Demokracinë e vrau populli, po e varros Gruevski

Përkundër shumë vlerave demokratike. Pluralizmi është komponentë mjaftë e rëndësishme e sistemit demokratik, për të mos thënë më e rëndësishmja. Kjo për faktin se krijon një spektër partiak ku përplasen ideologji të ndryshme, por që në thelb, parimisht, kanë ndryshimin për të mirën e shoqërisë. Ky pluralizëm fiton në vlerë kur krijohen mundësi për të garuar të gjitha ideologjitë, në mënyrë transparente.

Në Republikën e Maqedonisë tashmë 2 dekada çdo palë zgjedhje janë kontestuar. Janë manipuluar e mbushur kutitë. Kjo është vërtetuar edhe nga afera e përgjimeve që u shpalos nga opozita. Të njëjtat janë kontestuar vetëm deklarativisht nga individë dhe organizata jo qeveritare, por askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Madje as penalisht nuk janë përgjigjur.

Populli ka ndenjur duarkryq dhe ka legjitimuar të njëjtat zgjedhje, ashtu siç din më së miri populli- në heshtje. Heshtje kjo që ka forcuar pushtetin dhe pushtetmbajtësit i ka bërë të paprekshëm. Kulminacioni i paprekshmërisë ka shkuar deri në atë masë saqë të njëjtit janë gati të organizojnë zgjedhje, qofshin edhe të vetmit në fletën e votimit. E dini pse? Sepse, ata tashmë janë të bindur në heshtjen e popullit. Nuk ka kush kërkon përgjegjësi nga ta.

Në Nenin 8 në mesin e shumë vlerave themelorë të rendit kushtetues në Maqedoni përmendet edhe “pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta dhe demokratike”. Rendi kushtetues edhe pse tingëllon si përgjegjësi institucionale ajo duhet të jetë edhe përgjegjësi e popullit. Kjo e fundit duhet të vijë në shprehje sidomos kur politikani keqpërdorë institucionet. Një reagim i qytetarit për papërgjegjësinë e politikanit do të dëshmonte një qytetari aktive, një homo politicus që është kujdestar i prishjes së rendit. Kështu duke ngjallur demokracinë, sunduesin popull e jo popullin e sunduar nga pushtetmbajtësit.

Tanimë në Maqedoni ka nisur fushata zgjedhore ku ne fletë të votimit do të ketë vetëm një alternativë politike dhe askush nuk reagon. Qytetarët janë përgjumur ndërkaq, partitë politike sikur presin nga qielli tu pikojë ndonjë opsion.

Në Maqedoni është goditur pluralizmi, një vlerë kushtetuese, pa të cilën nuk do të mund të imagjinohej demokracia në vend.

Rrugëdalja e vetme është qytetaria aktive. Historia tashmë na ka ofruar leksione të mjaftueshme. Çdo diktaturë ka ardhur në pushtet me zgjedhje demokratike dhe ka përfunduar në sistem monist. Dhe, gjithë kjo falë heshtjes dhe nënshtrimit absolut të qytetarëve. Diktatura merr kuptim me heshtjen e popullit, ndërkaq demokracia merr kuptim me qenien politike të njeriut. Qenia politike nuk lejon në asnjë moment që “demosi” të jetë nën sundimin e një despoti, por lufton që “demosi” të jetë sundues.

Ne nuk guxojmë të shndërrohemi në vrasës të demokracisë, që t’i mundësojmë Nikolla Gruevskit dhe kompanisë që me lehtësi ta varrosë. Heshtja ndaj padrejtësive në demokraci është vetëvrasje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button