ANALIZË: Para buxhetore për punësime – cilat janë efektet?

Shpallje publike në të cilat pjesërisht theksohen kriteret për konkurrim, rreziqe për zgjedhjen e aplikuesve, transparencë e panevojshme – këto janë një pjesë e konstatimeve nga revizioni i realizuar shtetëror me të cilin është vlerësuar “Еfikasiteti i politikave dhe i aktiviteteve për punësimin e të rinjve deri në moshën 29-vjeçare, që janë paraparë në programin për subvencionimin e punësimeve”. Revizori shtetëror e ka përfshirë Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, Agjencinë për punësim dhe Qendrat për punësim në Shkup, Kriva Pallankë, Veles, Sveti Nikole dhe Kumanovë. Konstatimet e revizionit kanë të bëjnë me periudhën prej vitit 2013 deri në ditën e përgatitjes së raportit, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Punësime të planifikuara, mirëpo të parealizuara…

Nëpërmjet planeve operative të Qeverisë për stimulimin e punësimeve janë theksuar programet, masat, grupet e synuara, si dhe mjetet dhe burimet e nevojshme të financimit, mirëpo megjithatë, revizioni konstaton dobësi në pjesën e shpalljeve publike.

“Me revizionin e kryer konstatuam se te shpalljet publike pjesërisht theksohen kushtet dhe kriteret që janë përcaktuar në planet operative, që paraqet rrezik për mënyrën e përzgjedhjes së aplikuesve” – thuhet në raport dhe më tej shtohet:

“Ka rrezik që gjatë kontrollimit të të dhënave të punëdhënësve sa i përket përmbushjes së kushteve nga Plani operativ, të miratohet aplikimi i punëdhënësit që nuk i plotëson kushtet duke pasur parasysh se zgjidhja softuerike nuk ofron kontrolle të plota të kushteve dhe të kritereve.”

Me masën “Subvencionimi i punësimeve” në vitin 2013 është planifikuar të përfshihen 746 persona të papunësuar, për të cilën gjë janë ndarë 862.000 еuro. Rroga bruto e çdo të punësuari, sipas revizorëve ka qenë 13.000 për periudhën 18-mujore, nga të cilat 6 muaj shpenzimet janë mbuluar nga shteti, ndërsa 12 muaj shpenzimet janë mbuluar nga punëdhënësi. Sipas revizorit, përkundër planifikimit, janë punësuar vetëm 638 persona, ndërsa vetëm 285 prej tyre kanë qenë të rinj të moshës deri 29-vjeçare. Për këtë masë janë publikuar dy shpallje, në të cilat, sipas revizorit shtetëror, ka mungesë të të një pjese të kritereve.

“Kriteret tjera që janë përcaktuar në Planin operativ nuk janë shënuar në shpalljet, që tregon se ka transparencë të pamjaftueshme dhe kjo paraqet rrezik për mënyrën e përzgjedhjes së aplikuesve” – thuhet në raportin e revizorit shtetëror.

Me planin operativ për vitin 2014, nëpërmjet kësaj mase është planifikuar punësimi i 527 personave, për të cilën gjë janë ndarë 696.000 еuro, mirëpo në fund janë punësuar 427 persona, nga të cilët vetëm 222 kanë qenë të rinj, transmeton Portalb.

Nëse përmblidhen rezultatet vetëm nga kjo masë, nga numri i përgjithshëm i punësimeve të realizuara, 47,6 për qind kanë qenë të rinj.

Pas propozim-raportit të revizorit, Agjencia për punësim ka dorëzuar vërejtje dhe ato janë shqyrtuar dhe, siç njofton revizori shtetëror, është konstatuar se vërejtja e parë paraqet njoftim për masat e ndërmarra, ndërsa vërejtja tjetër nuk është pranuar.

Çfarë efektesh dhanë masat për punësimin e të rinjve…

Hulumtimi i paradokohshëm me titull “Subvencionimi i punësimit të të rinjve të moshës deri 29-vjeçare duke u liruar nga pagesa e kontributeve” i “Finacethink“, tregoi se të rinjtë janë më shumë të goditur nga papunësia dhe te ata është regjistruar përqindja më e lartë e papunësisë, që konsiderohet si shkak, gjegjësisht motiv kryesor për shpërnguljen e tyre. Sipas hulumtimit, më shumë se 48 për qind e të papunësuarve janë të rinj, të moshës prej 15 deri në 24 vjet, përcjellë Portalb.

“Veçanërisht të pafavorshëm janë treguesit për shkallën e papunësisë te të rinjtë e moshës deri në 29-vjeçare (bëhet fjalë për moshë pasi të jetë përfunduar arsimi formal). Papunësia në këtë moshë është njëri nga shkaqet kryesore për largimin e të rinjve jashtë vendit. Punësimi i të rinjve në vendlindje do ta zvogëlojë trendin e shpërnguljes, mirëpo do të ndikojë pozitivisht edhe në shumë segmente të jetës shoqërore-ekonomike të vendit”, thuhet në analizë.

Duke iu referuar informatave të fituara nëpërmjet Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, hulumtimi zbulon se numri i të rinjve të moshës deri në 29 vjet që janë të papunësuar më 14.01.2016 ka qenë 28.080 persona, nga të cilët 13.007 femra, ndërsa 15.073 meshkuj.

Kjo sipas ekonomistit Pavle Gacov, i cili ishte pjesë e ekipit hulumtuese, tregon se shteti, nga ky koncepti i subvencionimit të punësimeve, në fund as nuk fiton as nuk humb.

“Kjo masë së pari bazohet në politikën qeveritare për subvencionim, që do të thotë se shteti, e mbështet atë drejtpërdrejt nëpërmjet buxhetit. Mirëpo, në qoftë se analizohet më detajisht, paratë që shteti i paguan për kontributet praktikisht përfundojnë në arkat e institucioneve shtetërore, që do të thotë se paratë futen nga xhepi i majtë në të djathin, gjegjësisht në shportën e njëjtë. Mirëpo, të dhënat e përmbledhura, gjegjësisht shpenzimi dhe përfitimi i shtetit, në fund tregojnë se efekti është zero”, vlerëson Gacovi.

Sipas Gacovit, këto modele të mbështetjes së punësimeve janë pozitive, mirëpo duhet të mendohet për zgjidhje të qëndrueshme, gjegjësisht masa e këtillë të mos jetë vetëm “infuzion”, me efekt në afat të shkurtë dhe të mesëm. Masa për punësimin e të rinjve të moshës deri 29-vjeçare u promovua si masë strategjike, që si cak i kishte pikërisht të rinjtë, të cilët në kërkim të jetës më të mirë dhe më kualitative, e lëshonin vendin. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button