‘Fantastik’ me Sabri Fejzullahun

Karshi suksesit që po shijon me këngën e fundit “Goditje në zemër”, Sabri Fejzullahu ka bërë të ditur për Tribuna se së shpejti do të vijë edhe me dy këngë tjera, njëra nga të cilat do të jetë në bashkëpunim me Shyhrete Behlulin…

Puna e palodhshme dhe këngët e shumta që i ka dhuruar publikut, e kanë bërë që të radhitet ndër emrat më të spikatur të skenës sonë. E ndonëse po jeton më shumë se dyzet vjet me skenën, këngëtari i mirënjohur Sabri Fejzullahu nuk ndalet së krijuari. Megjithëse nuk ka shumë kohë që ka lansuar në treg këngën më të re “Goditje në zemër”, këngëtari ka bërë të ditur për Tribuna se është në prag të publikimit të këngës së re.

“E kam përfunduar edhe një këngë të re. Gjithçka është gati, kënga, videoklipi çdo gjë rreth saj. Quhet ‘Fantastik’ dhe është një këngë ritmike. Tekstin e këngës e ka bërë Fatmir Muja dhe ka dalë me të vërtet një këngë e bukur. Shpresoj të pritet mirë edhe nga publiku”, ka thënë për fillim këngëtari.

Këngët janë të kushtueshme

Por kjo nuk është e gjitha. Këngëtari i është përveshur punës që publikun e tij ta befasojë sërish. Përveç këngës ‘Fantastik’ e cila pritet të dal në treg sot (e premte), ai po përgatit edhe një këngë tjetër, të cilën do ta sjell në duet. “Jam në përfundim edhe të një kënge. Kjo këngë do të jetë në duet me këngëtaren Shyhrete Behluli. Edhe kjo këngë do të jetë e plotësuar me videoklip. Mirëpo nuk po zbuloj më shumë. Le të mbetet befasi për publikun”.

Këngëtari ka treguar edhe për koston që duhet të paguaj, për të qenë kaq i shpeshtë në treg, përmes krijimeve të reja, ndërsa ka falënderuar njeriun që çdoherë e mbështet. “Nuk është e lehtë të vish në treg gjithmonë me risi. Ato janë të kushtueshme. Por unë kam fatin që e kam mbështetjen e plotë të producentit tim. Pa të cilin nuk do të kisha jetë. Ai është Rasim Thaçi nga Produksioni muzikorë ‘Emra Com’. Tash e sa vjet ai përkujdeset për çdo gjë rreth projekteve të mia. Janë me të vërtetë mbështetja ime më e madhe në muzikë. Dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj për çdo gjë që kanë bërë për mua”.

E meqenëse nuk ka as një muaj të plotë që këngëtari ka ardhur në publik me projektin e ri dhe ende po shijon suksesin e kësaj këngë, ai vetë është shprehur i kënaqur me këngën, duke shtuar për fund që bashkëpunëtorët e tij kanë bërë një punë të mirë. “ Jam shumë i kënaqur nga realizimi i këngës së fundit. Është e punuar nga Virusi e Fatmir Muja, një këngë vërtet e bukur. Jam shumë i kënaqur me punën e bashkëpunëtorëve të mijë. Dhe e mira është që edhe nga publiku kënga po pritet shumë mirë”, ka thënë Fejzullahu për fund./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button