Bilalli: Janë së paku tre arsye pse duhet të protestojnë shqiptarët

Profesori universitar, Mersel Bilalli në një deklaratë për Portalb thotë se shqiptarët nuk duhet të jenë indiferent me atë çfarë ndodh në Maqedoni, duke menduar në protestat dhe skenën politike në përgjithësi.

“Është gabim qëndrimi se shqiptarët nuk duhet të protestojnë, së paku si individ dhe shoqata, pasi një apel publik i partive politike opozitare shqiptare mund më shumë ta ushqen Gruevskin, instalimet e të cilit atë do ta eksploatonin. “Ja shërbimet e huaja bashkë me tradhtarët vendas dhe shqiptarët duan ta shkatërrojnë Maqedoninë”. Kjo është retorikë  konstante e të gjithë totalitaristëve. “ thotë profesori.

Sipas tij, shqiptarët si individ  dhe shoqata duhet të jenë në protesta për së paku tre arsye:

“E para, sherrin më të madh nga ky pushtet ne e përjetojmë. Ekzodus masiv, zbrazje të shkollave, varfërim i programuar, shkelje të dinjitetit, burgosje, tallje e ofendime dhe diskriminim në çdo segment. Nga 23 investime nga jashtë që janë lobuar nga pushteti, ku janë punësuar rreth 25 mijë veta, janë realizuar vetëm në Maqedoninë lindore, kurse ZERO në atë veri-perëndimore. Madje edhe ata që kanë dashtë të investojnë këtu janë penguar.

E dyta, lufta për liri, demokraci, dinjitet dhe jetë dinjitoze, është obligim i të gjithëve, pra edhe i shqiptarëve. Këtu tregohet fotografia jonë pata botës.

E treta, por jo më pak e rëndësishme, në situatën e dhënë ushtrohet një betejë serioze në rajon në mes opsionit pro-putinist dhe pro-amerikan. Nuk guxojmë të qëndrojmë anësh. Borxh të përjetshëm ua kemi Amerikanëve. Andaj Zulfi Adili – Qufa meriton lëvdatë, njësoj si atëherë kur pengoj që luanin të futet në shtëpitë tona.” shprehet Bilalli.

Në protestat e fundit rrugëve të Shkupit, është vërejtur vetëm një subjekt politik shqiptar. Partia UNITETI jo vetëm deklarativisht, por edhe fizikisht ka mbështetur këtë protestë, shkruan Portalb.

“Ne kemi mbështetur protestën kundër vendimit të presidentit për faljen e politikanëve të inkriminuar, personave që kanë dalur mbi ligjin dhe institucioneve. Edhe ky vendim është si rezultat i kësaj”, sqaron për Portalb deputet dhe Zylfi Adili, deputet nga Uniteti.

Sipas tij, sa më shumë qytetarë që do të dalin në protesta do të jetë më mirë.

“Mbështetja e protestave do të jetë punë e mirë, është kjo mbështetje edhe për Prokurorinë Speciale Publike. Unë dhe sekretari i përgjithshëm i partisë, Muhamed Ismaili, kemi dalur në protesta si qytetar. Kjo është protestë ku dënohet vendimi i presidentit të shtetit, shumë thjesht”, tha për Portalb Adili.

Mosdaljen e partive shqiptare në protesta aktivisti civil Petrit Saraçini e cilëson si diletantizëm politik.

“Kur është anuluar sundimi i ligjit, partitë shqiptare të opozitës të sillen sikurse asgjë nuk po ndodhë. Tregimi se ajo që po ndodh në shtet nuk i prek shqiptarët është jo i vërtetë, dhe larg realitetit. Partitë shqiptare në opozitë nëse i kërkon në rrugë të thërrasin anëtarësinë e tyre dhe të marrin përgjegjësinë për të reinstaluar demokracinë në Maqedoni. Në qoftë se nuk e bëjnë atë, atëherë me çfarë fytyre do të kërkojnë votën, nëse nuk i mbrojnë të drejtat e tyre në rrugë”, deklaroi për Portalb Saraçini.

Dy ditë radhazi rrugëve të Shkupit kanë shpërthyer protesta pas vendimit të Gjorge Ivanovit për të falur persona të inkriminuar, në mesin e tyre shumica politikanë. Të njëjtat kanë eskaluar, protestuesit kanë thyer xhamat e Ministrisë së Drejtësisë dhe është demoluar zyra e kryetarit të shtetit./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button