Komisioni për anti-korrupsion më shumë fsheh se sa zbulon gjendjen pronësore të funksionarëve!

Publiku duhet të ketë qasje në gjendjen pronësore të funksionarëve!

Me veprimin, gjegjësisht me iniciativën e Komisionit për parandalimin e korrupsionit, vitin e kaluar është zgjidhur vetëm një lëndë nga korrupsioni në politikë. Raporti më i ri i Komisionit shtetëror tregon se në vitin 2015 janë zgjidhur gjithsej 137 lëndë. Vitin e kaluar në adresë të komisionit kanë arritur 552 fleta anketuese pas zgjedhjeve dhe emërimeve në funksione, ndërsa në periudhën e njëjtë janë pranuar 404 fletëparaqitje për ndryshim të gjendjes pronësore.
Ligji parasheh obligimin për dorëzimin e fletës anketuese, mirëpo ku është esenca nëse ai nuk është në dispozicion të publikut pas largimit të funksionarëve nga pozita, pyesin ekspertët pasi Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit mundësoi qasje e pastaj e tërhoqi fletën anketuese të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Komisioni për antikorrupsion – sinonim për (jo)transparencë?

Afatet rrjedhin, ministrat e sapozgjedhur kanë 30 ditë që t’i dorëzojnë fletat anketuese për gjendjen pronësore. Deri tani, në dispozicion janë vetëm fletat anketuese të Bashkim Ametit, ministrit për mjedis jetësor, i cili e ka dorëzuar fletën anketuese nga pozita e drejtorit të Agjencisë për menaxhim me pronën e konfiskuar dhe fleta anketuese e Arlind Zeqirit, ministër pa resor, i obliguar për investimet e huaja, i cili e ka dorëzuar fletën anketuese nga pozita e këshilltarit të komunën e Tearcës. Në pritje të fletave anketuese të funksionarëve të ri të zgjedhur dhe të emëruar, për publikun mbeten të “paqasshme” fletat anketuese të funksionarëve të mëparshëm të VMRO-DPMNE-së, të cilat janë dorëzuar në KSHPK, janë publikuar dhe më pas janë tërhequr nga qasja publike.

“Ne tani jemë në situatë të çuditshme me institucionin që duhet të jetë sinonim për transparencë. Duhet ta mbyllim këtë çështje njëherë e përgjithmonë. Kjo do të thotë se të dhënat nga fletat anketuese, sipas ligjit, janë publike dhe kjo është esenca, gjegjësisht nuk guxon të shkilet parimi se fleta anketuese është publike. Ne kemi situatë kur me këmbëgulje shkatërrohet thelbi i institucionit, qëllimi i ekzistimit të tij”, thotë për Portalb.mk një nga ish-kryetarët e komisionit shtetëror, Dragan Malinovski.

Përderisa ekspertët për antikorrupsion bëjnë thirrje për transparencë të institucionit, i cili duhet, siç thonë ata, të jetë shembull për transparencë, njeriu i parë i komisionit, që konferencën e fundit për shtyp e mbajti para një viti, i pyeti gazetarët se pse u intereson gjendja pronësore e tashmë ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Pikërisht vendimi, gjegjësisht interpretimi i KSHPK-së se ligjërisht nuk e ka për obligim që t’i vë në dispozicion fletat anketuese të ish-funksionarëve, shkaktoi edhe reagime partiake.

“Kryetari i Komisionit për antikorrupsion me vetë pyetjen deri te gazetarët, për atë se “pse u intereson gjendja pronësore e Gruevskit?“, u bë bashkëautor në partizimin edhe të këtij institucioni, duke e shkelur drejtpërdrejt nenin 33 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit, ku qartë thuhet se bartësit e funksioneve publike kanë obligim që në afat prej 30 ditësh nga marrja e detyrës të plotësojnë fletë anketuese për gjendjen pronësore. E njëjta vlen edhe gjatë largimit ose marrjes së funksionit të ri. Aq më tepër që fletat anketuese nga fillimi dhe fundi i funksionit të Gruevskit si kryeministër nuk janë në dispozicion në faqen e Komisionit për antiorrupsion dhe nuk mund të bëhet krahasimi gjendjes”, vlerësuan nga PLD-ja dhe porositën se në këtë mënyrë komisioni që duhet ta luftojë korrupsionin, e mashtron publikun, njofton Portalb.mk

Еkspertët thonë se vënia në dispozicion e fletës anketuese së funksionarëve të mëparshëm është e domosdoshme për shkak se vetëm ashtu publiku mund të bëjë krahasim se a ka ndryshuar gjendja pronësore dhe për sa ka ndryshuar ajo, para dhe pas marrjes së funksionit.

“Kur një funksionar largohet nga funksioni, si do të realizohet roli i fletës anketuese, gjegjësisht si do të fitohet qasje në ndryshimet eventuale në gjendjen pronësore pas marrjes dhe pas përfundimit të funksionit, nëse nuk publikohet ajo fletë anketuese. Domethënë, duhet të ketë informata për gjendjen pronësore para marrjes së funksionit dhe pas lëshimit të tij. Nëse pamundësohet kjo, atëherë prishet esenca e fletës anketuese e me këtë edhe roli i vetë komisionit për antikorrupsion. Do të pyesja sipas cilit ligj dhe ku shkruan se fleta anketuese, që është dorëzuar pas largimit nga funksioni, duhet të mos vihet në dispozicion të pblikut dhe si atëherë të fitohen të dhëna për ndryshimet eventuale në gjendjen pronësore të funksionarit”, thotë për Portalb.mk Malinovski dhe shton:

“Në Evropë, funksionarët thjesht “dridhen” nga organet e këtilla rregullatore. Komisionet për antikorrupsion në parim punojnë në mënyrë më transparente, madje edhe sa i përket asaj që është paraparë me ligje, ndërsa te ne është e kundërta, ajo që është përcaktuar me ligj – ngulfatet.”

Raporti i KSHPK-së për vitin 2015 …

“Në periudhën janar – dhjetor 2015 janë formuar gjithsej 124 lëndë pas denoncimeve për ekzistim të elementeve për korrupsion nga qytetarë, persona juridikë dhe lëndë që janë formuar me iniciativë të vetë KSHPK-së. Në periudhën e lartëpërmendur, KSHPK-ja ka shqyrtuar gjithsej 273 lëndë, dhe 137 prej tyre janë zgjidhur”, thuhet në Raportin vjetor të Komisionit për parandalimin e korrupsionit.

Ja cilat fusha dhe cilat raste janë zgjidhur:

– Parandalimi i korrupsionit në ushtrimin e autorizimeve publike  41

– Parandalimi i korrupsionit në kryerjen e punëve me interes publik  41

– Gjyqësi 23

– Parandalimi i korrupsionit në politikë 1

– Lëndë të tjera 31

Për dy lëndë, komisioni ka vendosur që te Prokuroria publike të ngrejë Iniciativë për fillimin e procedurës për ndjekje penale të personale të zgjedhur ose të emëruar, personave zyrtare ose personave përgjegjës në ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe personat e tjerë juridikë që disponojnë me kapital shtetëror.

Sa i përket obligimit për dorëzimin e fletës anketuese, në raport theksohet se kundër shtatë personave të zgjedhur dhe të emëruar, deri te gjykata kompetente është parashtruar kërkesë për ngritjen e procedurave kundërvajtëse për shkak të mosdorëzimit të fletës anketuese, gjegjësisht mosparaqitjes së ndryshimeve të gjendjes pronësore. Në këtë periudhë, për këto dhe për kërkesat e  parashtruara më parë, gjykatat kanë sjellë 19 vendime, njofton Portalb.mk

Vitin e kaluar në adresë të komisionit kanë arritur 552 fleta anketuese pas zgjedhjes dhe emërimit në funksione, ndërsa në periudhën e njëjtë janë pranuar 404 fletëparaqitje për ndryshim të gjendjes pronësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button