Mbi gjithçkanë dhe asgjënë

I mëshiroj protestuesit të gatshëm për prapësina, në mbrojtje të prijësit e partisë, hiç mashtruesit që luajnë me ndjenja grigje.

Protestojnë kundër atyre që synojnë rrëzimin e partisë e prijësit.

Protestojnë në mbrojtje të partisë dhe të shtetit.

Partia e prijësi kanë të drejtë të bëjnë gjithçka, sepse e dinë se çfarë bëjnë!

Mos i pyesni përse protestojnë?

Nuk flasin ose flasin të gjithë njësoj.

Nuk mendojnë ose mendojnë të gjithë njësoj.

Mos i pyesni për këtë botë, sepse bota e tyre është diçka tjetër, një botë hijesh.

Ata besojnë se e mbrojnë atdheun nga rreziku që i kanoset prej armiqve e tradhtarëve.

Ata besojnë në gjithçka që u ka thënë prijësi e partia.

Ata besojnë në ideale të larta. Po qe nevoja nuk ndjejnë se bëjnë mëkat që të vrasin ose të vriten për prijësin dhe partinë. Ky besim u jep motiv jete, i bën të gjallë ose të ndjehen të gjallë.

Për ata do të ishte dënim i tmerrshëm sikur t’i përjashtonin nga grigja; sikur t’u thoshin: “Ikni se s’na duheni; nuk meritoni dashurinë e prijësit; nuk meritoni të jeni në partinë që bëni kinse e doni; jeni shtiracakë që bëni kinse e çmoni partinë e prijësin!”

Mos e dashtë Zoti! Ky do të ishte dënimi më i tmerrshëm për ata, që duhet mëshiruar.

E vetmja arsye pse jetojnë është partia dhe prijësi, e po t’i humbin, atëherë çfarë mund të bëjnë tjetër përveçse të ndjehen të vdekur?

Në fund të fundit ata nuk kanë asgjë të tyren.

Nuk i kanë mendimet e tyre, sepse për ta mendon prijësi e partia.

Nuk i kanë ndjenjat e tyre, sepse ua kontrollon prijësi e partia.

Nuk i kanë dëshirat e tyre, sepse e dëshirojnë atë që e dëshiron prijësi dhe partia.

Nuk kanë personalitetin e tyre, sepse i janë nënshtruar prijësit e partisë.

Ata kanë vetëm partinë. Ata kanë vetëm prijësin. Pa ata nuk kanë asgjë.

Do të pranonin çdo dënim nga partia e prijësi, çdo vuajtje që vjen prej tyre, mjafton që dënimi apo vuajtja të jenë në dobi të partisë e të prijësit. Në fund të fundit jo vetëm partia e prijësi janë të tyre, por edhe ata janë të partisë e të prijësit.

Jashtë partisë janë asgjë, janë askushi, moskushi, janë të paemër, të mosqenë, janë kufoma të gjalla, janë hije që lëvizin mbi këtë dhé.

Me partinë ata ndjejnë se janë dikush. Me partinë besojnë se bëjnë diçka të vlefshme. Prandaj protestojnë dhe janë në gjendje të bëjnë gjithçka. E mbrojnë atë që është e tyre. Të vetmen gjë që e kanë. Të vetmen gjë që duan ta kenë.

Botën, pra, ku nuk kanë asgjë të tyren…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button