KUJTESA E GJALLË

Shaip Beqiri: “Muranat e muzgut” (poezi), botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2015

  1. a) Semantika e muranës

Teksa nisim ta lexojmë librin poetik me titull “Muranat e muzgut” të autorit Shaip Beqiri, vetvetiu e ndjejmë se po futemi në një mjedis të thellë metaforik, aty ku shtrihet rrafshi i gjerë mikrostrukturor brenda të cilit frymon poezia. Dhe si rezultat i kësaj mund të themi se gati është e pamundur të mos përqëndrohemi veçmas edhe te togfjalëshi paradigmatic të cilin na e ofron vetë titulli i librit, që realisht na shërben si një figure substanciale e lëndës krijuese të këtij autori. Kjo pothuajse është e pritshme të ndodhë kur e marrim parasysh faktin se një metaforë të këtillë kaq intriguese e sjell një poet i cili tanimë jeton jashtë atdheut, thjesht si një qenie njerëzore dhe krijuese që e bart kujtesën e dhimbshme dhe tragjike për etninë e cila përjetoi goditje e trysni të papara gjatë periudhës më të re të historisë. Në këtë pikëpamje është e qartë se Shaip Beqiri edhe në mërgim shfaqet me këtë barrë shqetësimesh poetike të cilat dëshmojnë mishërimin e ngushtë me atdheun dhe vendlindjen. Ky është korelacion i rëndomtë që përcillet me një forcë të madhe përmalluese, madje ndoshta edhe me disa shenja paksa atavike. Prandaj, duke vëzhguar në këtë aspekt, atë e shohim duke thënë:

Ndonjëherë më jepet

Të kthehem nën strehën time të parë

Të shoh të mbramin muzg duke rënë

Sipër muranës ku çdo gjë timen kam vënë

Në mënyrë tejet figurative na shpie drejt një rrafshi të ngjeshur semantik, ku duket qartazi se perceptimi i kësaj metafore ngërthen çdo gjë që ka të bëjë me marrëdhëniet e brendshme të poetit me token atërore. Ndonëse prej gjirit të saj është detyruar të largohet fizikisht, prapëseprapë, mu atje e ka lënë çdo gjë si njëmuranë e cila nuk mund të zhduket aq lehtë.

Në të vërtetë, kjo reference e veçantë metaforike ndoshta paraprakisht është e mjaftueshme për ta hapur rrugën e shkoqitjes së tekstit poetik të Shaip Beqirit, domethënë në radhë të pare si një tekst të ndërtuar me kujdes të madh dhe që krijon mundësi të shumta për të zbritur në vorbullën e tij nëntekstuale, aty ku kryqëzohen mendime dhe vizione të caktuara për çështjet e ndryshme ekzistenciale.

Duke u mbështetur në këtë premisë krijuese, mund të arrihet në përfundim se zhvendosja fizike e poetit nga vendi i tij, aq më tepër nga ana tjetër e ka forcuar lidhshmërinë shpirtërore. Prandaj edhe poezia e tij është bërë zë burimor i të gjitha shqetësimeve të vjetra e të reja, duke i ngritur ato në piedestalin më të lartë artistik. Kështu togfjalëshi metaforik muranat e muzgut në një mënyrë na imponohet si një kod paraprak i zbërthimit të semantikës së përgjithshme gjatë leximit të vazhdueshëm të këtij libri poetik. Brenda figurës së muranës frymon poeti i lidhur ngushtë me atdheun dhe etninë, me jetën dhe njeriun, me mallin dhe dashurinë, me ankthin dhe vuajtjen etj. Thjesht aty e gjejmë pikënisjen e tij drejt rrugëtimit krijues gjatë të cilit nuk shkoqet kurrë duke menduar e jetuar poetikisht.

  1. b) Palimpsesti lasgushian

Sa më shumë që hyjmë në brendinë e këtyre poezive, aq më tepër do të bindemi se leximi i tyre paraqet një sprovë strukturore në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. E themi këtë për arsye se kemi të bëjmë me një tekst mjaft të ndërlikuar në pikëpamje konceptuale e ndërtimore, sigurisht përplot me shtresa e nënshtresa kuptimore të cilat gjithnjë bëhen pjesë të nënpoetikave që lindin në vetëdijen tonë gjatë leximit. Për këtë arsye mund të pohojmë gojaplotas se ajo që e karakterizon poezinë e autorit Shaip Beqiri, pa dyshim është prirja dhe përkushtimi i veçantë ndaj tekstit dhe gjuhës, si synim thelbësor artistik dhe si vizion i qartë krijues.

S’do mend kjo pjekuri e lartë vjen si rezultat i formimit të tij paraprak duke mësuar në mënyrë empirike nga ecuria e poezisë më të mirë shqiptare, në radhë të parë duke filluar nga mbreti i lirikës, Lasgush Poradeci, i cili, gjithsesi, edhe në këtë rast i ka shërbyer si një palimpsest themelor në vazhdën e krijimtarisë poetike. Pikërisht nga kjo premisë klasike ai librin e tij e fillon me ciklin e emërtuar “Lasgushiana” (Gjeniu i anijes) dhe e mbaron po ashtu me “Lasgushiana” (Vdekja e Nositit).

Në të vërtetë, në kontekstin strukturor ky palimpsest është një rikrijim artistik, sepse brenda tij identifikohet thellësisht me Lasgush Poradecin, me dy kryemetaforat emblematike të tij, gjeniun dhe nositin.

Me sa duket, Sh. Beqiri këtu e ka gjetur shpirtin binjak me të cilin udhëton nëpër kohët e zymta duke sfiduar çdo vështirësi që i del përpara, si në betejën e krijimit të poezisë moderne e postmoderne, po ashtu edhe në atë të peripecive të shumta ekzistenciale. Duke e shikuar në këtë rrafsh, nëpërmjet këtij teksti të rikompozuar krijojmë ndjesinë e një komunikimi të natyrshëm midis këtyre dy autorëve, megjithëse në kohë të ndryshme. Pa mëdyshje, kjo aq më tepër na bindë se dy poetë të mirëfilltë mund të bashkëjetojnë mrekullisht e paqesisht edhe brenda një teksti të përbashkët, paçka se njëri është krijuesi, ndërsa tjetri rikrijuesi. Fundazi, edhe vetë poezia është një lloj i metafizikës që shfaqet e rishfaqet me një substancë të transformuar e të rikonceptuar.

Prandaj, edhe në rastin konkret duket se i rëndësishëm është metakomunikimi me lexuesin në çfarëdo kohe e rrethane objektive që mbizotëron, pavarësisht nga identifikimi i dy poetëve brenda një strukture palimpsestike e cila korrespondon si një harmoni e plotë poetike.

  1. c) Kronologjia e kujtesës

Vazhdimi i leximit të mëtejmë estetik, na ballafaqon me strukturën ciklike të librit “Muranat e muzgut” ku vetvetiu krijohet një kontekst kronologjik ose një përfytyrim historik, për arsye se gjithçka ndërtohet si rezultat i një kujtese të gjallë e të fuqishme, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e këtij poeti të cilin fati e shpuri të krijonte në një largësi të konsiderueshme gjeografike.

Mjafton edhe kjo rrethanë objektive për të theksuar se ai sjell një lloj të letërsisë migrative, siç quhet ndryshe. Shikuar nga ky kënd, poezitë e tij paraqesin një tërësi homogjene në aspektin motivor e tematik. Por, duke ndjekur një ritëm të caktuar në sistemimin e tyre, ato i ka ndarë me emërtimin “Ndërmjetëza”, përkatësisht sipas një kohe të njohur kalendarike (1968, 1981, 1989 dhe 1998).

Pra, në këtë mënyrë mund të kuptohet fare qartë se ky autor bën një lloj retrospektive të historisë më të re, duke u ngulitur kryekëput në ato ngjarje e kthesa tragjike të cilat i ka përjetuar edhe vetë si një vrojtues i vëmendshëm me tërë qenien krijuese. Për këtë arsye, edhe kujtesa e tij vjen si një refleks i natyrshëm duke shpalosur ndjesinë e thellë ndaj gjërave të ndryshme që i përkasin ekzistencës individuale dhe kolektive. Dhe kudo bie në sy se këto janë metafora të dhimbjes dhe të krenarisë njëkohësisht, nëpërmjet të cilave dëshmon fuqishëm gjakimin dhe ndjeshmërinë brenda kohës dhe hapësirës.

Duke u njësuar plotësisht me fatin e etnisë, ai bëhet zëri autentik i krijuesit. Ndaj pikërisht me këtë ngarkesë shpirtërore, atë e shohim teksa shprehet kështu:

Duke shkallmuar portat e vathës së yjve

I çel udhës pranverës drejt zemrës sime

Këtu spikatet zanafilla e shpresës së pashuar e cila e ka mbajtur gjallë poetin nëpër kohët e trazuara. Megjithëse kjo ecuri sillet midis jetës dhe vdekjes, përsëri mbizotëron ndjenja e ringjalljes dhe ngadhënjimit.

Kështu poeti shtegton midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, duke u përpjekur ta përthekojë tërë semantikën e mallit, dashurisë, ankthit, dhembjes, pikëllimit ndaj etnisë përkatëse. Thjesht ai jeton vetëm për këtë barrë jetësore, duke u shndërruar në një riminishencë poetike e cila konceptohet me mjeshtëri të veçantë krijuese. Dhe nga ky pozicion ai shprehet në mënyrë shumë të prerë:

Po sillem rrotull vetes

I tëri mish i gjallë

Çmbrehur nga ëndrrat

Sall në mall mbërthyer

Një fontanë etjesh

Ndër stërkala rrëkëllyer

Siç mund tëvërehet nga këto vargje të thukëta, në fakt ky është vetëportretimi i autorit, ndjesia e thellë që ka ndaj qenies së vet në raport me ekzistencën. Dhe detyrimisht kjo është një vetëflijesë e dhimbshme, gjithçka e shoqëruar me një mall përvëlues. Ndaj bën çmos që ta përcaktojë me anë të gjuhës përplot finesa të holla artistike, duke abstraguar largësinë objektive që ekziston dhe duke u rikthyer vazhdimisht me anë të kujtesës në vendlindje.

Kështu sillet me ngulm në rrethin e gjerë të kujtesës duke krijuar kozmogoninë dhe ontologjinë ekzistenciale të qenies etnike, si një perspektivë dhe futurologji poetike shumë e fuqishme, me çka arrin ta shprehë ndjesinë e hollë ndaj të gjitha atyre gjërave që kanë ndodhur dhe që kanë lënë gjurmë tek ai. Ato lidhen kryesisht me ngjarje dhe njerëz të cilat bartin dhembje, por njëherësh shpalosin edhe krenari. Pra, edhe nga një largësi e caktuar, poeti e ribën kohën e tij, duke sjellë metaforat tragjike të cilat flasin më shumë se historia. Ai komunikon me anë të gjuhës poetike, duke ndërtuar semantikën dhe psikologjinë e tyre.

Duke zhbiruar gjithë kujtesën e tij, në të vërtetë Sh. Beqiri krijon alfabetin personal të përjetimeve brenda kohës dhe hapësirës. Jo rastësisht ndarja ciklike e poezive bëhet me shkronjat A dhe Zh. Kjo është metafora totale e ekzistencës të cilën poeti e bart brenda shpirtit të tij për t’ia shpalosur lexuesit me një gjuhë të ngjeshur e të latuar me shumë kujdes, përplot nuanca kuptimore e artistike, si një mikrostrukturë e cila dëshmon prirje të pastër elitare e intelektuale, ndjesi të stërhollë ndaj realitetit ekzistencial, konceptim shumë të thellë krijues.

ç) Kurora sonetike

Një vend të veçantë në këtë libër e zë edhe kurora sonetike me titull “Lulembajtësi” e cila shpalos kujtesën e shtrenjtë jetësore e personale. Nuk do të gabonim nëse këtë ndryshe do ta quanim si kurorë sonetike të dashurisë personale, ose si himn i jetës intime, ku gërshetohen ndjenjat dhe ëndrrat e çiltëra për dashurinë. Nëpërmjet metaforës së lulembajtësit, pra si subjekt themelor, poeti vazhdimisht bën një nderim të thellë për atë që ka qenë pjesë e qenies dhe jetës së tij. Ajo njëherazi është ëndërr sa e bukur, aq edhe e dhimbshme.

Në këtë gjendje përpiqet t’i japë shpjegim dhe kuptim thelbësor kësaj pjese të jetës, përplot afërsi dhe largësi, ngritje dhe rënie, duke e lartësuar me anë të diskursit kryekëput lirik, që si e si të krijojë ndjesinë shpirtërore dhe vizionin e veçantë artistik.

Mbase vetë titujt e soneteve siç janë “Dita ime pa fytyrën tënde”, “Dy vetmi në një rrëfanë”, “Gurgullima e zërit të zvargur”, “Fërfëllima e hapit të shtangur”, “Përtej rrëmetit shteguar”, “Vurrata në zemër tjetër”, “Me të dashur pa jetuar” etj., flasin mjaft qartë se kemi të bëjmë me një rravgim të gjatë shpirtëror, ku thyhen shtizat në mes gjërave të mundshme dhe të pamundshme, në mes përjetimit dhe përfytyrimit. Në një mënyrë ky është një lloj i jetëshkrimit poetik për një dashuri të ngulitur thellë në qenien e autorit. Megjithëse gjithçka përshkohet me ankth dhe vuajtje, aty fshihet edhe thelbi i kuptimit të dashurisë përkatëse. Fundja, nuk është aq me rëndësi ajo që ka ndodhur, por ajo që ke ndjerë brenda vetes në një moment të caktuar.

Thënë fare thjesht, në këtë rast ndjenja dhe vizioni janë gjërat kryesore që shfaqen kudo. Ato sillen midis vargjeve sonetike, pleksen si dromca shkëndijuese duke krijuar tërësinë e kësaj jete intimeqë ka mbetur si kujtim i shtrenjtë. Pavarësisht nga kjo rrjedhë e turbullt, ajo ka mbetur Shën Mëri e dhembjes së poetit. Pra e shenjtëron atë nëpërmjet kësaj kurore sonetike të gdhendur me një kujdes të pakundshok. Në të vërtetë, për nga përmbajtja motivore mund të cilësohet si krijim i jetës personale, ndërsa për nga përkushtimi artistik si krijim i karrierës së autorit. Në bazë të kësaj mbase krijohet përshtypja se askund tjetër nuk e ka shkrirë veten më shumë sesa në këtë kurorë sonetike e cila mbetet një model i përsosur poetik.

  1. d) Cilësimi përmbyllës

Duke i marrë parasysh të gjitha këto që i thamë deri tani, mund të japim një cilësim përmbyllës se Shaip Beqiri gjithmonë mbetet si një autor tejet i përkushtuar dhe i kursyer në aspektin e gjuhës poetike, duke mos vrapuar kurrë pas sasisë, por vetëm pas cilësisë. Si rezultat i kësaj poezia e tij nuk ka asgjë të rastësishme, gjithçka vjen e sistemuar dhe e organizuar në mikrostrukturën e saj, dhe si e tillë shquhet vetëm për dendësinë dhe thellësinë semantike, dhe assesi për stereotipet e saj sipërfaqësore e formale.

Me këtë epërsi të dalluar krijuese ai arriti që ta çojë përpara zhvillimin e letërsisë shqiptare, duke i dhuruar asaj një poezi me strukturë të përsosur semantike e estetike. Prandaj, vlen të themi se është një poet i mirëfilltë që nuk mjafton vetëm të lexohet, por aq më tepër edhe të rilexohet, sepse këtu fillon aventura e perceptimit të vërtetë artistik, ku zbulohen  nënpoetikat e panumërta të cilat shfaqen si rezultat i intuitës dhe imagjinatës sonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button