Assad i përfshirë në krime të luftës

Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut ka thënë se një hetim i zhvilluar nga zyrtarët ndërkombëtarë ofron prova se krimet e luftës në Siri ishin autorizuar nga ‘niveli më i lartë’ i autoriteteve, përfshirë presidentin Bashar al-Assad.

Është hera e parë që zyrtarë të OKB-së implikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt presidentin Assad në krimet e kryera në Siri.

Komisionerja Navi Pillay ka thënë se pas hetimeve të bëra, zyra e saj posedon edhe me listën e emrave të personave të tjerë të përfshirë në këto krime.

OKB vlerëson se që prej nisjes së konfliktit në Siri, më shumë se 100 mijë persona kanë vdekur.

Hetimet e OKB-së në Siri kanë rezultuar me ‘prova të fuqishme… mbi krime shumë serioze, krime të luftës, krime kundër njerëzimit,’ ka thënë Pillay.

Provat lënë të kuptojnë se përgjegjësia për këto krime bie ‘mbi nivelin më të lartë qeveritar, përfshirë edhe kreun e shtetit,’ ka theksuar ajo.

Ky hetim, më herët gjithashtu kishte ardhur në përfundim se përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të njeriut në Siri, ishin edhe forcat rebele.

Lajme të ngjashme

Back to top button