АNALIZË: Еkonomia (jo)imune ndaj krizës politike që na pret?

Matjet e institucioneve vendore dhe prognozat e organizatave ndërkombëtare financiare tregojnë optimizëm – ekonomia e Maqedonisë realizon përqindje pozitive të rritjes ekonomike edhe përkundër paqartësisë politike. Në Raportin e fundit të pranverës të FMN-së prognozohet se edhe këtë vit rritja e PBB-së do të jetë 3,6%. Projektim të ngjashëm të rritjes ekonomike prej 3,7% bëri edhe Banka Botërore, shkruan analiza ekonomike javor e Portalb.mk. Publiku vendor ekonomik thotë se në këto numra, megjithatë, do të ndikojë paqartësia politike, si dhe se ajo do të pasqyrohet edhe mbi ekonominë në përgjithësi dhe këtë do ta ndjejnë edhe qytetarët edhe firmat.

Kriza dhe ekonomia –  pasoja megjithatë do të ketë

Përmbajtja nga investimet e investitorëve të vendit dhe të huaj është njëri nga simptomet se, megjithatë, ekonomia nuk është imune ndaj krizës politike. Numrat dhe prognozat për rritje ekonomike janë optimiste, mirëpo nuk guxon të anashkalohet rreziku që e bart paqartësia, dhe këtë e ndjejnë të gjithë, edhe qytetarët edhe firmat, vlerësojnë ekonomistët.

“Pasojat e krizës aktuale politke tashmë jemi duke i ndjerë. Investimet e huaja janë në nivel shumë të ulët, ngarkesa me borxh vazhdimisht rritet. Kriza politike pa dyshim do të çojë në rritjen e përqindjeve të kamatave, pastaj negativisht do të reflektohet në investimet vendore, e deri te zvogëlimi relativ i kërkesës vendore, dhe e gjithë kjo do të shkaktojë rritje të saldos negative në llogarinë rrjedhëse, e me këtë edhe të saldos së bilancit për pagesë, gjendje kjo e cila shumë lehtë mund të na çojë në situatë të pamundësisë për t’i paguar borxhet”, thotë për Portalb.mk profesori universitar, Sami Bislimi.

Në raportin e fundit të pranverës, FMN-ja publikoi rritje të ekonomisë prej 3,6%, mirëpo në të njëjtën kohë e potencoi përqindjen akoma të lartë të papunësisë dhe paqartësinë nga kriza politike.

“Rritje më të shpejtë në vitin 2015 nga vendet e rajonit shënon Maqedonia me 3,7 për qind, e pas saj vjen Kosova me 3,6 për qind. Vazhdimi i pasigurisë politike do të mund të ndikonte mbi vendimet për investim dhe zvogëlim të rritjes ekonomike” – thuhet në raportin e FMN-së.

Sipas ekonomistëve, është me rëndësi të analizohet asepkti prodhues dhe shpenzues i PBB-së, që të mund të jepet përgjigje në pyetjen se në çka mbështetet rritja.

“Struktura e PBB-së ndryshon ngadalë në qoftë se i marrim parasysh pritjet për investime të huaja të drejtpërdrejta, të cilat nuk janë realizuar deri në fund dhe këtu duhet të punohet në afat më të gjatë, si në mënyrën e tërheqjes së tyre, ashtu edhe në krijimin e ambientit për lidhjen e IHD-ve me ekonominë prodhuese vendore, si dhe qëndrim afatgjatë të investuesve të huaj, të cilët nuk do të tërhiqen vetëm për shkak të shpenzimeve të ulëta dhe subvencioneve. Nga aspekti i shpenzimeve, e qartë është lidhja e resurseve publike (parave buxhetore) në shpenzime joprioritare dhe shpenzime rrjedhëse, të cilat vetëm statistikisht e rrisin rritjen ekonomike, e cila nuk sjell zhvillim dhe mirëqenie dhe në mënyrë plotësuese e rrit pabarazinë”, thotë për Portalb.mk ekonomisti Marjan Nikollov nga QAE.

Afaristët vendorë, përkundër projektimeve të këtilla për rritje ekonomike, thonë se në periudhën që vjen presin pasoja më të mëdha negative nga kriza politike. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore vlerësojnë se gjendjet e përgjithshme dhe paqartësia tashmë seriozisht e rrezikojnë biznesin, ndërsa vendimi i kryetarit Gjorge Ivanov për abolicion kontribuon për thellimin e pasigurisë juridike.

“Reagojmë ndaj vendimeve të fundit të pamenduara politike që e rrezikojnë sundimin e të drejtës, e pa këtë nuk mund të paramendohet biznesi. Ne flasim për efektet e drejtpërdrejta që dalin nga ky kaos dhe në afat të mesëm do të kemi ngecje ekonomike, dhe nëse nuk merren masa urgjente dhe efikase, do të kemi regres të ekonomisë”, vlerësoi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha.

Qëndrim të ngjashëm kanë edhe ekonomistët, të cilët thonë se pasojat nga kriza politike janë të pashmangshme.

“Asnjë ekonomi nuk është imune ndaj paqartësisë politike. Gjatë analizës së rritjes ekonomike patjetër duhet të dihet struktura e rritjes. Sipas metodologjisë ekzistuese, rritja ekonomike sigurohet, para së gjithash, në qoftë se investohet në veprimtari joekonomike, të cilat zakonisht janë sektorë konsumues, mirëpo të cilat ofrojnë disa shërbime. Këto sektorë tregojnë dinamikë më të lartë të rritjes ekonomike se sa përqindja e rritjes së sektorit real, dhe si pasojë e përfshirjes së tyre në formimin e PBB-së, ajo është në rritje të vazhdueshme. Jemi dëshmitarë se investimet në sektorin e ndërtimit janë në rritje, që jep efekte pozitive (të njëhershme) në rritjen e vlerës së shtuar në të gjitha degët që ndërlidhen me sektorin e ndërtimit. Këtu është edhe kontributi nga rritja e pjesëmarrjes së vlerës së shtuar nga të ashtuquajturat Zona të lira ekonomike. Në qoftë se shihet struktura e vlerës së shtuar, bëhet e qartë se ka disparitet, gjegjësisht mospërputhje ndërmjet asaj që prodhohet dhe strukturës së kërkesës agregate. Për këto arsye, edhe pse themi se shënojmë rritje ekonomike, standardi jetësor mbetet i njëjtë ose zvogëlohet, rritet përqindja e varfërisë, e njëkohësisht rritet deficiti në bilancin tregtar dhe ngarkesa me borxh, e do të duhej të ishte e kundërta”, thotë për Portalb.mk profesori Bislimi.

Në njërin nga raportet e fundit, Banka Botërore theksoi se Maqedonisë do t’i duhen 30 vjet dhe përqindje e rritjes ekonomike prej 4,5% që ta arrijë mesataren evropiane.

“Me rritje prej 4,5%, Maqedonisë do t’i duhen 30 vjet që ta arrijë nivelin e Bashkimit Evropian, nën supozimin se rritja e BE-së do të ishte 0,5% në nivelin vjetor”, deklaroi Bojan Shimbov, ekonomist në Bankën Botërore.

Sipas statistikës evropiane, qytetarët e Maqedonisë janë në grupin e më të varfërve, me standard që është vetëm 36% në raport me mesataren evropiane. / Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button