Shqipëria të tregojë se çfarë do t’i japë Europës

Prof. Pierre Casse erdhi së fundmi në Tiranë për të dhënë një leksion për leadership. Si një nga zërat kryesorë të BLED’s Management School në Slloveni, ku studjojnë mbi 200 studentë shqipëtarë, Casse mendon se Presidenti duhet të jetë neutral dhe ai ka shumë në dorë për të arritur një kompromis midis forcave politike.

“Pak a shumë, Presidenti supozohet të jetë neutral. Me fjalë të tjera, ai duhet të jetë i aftë të marrë atë që është pozitive nga një përqasje; të bëjë të njëjtën gjë edhe me përqasjen tjetër dhe të krijojë një miksim të fuqishëm,” thotë belgu Casse në një intervistë. Sipas tij, është koha për të krijuar “kuti të reja” në një realitet të ri ndërsa nënvizoi se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për t’i shpjeguar Brukselit se kush është dhe çfarë do t’i japë ajo Europës një ditë kur të jetë pjesë e saj. Lidhur me këtë pikë, ai hoqi një paralele me rastin e aplikimit të tij për marrjen e nënshtetësisë zviceriane. “Në fund të testit, kryebashkiaku zvicerian u kthye nga unë dhe më tha “Që të bëhesh zvicerian, duhet ta meritosh,” shton Casse. 

Përse jemi deficit sot me udhëheqës të vërtetë?

Mendoj se udhëheqësit potencialë janë rrotull. Por nuk mendoj se ato po paraqiten ashtu siç duhet.Le të hedhim një sy në politikë. Të marrim si shembull, vendin tim, Belgjikën. A po e drejtojnë këtë vend njerëz të mirë? Nuk mendoj se po. Sipas këndveshtrimit tim, një politikan duhet të jetë një menaxher i një jete kolektive. Pra, pyetja është si ka mundësi që njerëzit e mirë nuk janë në krye të drejtimit të vendit? Prandaj edhe sistemi demokratik nuk është i qëndrueshëm dhe nuk po jep ato rezultatet që duhet. Përgjigjja ime ndaj pyetjes tuaj është që media i tremb drejtuesit që janë vërtet të mirë. Sepse të konkurosh për një post në politikë, do të thotë që media të të vihet nga pas e të eksplorojë jetën tënde. Media do të shkojë 10 vite mbrapa në kohë për të parë se çfarë ke bërë dhe e gjithë kjo do të dalë në gazeta, TV show, edicione lajmesh e kështu me radhë. Dhe ata nuk duan të kalojnë një eksperiencë të tillë. Ata e duan jetën e tyre e të familjeve të tyre. Pra, ne nuk kemi njerëzit e duhur në drejtim të vendit. Pra ata nuk është se nuk janë rrotull nesh apo se ato nuk ekzistojnë. Sipas tyre, rreziku është shumë i madh nëse e bëjnë një gjë të tillë.

 A mund të na jepni shembullin e një udhëheqësi të mirë? 

Mund të marrim rastin e Angela Merkel të Gjermanisë. Ka diçka tek ajo. Merkel nuk ka rënë në kurthin e drejtimit kozmetik duke përdorur imazhin e saj për ti tërhequr njerëzit. Ajo po u thotë “Jo” disa çështjeve dhe po thotë se po mendohet mbi disa të tjera. Ajo po thotë se na duhet të punojmë për ato para që po i shpenzojmë. A nuk është kjo leadership? Po shikoj edhe drejtues të tjerë. Nuk po i përmend emrat e tyre, por ato po thonë vetëm “Po” ndaj gjithshkaje dhe vende të tilla nuk po ecin përpara, do të thoja. Apo të marrim rastin e Rusisë ku po punoj për gati 10 vite me shumë drejtues ekzekutivë. Dhashë një intervistë së fundmi në një TV show. Në fund të saj, më pyetën për stilin e drejtimit të Putin. Ju thashë “Ai po bën gjënë e duhur por…por…jo në mënyrën e duhur.” Më pas u pyeta: “Çfarë është kjo?” Ne kemi një shprehje “Një dorë e hekurt brenda një doreze kadifeje”. Kur ne menaxhojmë një jetë kolektive, nevojitet të paraqiten gjërat në një mënyrë të caktuar. Për shembull, Rusia ka nevojë për dikë që është me energji sa duhet për ta drejtuar vendin fort, por në një mënyrë diplomatike për tu siguruar se njerëzit të kuptojnë dhe të pranojnë. 

Udhëheqësit shqiptarë thonë se integrimi është qëllimi i tyre kryesor. Por me sa duket mënyrat e tyre për ta arritur këtë qëllim janë kaq të ndryshme. 

Le të kthehemi tek ajo që thashë për leadership dhe sistemin demokratik. Ne kemi nevojë për mënyra të ndryshme. Në një sistem demokratik, ne kemi nevojë për njerëz që mendojnë ndryshe. Jo për qëllimin, por për mënyrat e arritjes së qëllimit. Përfundimisht ka një mundësi të mirë që përgjigjja e duhur të gjendet jo në një përqasje të vetme, por në një grup përqasjesh të ndryshme. Pikërisht këtë bashkim të asaj çka është më e mira nga të gjitha këto përqasje duhet të bëhet nga njeriu që është në majë. Pak a shumë, Presidenti supozohet të jetë neutral. Me fjalë të tjera, ai duhet të jetë i aftë të marrë atë që është pozitive nga një përqasje; të bëjë të njëjtën gjë edhe me përqasjen tjetër dhe të krijojë një miksim të fuqishëm.

 – Ne fund të leksionit tuaj “A Taste of Leadership” (Shija e Lidershipit), ju iu drejtuat audiencës shqiptare me fjalët “Kemi më shumë se një ore që nuk po biem dakort me njëri-tjetrin”? 

– Po, kam arritur në një konkluzion të tillë. Nëse drejtoni një vend, pra nëse jeni në krye të vendit (e njëjta gjë nëse jeni në krye të një organizate), ka gjëra që ju duhet t’i konsultoni me njerëzit. Secili duhet të thotë “po” ose “jo”. Por ka gjëra që nuk diskutohen me njerëzit fare. Sepse nuk ka kohë për ta bërë një gjë të tillë, sepse mbase nuk kuptohen nga njerëzit, sepse mund të jetë shumë e dëmshme nëse një vendim i njëanshëm është marrë e të tjera si këto. Kështu unë mendoj se duhet të rishikohet dhe të riformulohet pak aplikimi i sistemit demokratik në një mënyrë të tillë që mendimi i njerëzve për disa fusha kyçe të merret dhe për disa të tjera jo por në këtë rast të ketë nje justifikim. Dhe vendimarrësit të vijnë në fund tek njerëzit dhe t’ju shpjegojnë se ne morëm këtë vendim për këto arsye. 

A duhet të krijojmë “kuti” të reja në ditët e sotme? 

Është plotësisht vendimtare. Le të marrim rastin e ndikimit të teknologjisë së informacionit në media, mënyrën se si botohen lajmet nëpër gazeta, mënyrën se si drejtohet një organizatë apo se si funksionon diplomacia. Siç shihet është e domosdoshme të krijosh “kuti të reja.”Ose vetë e krijoni tendencën (si FB apo Twitter) dhe njerëzit ju ndjekin ose ju shikoni të tjerët se si krijojnë trendin e tyre dhe ju i ndiqni ato. Mund të them një histori lidhur me këtë fakt. Në 1992, Drejtori Ekzekutiv i NOKIA-s shiti gjithshka që kishte në kompaninë e tij. Vendosi të investonte gjithshka në biznesin e telefonisë celulare. Në 1992, ne ende kishim nevojë për një “karro” për të na tërhequr celularët sepse ato ishin të rëndë. Por ai kishte një intuitë të fortë dhe i besoi asaj. Kjo është fantastike. Çfarë dhuntie! 

Nga pikëpamja e leadership, si e shikoni sot marëdhënien midis Europës dhe vendeve kandidate aspirante? 

Mendoj se ekziston një problem i madh komunikimi. Ka raste kur boshllëku i krijuar nga mungesa e mirëkuptimit duhet të plotësohet. Mund t’ju jap një rast. Nëse jeni në kabinën e pilotit të avionit dhe ju i thoni pasagjerëve: ju më mirë merruni vesh me njëri-tjetrin ose avioni do të bjerë. Ekziston një mënyrë sistematike për ta kontrolluar mirëkuptimin. E njëjta gjë në politikë. Nuk jam i sigurtë nëse Brukseli vërtet e kupton Shqipërinë. Por ama edhe Shqipëria nuk besoj se po bën një punë të mirë në aspektin e prezantimit të vetes së saj që të tjerët të kuptojnë gjithshka rreth këtiij vendi. Pra, ekziston një sfidë e madhe lidhur me faktin nëse ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Mund t’ju jap një rast. Unë jam belg. Por së shpejti do të bëhem zvicerian. Për të marrë nënshtetësinë zviceriane, mu desh të kaloja 3 teste emigracioni. I fundit në bashkinë e fshatit zvicerian ku jetoj prej 25 vitesh ishte vërtetë interesant. Pyetja ishte (dhe kjo duhet të mbahet mirë mend nga Shqipëria): “Ju do të bëheni së shpejti zvicerian. Çfarë do t’i jepni Zvicrës? Çfarë do të përfitojë ajo prej jush?” Dhe mu desh tu shpjegoja. Kur dola, kryebashkiaku u kthye nga unë dhe më tha: “Duhet ta meritosh të bëhesh zvicerian”./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button