Rasti “TNT”, ja si u shemb kompleksi banesor “Kosmos” (VIDEO)

Prokuroria Publike Speciale (PSP), sot e ka hapur lëndën “TNT”, e cila ka të bëjë me shembjen e objektit “Kosmos” në pronësi të Fijat Canoskit. Ashtu siç ka deklaruar prokurorja Fatime Fetai, shembja është bërë pa dyshim sipas urdhrit të ish kryeministri Nikolla Gruevksi dhe ish ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski bashkë me kryetarin aktual të Komunës së Gazibabës, Toni Trajkovski dhe inspektoren për urbanizëm në këtë Komunë, njofton Portalb.

Për shkak të abolimit nga presidenti Gjorge Ivanov, kundër Gruevski, Janakievskit  dhe Trajkovskit nuk është ngritur procedurë. E dyshuara e parë është inspektorja për ndërtimtare e Komunës së Gazibabës, bashkë me tre persona tjerë.

Fetai tha se politikanët e aboluar në mënyrë të ashpër, për shkaqe hakmarrjeje sepse ka pasur pikëpamje tjera politike, Fijat Canovskit i kanë shkaktuar dëm, gjegjësisht e kanë shembur kompleksin banesor nën pronësi të tij.

“Bëhet fjalë për krim të organizuar mes pushtetit lokal dhe qendror. Ish kryeministri dhe kryetari aktual i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, të cilët më 12 prill u aboluan nga presidenti i shtetit, me qëllim të përbashkët – t’i hakmerren Fijat Canoskit për shkak të vendimit që partia e tij ta lëshojë koalicionin me partinë në pushtet dhe t’i bashkëngjitet LSDM-së. Ata i kanë thënë kryetarit të Komunës së Gazibabës, gjithashtu i aboluar, që ta keqpërdor detyrën zyrtare dhe të gjejë mënyrë për ta shembur “Kosmos”. Kryetari i Gazi Babës ka pranuar dhe ka thënë nga kryesia e partisë i është sugjeruar që të gjejë mënyrë për ta shembur objektin”, tha Fetai.

Ajo theksoi se, sipas dëshmive materiale, Prokuroria ka konstatuar se inspektorja ka bërë proces verbal në të cilën qëndron se objekti i Canoskit është për 1 metër e 40 cm më i lartë se sa e lejuara, edhe pse ka pasur kushte që të matet lartësia e gjatësisë së objektit.

Fetai tha se këtë të fundit e ka konfirmuar edhe ekspertiza e Fakultetit të Arkitekturës, megjithatë inspektorja ka përgatitur vendim për shembjen e objektit, transmeton Portalb.

Edhe pse, ashtu siç tha Fetai, shembjen e “Kosmosit”, është dashur ta bëj ndërmarrja “Transmet”, e cila ka pasur të lidhur marrëveshje me Komunën e Gazibabës, me urdhër të Janakieskit në mënyrë të paligjshme është bërë procedurë për prokurim publik, dhe është zgjedhur ndërmarrja “ZM Izvedba”, e cila nuk i ka plotësuar kushtet, gjegjësisht nuk ka qenë e regjistruar për shembjen e ndërtimeve dhe nuk ka pasur licencë për shfrytëzimin e eksplozivit.

Dëmi që i është shkaktuar Canoski, ashtu siç shpjegoi Fetai, arrin vlerën rreth 15 milionë euro.

Në fillim të konferencës për shtyp, Fetai ka dërguar porosi deri te të gjithë se “askush nuk do të shpëtojë nga drejtësia”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button