EKSPLORUESI I SHPIRTIT NJERËZOR

Ai quhet Agron Saliu dhe është piktor, është artist me talent të veçantë dhe punëtor me parime e vullnet të pathyeshëm pune titanike që kërkon arti. Në sajë të veprës së tij, ai bën jetën e artistit të lirë dhe pushton metropolet e botës si mohikan, pa mekanizma e ndihma institucionale.

Mjeti nëpërmjet të cilit e shpërfaq botën e brendshme dhe atë të kohë-hapësirës së tij është portreti. “Portretin e trajtoj që nga fëmijëria dhe kurrë nuk e tradhëtova, sepse është pasuria ime më e shtrejntë”, thotë piktori.

Të portretuarit e tij janë njerëz të thjeshtë të të gjitha moshave, gjinive, profesioneve, shtresave, vendeve, ndjeshmërive… Ata janë familjarë, miq, personalitete të artit e të jetës shoqërore, fëmijë, gra, burra të njohur e të panjohur, të cilët Agroni i bën të flasin me imazhet sugjestive që burojnë nga fytyrat e tyre.

Njohja e teknikave të pikturimit dhe shkathtësia e të shprehurit ia mundësojnë eksplorimin e plotë të shpirtit univers të njeriut. Depërtimin në botën e brendshme të tij, shpërfaqjen e karakterit dhe psikologjisë së figurave, bartjen e emocionit te publiku… ai e bën nëpërmjet shkëlqimit të bebzës së fëmijëve shpirtvirgjër, levizjeve të qerpikut dhe shikimeve tunduese të një gruaje, buzëve të etura të vajzave të dashuruara, syve joshës e djallëzorë të tyre, balleve plot rrudha të pleqve dhe shprehjeve të pafund të fytyrës njerëzore.

Portretet e Agronit na ndihmojnë ta njohim më mirë epokën dhe qytetërimin tonë, sepse me koleksionin e tij ai e pasqyron njeriun në totalitet, e rrumbullakëson portretin e madh të zërit të një kohë-hapësire. Ndryshe prej portretistëve të së shkuarës që krijuan kulte personalitetesh diskutabile, Agroni i faktorizon njerëzit e thjeshtë, në një botë ku ata janë qenie pa peshë.

Agron Saliu ia del të bëjë vepra të bukura edhe me portretet ekspresive të njerëzve shpresëhumbur dhe me pamje të shëmtuar. Detajet e portreteve të tij  janë çelësa për zbërthimin e enigmave dhe ndjesive të shpirtit: urtësisë, mençurisë, dashurisë, melankolisë, pafajësisë, dhembjes, klithmës, zhgënjimit, zymtësisë, ankthit, frikës, pasigurisë, moskuptimit, përgjërimit, ironisë, urrejtjes, inatit, gënjeshtrës, tradhëtisë…

Thënë shkurt: shumësia e karaktereve që portreton Agroni përbëjnë informacionin estetik mbi vijat identitare të një qytetërimi.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button