të cilin kështu arritur në njohuri të rëndësishme që mund të zbatohen në praktikë, ngase praktika e demokratizimit në shkolla, si dhe në përgjithësi në institucionet edukative-arsimore është baza për zhvillimin e marrëdhënieve demokratike në shoqëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button