Pesha e pasigurisë dhe amullisë

Vetmia, pasiguria dhe amullia janë tre udhëtarë që janë ndalur, janë fshehur dhe rrinë te ne. Janë rehatuar këtu dhe nuk duan të vazhdojnë tutje në udhën e tyre. S’e kanë keq, pse të shkojnë? Vetmia i ka shtrirë këmbët gjerë e gjatë, kurse pasiguria e amullia bëjnë qejf në hesapin tonë.

Shkoni bre, vazhdoni atje ku e keni pasur nijet! Çka i keni shtrirë këmbët këtu?!

Kot! Ato sikur t’i kishin pasur veshët e mbyllur me dyllë ose sikur të mos kishin pasur veshë fare. Thjesht, kurrsesi nuk dëgjojnë se çfarë u them. Madje shkojnë e zënë vend dhe kënaqen me tërë peshën e tyre mbi këto shpatulla të rraskapitura.

Ngulfatem, më zihet fryma, e shpërthekoj këmishën, kurse gishtat më rrëshqasin kraharorit nga djersa. O njerëz, po djersohem, sepse e kam mbi shpatullat e lodhura barrën e mallkuar të pasigurisë dhe të amullisë. Me vetminë shkon disi, kalohet disi. Është e ftohtë vetmia, është shkretëtirë, refuzuese, por jemi mësuar me të me shekuj. Ndërkaq pasiguria dhe amullia janë punë tjetër. Me pasigurinë dhe amullinë nuk ka lojë. Nuk ka, sepse ato vijnë nga befasitë e të papritshmet e shumta dhe kanosen me gjithfarë formash e përmbajtjesh, si për shembull: thika pas shpine, shigjeta me helm, flakë që e gëlltisin fshatin, Idrizovë, estradë e padijshme politike, grabitje dhe vjedhje e identitetit, shkelje e të drejtave për të folur gjuhën e nënës. Pastaj me atë politikën e zezë divide et impera. E kjo, kjo politika divide et impera është halli më i madh.  Kjo e shton edhe më shumë barrën e pasigurisë dhe të amullisë. Kjo është si një kazan i madh ku zihen të gjitha mbrapshtitë e rrethimit me mëlmesa siberiane dhe të gjitha format e kërcënimeve. Në të rriten e rëndohen vazhdimisht pasiguria dhe amullia. Merreni me mend këtë kazan të madh, të rëndë e të nxehtë të cilin e nxjerrin nga një zjarr i hatashëm e ta venë mbi shpatullat lakuriqe të sillesh në rrethin e vetmisë me të! E mban atë dhe si Sizifi pret që të përfundojë ky hall që nuk përfundon kurrë.

Çdo përpjekje imja që të çlirohem nga ky kazan i zi është i pasuksesshëm, sepse është tepër i rëndë, si thashë. Vetë nuk do të kishte mundur as Herakliu të çlirohet prej tij, jo unë, një qytetar i thjeshtë. Duhen shumë njerëz të bashkuar ta mbajnë dhe ta heqin nga shpatullat e mia e të ma shpëtojnë kokën që më ka mbetur e lëvarur nga pesha e të m’i lirojnë shpatullat e nxira nga pesha dhe temperatura e padurueshme. Po ku do të kisha mundur të gjej njerëz të bashkuar dhe njerëz të vullnetit të mirë të më ndihmojnë ta heq qafe kazanin që është sinonim i pasigurisë dhe i amullisë? Të gjithë njerëzit tonë  janë bërë pikë e pesë dhe vrapojnë secili për vete shtigjeve të shumta plot leqe të politikës së vjetruar e të grisur divide et impera. S’e kanë dert ata pasigurinë dhe amullinë  të cilat i kanoset lirisë sime dhe të cilat po m’i shkurtojnë vitet, ma mbyllin të ardhmen  e m’i këpusin këmbët.

Jam në hall, prandaj detyrohem t’u drejtohem atyre që bredhin monopateve pa krye të politikës  divide et impera:

O njerëz, më ndihmoni, ju lutem ta heq këtë kazan nga shpatullat e mia të lodhura se më ka këputur nga pesha dhe po më djeg shtat e shpirt, më lironi nga kjo pasiguri e nga kjo amulli që më ka zënë e më mban peng!

Çfarë ke more ti?! më thotë njëri nga rreshti i monopatit nga ana ime e majtë, i cili e mban një pllakat në të cilin shkruan: ne ecim me krenari majtas. Në sytë e tij e lexova mërinë.

Jam qytetar! i thashë butë.

Si e merr guximin kështu?! Si s’të vjen turp?! më tha. Ne jemi partia, a s’po sheh, a? Tash partia e pret dorën tuaj të ndihmës, kurse ju qytetarët keni gjetur të flisni për kazanë, për do pasiguri e për amulli!

Po a nuk e ndjeni edhe ju pasigurinë dhe amullinë? e pyeta.

Futu në rreshtin tonë dhe ec majtas e me vite do ta kesh një satisfaksion. Ndoshta mund ta marrësh edhe ndonjë mirënjohje nga prijësi ynë i madh. Ndoshta kur të vdesësh sekretari i partisë të flet te varri. Lëri tash pasigurinë dhe amullinë.

U ktheva në anën e djathtë. Edhe andej – kolona me një flamur të verdhë.

Edhe prej tyre kërkova ndihmë të më çlirojnë nga kazani. Thashë me vete: këta do të më ndihmojnë. Ata këndonin disa këngë epike, ku në çdo varg lavdërohej një trim nga mitet. Ata ishin në trans dhe nuk e dëgjuan fare klithmën time për ndihmë.

A thua është e mundur? Nuk ka mëshirë as nga ana e djathtë e as nga e majta.

U tërhoqa prapa në vetmi me barrën e pasigurisë dhe të amullisë. Nuk e kisha marrë parasysh se do të mbetem në këtë gjendje të pashteg edhe tash kur shekulli i ri i ka hapur të gjitha portat e diturisë dhe kur aq shumë flitet për lirinë. Për atë liri që unë nuk e kam. E që s’e shijova.

Çfarë të bëj? Jam i detyruar të mbetem në vetminë time, në rrethimin e përhirtë, me këtë barrë të mallkuar, të pres. Ndoshta do të arrijnë fëmijët ta kuptojnë se duhet të më çlirojnë nga kjo pasiguri, nga kjo amulli, të cilat i mbaj të rënda mbi shpatulla e në shpirt, ndoshta ata do të dinë ta lexojnë drejt librin e lirisë, të cilin çdo njeri nga ne qytetarët e mban në ëndrrat e bukura.

Kam shpresë të madhe. Sepse fëmijët janë të zgjuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button