Përkujtohet 23-vjetori i masakrës në Ahmiçi të Bosnjës

Me anë të një ceremonie u përkujtuan 116 civilët boshnjakë të masakruar më 16 prill 1993 nga njësitë kroate në fshatin Ahmiçi që ndodhet në afërsi të qytetit Vitez, me rastin e 23-vjetorit të kësaj masakre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë që u organizua në varrezat e fshatit Ahmiçi, në praninë e të afërmve të viktimave, u lexua Kur’an-i Kerim dhe u bënë dua. Më pas u vizituan varret e dëshmorëve, ku u vendosën dhe lule.

Habiba Ramic, bashkëshorti dhe kushërinjtë e së cilës ishin në mesin e të vrarëve, në deklaratën për gazetarin e AA-së, duke treguar se vazhdon ta jetojë jetën vetëm me dy fëmijët e saj, tha: “Fëmijët e mi u rritën, por bashkëshorti im nuk i pa përderisa rriteshin. Deshën të na vrasin vetëm pse kemi emra ndryshe.”

Amina Ahmiç, e cila ende ndodhej në barkun e nënës gjatë këtyre ngjarjeve, u shpreh: “Nuk e di se çfarë kuptimi ka fjala ‘baba’. Më përvëlohet zemra kur sa herë që vij këtu çdo vit i shoh gratë, ku bën pjesë edhe nëna ime, të cilat kanë humbur shtyllat e vetme të jetës, pra burrat e tyre.”

– “I biri im as milingonat nuk i dëmtonte”-

Ndërkaq, Azemina Pecer, tregon se si iu vranë i shoqi, Sakibi, dhe i biri, Mevludini, kur më datë 16 prill së bashku kishin dalë të kuptonin se çfarë po ndodhte dhe se si kishte arritur të ngelë e gjallë së bashku me tre fëmijët e tjerë.

Pecer, e cila thotë se i kujtohet si sot momenti kur iu vranë i shoqi dhe i biri, më tej shton: “I biri im as milingonat nuk i dëmtonte. Në orën 05:00 të mëngjesit dëgjuam diçka. I shoqi dhe i biri 18-vjeçar dolën për të kuptuar së ç‘po ndodhte. U qëlluan menjëherë afër ahurit në kopshtin e shtëpisë sonë”.

Pecer më tej shton se në jetë ngelën falë fatit dhe se për të gjithë ata që u kthyen në Ahmiçi gjithçka ngjall ndjenja të hidhura.

Krahas që tha se çdo 16 prill ngjallen kujtimet e hidhura dhe lotët, ajo gjithashtu u shpreh se: “Do të kisha dashur të mos më kujtohet kurrë. Kam tre fëmijë dhe ndjehem e obliguar të jetoj për ta. Kurrë nuk do të jetë e lehtë”.

Në kuadër të ceremonisë përkujtimore, kori “Ibrahim Pasha”, që përbëhet nga nxënës të Medresesë së Travnikut dhe Lisesë Visoko, do të performojnë në koncertin me titull “Lotët e Ahmiçit”.

Njësitë speciale të Këshillit Kroat të Mbrojtjes, më 16 prill të vitit 1993, bastisën fshatin Ahmiçi në afërsi të Vitezit dhe masakruan 116 civilë, prej të cilëve 43 ishin gra dhe fëmijë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button