PAS PREMIERËS

Sa herë më ndodh të dal para përfundimit të shfaqes, filmit apo koncertit.

Ndonjëherë ngaqë nuk më pëlqen dhe s’ka arsye për të harxhuar kohën.

Ndonjëherë marr aq sa më duhet nga ngjarja dhe çohem me shijen e mirë në momentin kur parandjej se do të nis të prishet…Edhe intuita kërkon hyzmetin e vet, po nuk ia vure veshin s’të jep sinjale.

…shfaqja e fundit e Teatrit shqiptar në Shkup “Biondi-Qeni” ishte përvojë intensive skenike, ose më saktë: shumica dolën nga salla si të lemeritur.  Rrëfimi për dy të burgosur shoqëruar me sekuenca terri të thellë, muzikë rrënqethëse me tonalitet ekstrem dhe dialogje krejt acarr…shfaqja më kalli datën, por aktrimi i Ibrahim Xhemailit dhe Ylber Murtezit më mbante si të mbërthyer në karrige.

Marr ti vëndoj dëgjueset për të minimizuar britmat, do dëgjoj muzikën time, them,  dhe do vazhdoj të shoh lojën e dy djemve të talentuar.

Por Marfi, dëgjueset pikërisht atëherë pushojnë së funkcionuari.

Mbetem e ngujuar në ulurimën e shfaqes, me turpin që të çohem e dal, pasi duhej të kaloja para skenës. Salla e Qendrës Teatrore për fëmijë është e papërshtatshme për disidentë.

“Punë e madhe, çohu dhe rehatohu”.

Por s’kishte rehati atë natë.

Erdha deri te dera, grilat para dere. Total dizajn i shfaqes.

Dera ndoshta hapet, por grilat janë më të holla se unë. No pasaran!

Ndërkohë vazhdon nata skenike pa fund, të lehurat nëpër natë, dialogjet e akullta pas grilave. E paramendoj se si ngjarja skenike mund të xhvendoset këndej, teatrit modern asnjëherë s’i dihet, s’janë këto grila kot këtu…

Shkruaj ca mesazhe, raportime nga vendi i ngjarjes, sa për të vrarë kohën.

Kohë pas kohe e lë telefonin dhe i mbyll veshët apo sytë. Kush ishte aty atë mbrëmje apo të nesërmen kur u rishfaq ky projekt teatror, e kupton për çka flas. Zemra më rrihte si e marrë.

Në mes të atij sikleti, djathtas vërej perde të trashë.

E hap me shpresë, më duket vetja si Mister Bin.

Ndoshta ka dalje nga ky xhehenem!?

Jo, ende.

Vetëm ca rrangullira aty, por të paktën nëse të burgosurit apo rojtari me atë fytyrë të ngrysur vijnë këndej, kam ku të strehohem.

Atëherë një tjetër nga publiku çohet dhe vjen andej.

Afrohet te grilat e derës, i shtyn lehtë, ato rrëshqasin.

DHE DERA HAPET!

Dal si prej burgu.

Çarshia më duket e bukur, e bukur, si në momente speciale!

Një cigare nëpër kalldërmën e qetë, filloj të stabilizohem.

Shkoj në ëmbëltore, më duhet pak balancë.

Atë mbrëmje shkëmbyem shumë mesazhe me disa miq që kishin qëndruar stoikisht deri në fund. “Biondi-Qeni” e përndozi debatin e munguar teatror ndër ne.

Nëse hipotetikisht në një cep kemi shfaqe që të ngrin gjakun dhe në cepin tjetër shfaqe për të cilën as nuk të bëhet muhabet pas daljes nga salla, mes këtyre dy pikave imagjinare shtrohet pyetja: çfarë teatri duam, për çfarë teatri kemi nevojë.

“Biondi-Qeni” në regji të mysafirit nga Bursa Ali Çetinkaja  e nxiti debatin e munguar për teatër.

Dhe bëri që atë mbrëmje qyteti të na duket më i bukur se rëndom.

Dhe liria më e çmuar se sa që e nënkuptojmë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button