“Revolucioni Laraman”, protesta në 8 qytete të Maqedonisë

Lëvizja Civile “#Protestoj” sot do ta mbajë protestën e 16 të “Revolucionit Laraman”, kundër vendimit të presidentit Gjorge Ivanov që me 12 prill i fali 56 politikanë dhe bashkëpunëtorë të tyre që janë nën hetime, njofton Portalb.

Tradicionalisht, protesta do të fillojë në ora 18:00 para godinës së PSP-së në Shkup, ku fillimisht do t’i jepet mbështetje këtij institucioni. Protesta e sotme në fokus do t’i kenë kërkesat për zgjedhje fer dhe demokratike.

Përveç Shkupit, nga Lëvizja Civile #Protestoj, kanë njoftuar se sot do të mbahen protesta edhe në:

  • Shtip, ora 18:00, Gjykata Themelore e Shtipit
  • Veles, ora 18:30, rreth-rrotullimi tek “Avona”
  • Tetovë, ora 19:00, Gjykata Themelore e Tetovës
  • Manastir, ora 19:00, Sheshi “Magnolija”
  • Strumicë, ora 19:00, përpara “Policisë së vjetër”
  • Gjevgjeli, ora 19:30, përpara Shtëpisë së Pensionistëve
  • Kriva Pallankë dhe Obleshevë, ora 13:00 dhe 19:00

Lëvizja Civile “#Protestoj” ka parashtruar 8 kërkesa që protestat të ndalen:

  1. Tërheqjen e menjëhershme të vendimit të presidentit Gjorge Ivanov.
  2. Të jep dorëheqje Ivanov.
  3. Gjykata Kushtetuese të deklarohet për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale Publike.
  4. Të formohet një departament special në Gjykatën Penale i cili do të jetë kompetente për lëndët që janë nën kompetencën e PSP-së.
  5. Tërheqjen e menjëhershme të datës së mbajtjes së zgjedhjeve më 5 qershor.
  6. Në bisedimet për krizën politike në vend, të kyçet sektori civil.
  7. Bisedimet për zgjidhjen e krizës të bëhet në territorin e Maqedonisë.
  8. Formimin e një qeverie kalimtare e cila do t’i implementojë deri në fund reformat urgjente nga raporti i Pribe-së.

“#Protestoj”, ka bërë të ditur se nëse nuk plotësohen këto kërkesa ata do të vazhdojnë me protestat në rrugë, transmeton Portalb.

Përndryshe, “Revolucioni laraman’, është emri i protestës në të cilën qytetarët në çdo protestë kanë në shënjestër institucionet dhe objektet e shtetit të cilat i gjuajnë me ngjyrë.

Deri më tani janë gjuajtur me ngjyrë Ministria e Kulturës, Ministria e Drejtësisë, objektet e Shkupit 2014, zyra e presidentit Ivanov, Qeveria e Maqedonisë, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, dy përmendoret në formë luani të cilët gjenden në urën “Goce Dellçev”, në protestën e së mërkurës u gjuajtën me ngjyrë fotografia e Nikolla Gruevskit dhe Gjorge Ivanovit, ndërkaq dje u gjuajt objekti i Gjykatës Themelore Shkupi 1.

Përveç protestës së 13 prillit, ku protestuesit arritën të futën në Zyrën Popullore të presidentit Gjorge Ivanov dhe ta demolojnë atë, protestat kryesisht kanë qenë të qeta dhe pa incidente. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button