‘I del gjumi’ Tahirit: Serbia nuk e meritoi shpërblimin e BE-së!

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh udhëheqëse e dialogut teknik me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, ka thënë se Serbisë nuk i ka takuar shpërblimi nga Bashkimi Evropian për nisjen e negociatave për anëtarësim.

Sipas saj Serbia nuk e ka zbatuar pjesën esenciale të marrëveshjes së Brukselit, e cila është arritur në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se Serbia nuk i ka plotësuar kushtet për të qenë e shpërblyer për sa u takon obligimeve për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Prandaj, pasi nuk i ka plotësuar kushtet zbatuese, nuk i ka takuar ky shpërblim. Serbia nuk e ka zbatuar pjesën esenciale të marrëveshjes së Brukselit, prandaj edhe nuk i ka takuar të marrë këtë shpërblim nga ana e Bashkimit Evropian”, ka thënë Tahiri për “Epokën e re”.

Në këtë kontekst, Tahiri ka thënë se vlerësimi i Bashkimit Evropian për shkallën e zbatimit të marrëveshjes nuk përputhet me realitetin në terren.

“Për sa iu takon kushteve që Serbia ka pasur t’i plotësojë lidhur me marrëveshjen e Brukselit në pjesën esenciale të marrëveshjes, ajo ka dështuar t’i plotësojë këto kushte. Mendoj se vlerësimet që kanë ardhur nga raporti i baroneshës Ashton kanë qenë vlerësime që nuk përkojnë me realitetin, sepse ka vetëm një progres të kufizuar në zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë, e cila ka dështuar ta plotësojë pjesën esenciale të marrëveshjes së Brukselit. Prandaj, BE-ja është dashur të jetë më objektive në raportin e vet. Është dashur të bëjë një raport, i cili me të vërtetë është në përputhje me situatën në terren”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja Tahiri, duke shtuar se ende nuk ka progres substancial të marrëveshjes së Brukselit.

Po në këtë kontekst Tahiri ka thënë se në raport me dialogun e Brukselit mbetet shumë për t’u bërë nga ana e Serbisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button