Tiranë, ndryshon kontrata e blerjes së helikopterëve

Qeveria shqiptare do të anulojë kontratën me kompaninë franceze për blerjen e helikopterit Cougar Vip, për ta zëvendësuar me dy helikopterë të tjerë më të vegjël, të një profili tjetër. E pyetur nga deputetët e Komisionit të Sigurisë se, çfarë do të bëhet me kontratën e lidhur me kompaninë franceze, ministrja Kodheli sqaroi se, shpenzimet për investime do të harxhohen në shumicë të tyre për helikopterët Cougar, pasi është edhe një detyrim për palën shqiptare për ta përmbushur deri në vitin 2018.

“Për sa i përket shpenzimeve kapitale të brendshme, që do të jenë rreth 3 miliardë lekë. Me këto do të financohet vlera e mbetur e helikopterëve të transportit shumërolësh “COUGAR”. Jeni në dijeni nëpërmjet medieve që mbërriti helikopteri i tretë.

Ju e dini që ka pasur një problem me këtë kontratë për shkak të një fatkeqësie që ka ndodhur me rënien e një helikopteri VIP, kështu që do të mbetemi të hapur për të rinegociuar për kontratën e cila padyshim do të kalojë edhe në këtë komision edhe në Parlament për kërkesën që duhet bërë për mundësimin e këtij helikopteri. Ka shumë mundësi që kjo do të bëhet me zëvendësimin me dy helikopterë jo VIP, por atyre që do t’i shërbejnë ushtrisë shqiptare dhe sigurisë së vendit”, deklaroi Kodheli, transmeton Shekulli.

Sipas saj, ka ende një vlerë të konsiderueshme për t’u mbyllur kjo kontratë, e cila daton herët dhe përfaqëson në tërësinë e saj 80 milionë euro. Shpenzimet kapitale do të përbëhen edhe nga pagesa e TVSH-së, taksa doganore për blerjen e helikopterëve. “Ne jemi përpara këtij fakti dhe besoj që me maksimumin e forcave tona do të mbërrijmë që edhe t’i përgjigjemi kontratës tashmë të miratuar në Parlament, po që besoj se do të rinegociohet për një arsye që e përmenda më sipër që, lidhet me ish-helikopterin VIP”, tha Kodheli.

Skandali me helipterin mjekësor

Një paketë me vlerë mbi 758 mijë euro mungon në helikopterin “Cougar” që Shqipëria bleu me bujë nga kompania franceze “Eurocopter”. Në mënyrë të çuditshme paratë janë paguar edhe për këtë pjesë, pa të cilën, specialistët thonë se helikopteri nuk është funksional. Skandali ka “ngrënë” disa koka oficerësh në bazën e helikopterëve në Farkë dhe, sipas një denoncimi dërguar nga major Agim Manaj për ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, arsyeja për largimet nga detyra ishte mospranimi i tyre për të firmosur si të përmbushur kontratën, të cilës i mungonte paketa 758 mijë euro. Mungesa e paketës ishte arsyeja pse pranimi i helikopterit u vonua më shumë se 2 muaj (nga prilli në korrik 2013), kur qeveria e djathtë ishte drejt largimit.

Të paktën dy oficerë të lartë që refuzuan të firmosin pranimin e helikopterit u larguan nga detyrat që mbanin dhe u zëvendësuan me personat, që sipas burimit, morën në dorëzim paketën mjekësore “Kit for Medevak” e cila nuk ekziston.

Në letrën dërguar ministres Kodhelli, Agim Manaj flet për dëme deri në 1.7 milionë euro që i janë shkaktuar Shqipërisë në ekzekutimin e kontratës për helikopterët nga ish-drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes. Helikopteri “Cougar AS 532 Medevak” mbërriti në Tiranë pasditen e 25 prillit, ku u prit në një ceremoni zyrtare nga krerët më të lartë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së kohës. Por ndryshe nga sa u tha publikisht, helikopteri me vlerë 14 milionë e 479 mijë e 897 euro nuk mund ta përmbushë misionin e tij në rast se nuk ka në bord pajisjen “Kit for Medevak” (komplet mjekësor).

Lajme të ngjashme

Back to top button