Aksion për pastrimin e Vodnos: “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër!”

Një grup të rinjsh, të organizuar nga Lëvizja për Edukim dhe Avancim të Dialogut LEAD, do të ndërmarrë një aksion për pastrimin e malit Vodno, me moton “NË XHEP, nëse s’ka ku tjetër!”, njofton Portalb.

Ky aksion është caktuar për të dielën (08.05.2016), me fillim në ora 12. Vendtakimi është në Vodno të Mesme, te teleferiku, me të cilin pjesëmarrësit do të transferohen deri te maja e malit. Grupi i vullnetarëve do t’i mbledhë mbeturinat e hedhura duke zbritur në këmbë, deri te Vodnoja e Mesme.

“I ftojmë qytetarët e Shkupit të na bashkëngjiten në këtë aksion. Disa grupe formale dhe joformale, si dhe individë, tanimë kanë paralajmëruar se do të na bashkëngjiten. Ky do të jetë i pari nga gjashtë aksionet e planifikuara për pastrimin e Vodnos në gjashtë muajt e ardhshëm. Krahas pastrimit të malit, aksioni ka për qëllim edhe ta ngrejë vetëdijen te qytetarët për ruajtjen e ambientit jetësor. Për këtë qëllim, grupi i aktivistëve do të ketë të veshur bluza me sloganin “NË XHEP, nëse s’ka ku tjetër”, ndërsa gjatë aksionit të dytë do të varen edhe 100 pllaka druri me këtë slogan. Ky aksion ka edhe dimensionin ndëretnik. Grupi do të përbëhet nga të rinj nga të gjitha bashkësitë etnike të Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Projekti “NË XHEP, nëse s’ka ku tjetër!” përkrahet nga programi Civica Mobilitas.

Përndryshe, Civica Mobilitas është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), të cilin e zbaton NIRAS nga Danimarka, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Instituti Suedez për Administratë Publike. Ky projekt përkrahet edhe nga Sektori për Mbrojtjen e Ambientit Jetësor i Qytetit të Shkupit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button