22 të dyshuar në rastin e PSP-së “Transportues”, për 11 kërkohet paraburgim

“Misioni i PSP-së është që nëpërmjet ligjeve të mbrohen qytetarët e Maqedonisë. Jam e bindur se drejtësia do të fitojë. Ishim shumë efikas në punën tonë ky është perceptim i publikut. Ne do të vazhdojmë të punojmë sipas ligjit. Sot jemi këtu për ta paralajmëruar rastin e ri  të PSP-së “Transportues”, tha prokurorja speciale, Katica Janeva, raporton Portalb.

Prokurorja Fetai ka njoftuar se në këtë rast janë të dyshuar 22 persona, ndërkaq për 11 persona PSP do të propozojë masë paraburgimi.

Prokurorja Fetai tregoi detajisht se si është kryer akti i krimit si dhe sa para e kanë dëmtuar buxhetin komunal dhe shtetëror drejtorët e shkollave fillore dhe mesme, pronarët e kompanive të transportit të udhëhequr nga kryetari i Komunës së Manastirit.

“Gjatë vitit 2012-2014,  kryetari i Komunës së Manastirit ka zgjedhur mjete për transport të nxënësve gjë që ka kushtuar 205 herë më shumë se një pagë mesatare në Maqedoni”, tha Fetai.

Fetai, tha se bëhet fjalë për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga kryetari i Komunës së Manastirit, me dije të ministrit të Financave, Zoran Stavreski. Ata kanë bërë disa marrëveshje për transportimin e nxënësve në mënyrë të paligjshme që njëkohësisht shtetit i kanë bërë dëm rreth 360.000 euro.

“Kryetari i komunës së Manastirit dhe kryetari i Komisionit, në marrëveshje me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme dhe me transportuesit me dijeni të ministrit të Financave, shtetit i kanë shakaktuar dëm të përgjithshëm prej 22.024.891 denarë ose rreth 360 mijë euro për vetëm dy vite shkollore”, tha Fetai.

“Kryetari i Komunës së Manastirit, Vladimir Taleski nuk mundet të arrestohet pasi që presidenti Ivanov e fali, por atij mund t’i merret prona dhe patundshmëritë”, shpjegoi Fetai.

Fetai ashtu siç ka njoftuar gjatë hapjes së rastit “Tortura” se do të flet në të gjitha gjuhët e mundshme, sot pasi opinionin e përshëndeti në gjuhën shqipe ajo ka folur edhe në gjuhën turke.

Në konferencën e sotme  për shtyp të Prokurorisë Speciale është vërejtur prania e ambasadorëve të Britanisë së madhe, Gjermanisë, Mbretërisë së Holandës, Italisë, Suedisë, Çekisë, përfaqësues nga ambasada e Francës etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button