A meritojmë më mirë?

Tashmë një javë, Ukraina është mbërthyer në protesta kundër vendimit të Kryetarit Viktor Janukoviç, që e largon vendin nga Bashkimi Evropian, duke u afruar drejt Rusisë. Qindra mijëra protestues qëndrojnë me ngulm në sheshin qendror të Kievit, duke e kundërshtuar refuzimin e marrëveshjes tregtare me Brukselin. Pavarësisht motit të ftohtë, ndërhyrjeve policore dhe dosjes në fushën demokracisë, ukrainasit po e dëshmojnë përkushtimin e tyre ditë dhe natë për synimin e përcaktuar. Mirë ose keq, rezultati mbetet të shihet, por vendosmëria e tyre meriton respekt. 

Në veri prej Ukrainës, javën e kaluar ndodhi diçka e paimagjinueshme për ne. Qeveria letoneze dha dorëheqje, pas rrënimit të një supermarketi ku humbën jetën mbi pesëdhjetë persona. Ndonëse Kryeministri i tyre nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ndërtimin dhe lejet e shitoreve, ai u tërhoq si shenjë e përgjegjësisë, duke përfituar edhe më shumë mbështetje si një udhëheqës i cili ka sjellur cilësi të reja qeverisëse në këtë vend të BE-së. 

Pak më afër, në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama u detyrua të tërhiqet para protestave qytetare kundër pranimit të armëve kimike siriane. Mobilizimi mbarëpërfshirës për ngritjen e vetëdijes përfundoi me një fjalim të gjatë të tij, ku pavarësisht vrerit të hedhur mbi opozitën, Rama e shpalli vendimin e drejtë për refuzimin e kërkesës. Për t’i bërë nder të vërtetës, ende nuk është gjetur asnjë shtet tjetër për shkatërrimin e armëve kimike – madje nuk dihet as kush do t’i transportojë ato jashtë Sirisë. Kjo flet mjaftë për rrezikun që nuk mund të fshihet.

Të dielën në mbrëmje u raportua për ndryshimin rrënjësor në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e fitoi Prishtinën, që ka simbolikë të fortë për mbarë Kosovën. Me mundësinë e parë për ta dëshmuar përkushtimin ndaj vendit dhe modelin e ofruar për qeverisje, skena politike kosovare mund të jetë para ndryshimeve më të mëdha, duke e konsideruar shembullin rajonal kur ndryshimi në kryeqytet paralajmëron ndryshime të mundshme në nivel nacional.  

Për dallim nga krejt kjo, ku gjendet Maqedonia? 
Protesta më serioze kundër pushtetit, në dhjetorin e kaluar u zbeh brenda disa orëve. Për dallim nga Kievi, ku ukrainasit qëndrojnë me orë në temperatura afër zeros, udhëheqësit opozitarë në Shkup u tërhoqën që në ditën e parë, duke e planifikuar orarin e protestës në favor të festave të fundvitit. Efekti ishte shumë i logjikshëm – edhe ata që morrën guxim të dalin në rrugë u dekurajuan në momentin kur kremtimi fitoi prioritet ndaj demokracisë. 
Dorëheqjet e udhëheqësve tek ne janë krejtësisht të panjohura, ndonëse për fat të keq, ka pasur pafund shumë raste për ta dëshmuar të kundërtën. Jo vetëm tragjeditë si humbja e dy kryetarëve të shtetit, por edhe fatkeqësitë si ajo e turistëve bullgarë në Liqenin e Ohrit në vitin 2009 ose vdekjet e shpesha të foshnjave në spitalet tona, kalojnë pa bartje të përgjegjësisë.   

Krahasuar me Shqipërinë, Maqedonia nuk ka parë protesta me një angazhim kaq të gjerë të mbarë shoqërisë. Fatkeqësisht, nuk ka asnjë çështje që i bashkon të gjithë qytetarët për një kauzë të vetme. Natyrshëm, meqë ndarjet e shumta e lehtësojnë qeverisjen dhe manipulimin, fragmentimi nxitet rregullisht nga pushteti si mekanizëm kontrolli për ta zvogëluar mobilizimin.

Arsye për shoqëri shtërpe dhe qëndrim pasiv ka plot. Ajo që është tmerruese, është që jo vetëm se jemi larg nga cilido shtet i BE-së, por për ne janë të pakapshme edhe zhvillimet në vendet lindore me histori të ngjashme. Shembujt e cekur tregojnë që ndryshimi mund të ndodhë, me shumë vullnet dhe energji. Krejt çka nevojitet është që qytetarët të kenë guxim, udhëheqësit të jenë vizionarë dhe shoqëria vërtetë të dëshirojë një kthesë rrënjësore. 

Sot, në Maqedoni nuk e kemi asnjërën dhe rezultatet janë të dukshme në çdo hap. Kjo mund të duket si pohim i guximshëm – po aq sa edhe pritja për diçka më të mirë, duke vepruar në mënyrë të njëjtë që nuk ka sjellur asnjë rezultat deri tani. Me një fjalë, nëse ka vullnet, gjendet mënyra. Nëse nuk ka, si në rastin tone, është e drejtë të paktën të mos e mashtrojmë veten me shpresë se meritojmë diçka më mire, por që duhet fituar nga ndokush tjetër, meqë ne nuk jemi të gatshëm ta meritojmë atë vetë. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button