OKB: Rusia e SHBA-ja të shpëtojnë bisedimet për Sirinë

I dërguari i OKB-së në Siri, Stafan de Mistura i bëri thirrje SHBA-së dhe Rusisë që të ndërhyjnë në nivelet më të larta për të shpëtuar dialogun e brishtë të paqes. Duke folur pas raundit të tretë të bisedimeve në Gjenevë, De Mistura tha se armëpushimi i arritur në muajin shkurt ishte në fije të perit dhe mund të dështonte në çdo moment, transmeton Top Channel.

Dhuna në Siri është intensifikuar gjatë ditëve të fundit, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit. Të paktën 20 civilë u vranë të mërkurën si pasojë e sulmeve ajrore që goditën një spital dhe një godinë të afërt rezidenciale në lindje të Alepos. Mes viktimave përfshiheshin fëmijë dhe pediatri i vetëm në zonat e rrethuara nga rebelët në qytet.

Intensifikimi i luftimeve në qytetin më të madh të Sirisë vjen mes raportimeve se trupat qeveritare të mbështetura nga forcat ajrore ruse po zhvillojnë atje një ofensivë madhore. Përshkallëzimi i situatës kërcënon të prishë bisedimet për paqen që rinisën muajin e kaluar. Delegacioni opozitar i mbështetur nga opozita, Komiteti i Larte i Negociatave, javën e kaluar pezulloi pjesëmarrjen e tij në shenjë proteste kundër shkeljeve të armëpushimit nga qeveria dhe gjithashtu reduktimit të ndihmave humanitare në zonat e rrethuara.

Sipas ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara, përgjatë 48 orëve të fundit, mesatarisht, një sirian është vrarë çdo 25 minuta dhe një është plagosur çdo 13 minuta. Që bisedimet e paqes të kenë sukses, sipas De Misturës, aktet armiqësore duhet të reduktohen në nivelet që ishin menjëherë pas marrëveshjes së muajit shkurt.

Duke i kërkuar SHBA-së dhe Rusisë të bashkëpunojnë, diplomati tha se trashëgimitë e presidentëve Barack Obama dhe Vladimir Putin lidheshin me suksesin e procesit të paqes në Siri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button