Nëna dhe pjatat e saj

“Hiri i të vdekurve e krijoi atdheun.”

Lamartini

Një nënë për çdo ditë e shtron tavolinën për gjashtë veta. Për burrin, katër djemtë dhe për vete.

Ajo i përgatit gjellët me kujdes e dashuri, sipas shijes së burrit dhe djemve të saj.

“Hani!” – u thotë pjatave. “Besoj se gjella është e shijshme”

I drejtohet njërës pjatë:  “Mos nuk është zier mirë?”

Pastaj pjatës në të djathtë: “Mos do ndonjë vezë të fërguar apo  ndonjë copë djathi?”

I flet pjatës në të majtë: “Haje të keqen nëna, shiko si je bërë, nuk shton as një kile në vit!”

E shikon pjatën përballë: “Mos do kripë ende, se po e përdor pak si shumë?”

Apo tjetrës: “Merr dhe pak kos se të bën mirë!”

Nëna bisedon me hijet e të dashurve të saj. Gjashtë pjatat mbeten të paprekura. Kur atë e kap uria, merr vetëm një kordhe bukë…

Burri dhe katër djemtë e saj janë zhdukur që nga 1999.

Ajo ka shpresë. Është nënë.

Televizori emeton lajme. Dikush mban fjalim: “Lindën për të mos vdekur kurrë”, “vdekje krenare”…  

Nëna nuk e pranon fjalën vdekje. I mungojnë edhe varret, ku do t’i qante të dashurit e saj. Ajo e di egërsinë e lirisë. E ka paguar shtrenjtë. Më shtrenjtë se sa me jetën e saj. Bota e saj është prej kujtimeve. Shumëkush mund të harrojë, por jo dhe ajo…

Duhet ngritur së paku një mur vajtimi. Në mos një herë në ditë, në javë apo në muaj, së paku në një ditë të motit, të ketë një vend ku të qahen njerëzit pa varr. Ka plot që s’i kanë harruar ata që dhanë të gjithë ditët e mbetura të jetës së tyre.

Ishin prej të gjitha moshave, po më të bukur në jetën e vdekjen e tyre ishin fëmijët, këto copëza parajse…

Të bukur qenë në jetën dhe vdekjen e tyre edhe ata e ato që nuk arritën ta përjetonin as puthjen e parë…

I humbur është ai që e harron tmerrin e përjetuar.

Nëna nuk mund të harrojë, sepse nuk mundet.

Ata që munden nuk duhet të harrojnë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button