Thaçi pëson debakël, humb shumicën e komunave

Partia e kryeministrit, Hashim Thaçi, në garën për balotazh të zgjedhjeve lokale për mandatin e ardhshëm katërvjeçar ka pësuar debakël të fortë, duke humbur shumicën e komunave me të cilat ka qeverisur deri më tani.

Nga 11 komuna në sa ka shkuar në balotazh, Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve të para preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, ka shënuar humbje të thellë në shumë komuna të Kosovës, derisa ka arritur ta ruaj vetëm Prizrenin me të cilin do të qeverisë edhe mandatin e ardhshëm katërvjeçar, shkruan Zëri.

Partia në pushtet gjithnjë sipas rezultateve preliminare, në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale ka humbur gjashtë komuna, madje edhe disa qendra të cilat janë identifikuar si bastione të kësaj partie.

Partia e kryeministrit Thaçi ka humbur Mitrovicën, Gjilanin, Ferizajn, Lipjanin dhe Vitinë, por ka arritur të marrë disa nga qendrat e vogla, si Rahovecin, Dragashin, Kamenicën, Vushtrrinë dhe Klinën.

Megjithatë, për dallim prej herëve të kaluara që kryeministri Hashim Thaçi ka festuar në “Sheshin 21”, të dielën nuk është parë askund, derisa paria e PDK-së kishte udhëtuar drejtë Prizrenit për të festuar fitoren në qytetin që e patën quajtur “Jerusalemin e PDK-së”./Zëri/

Lajme të ngjashme

Back to top button