Kamera 1 mld piksel për matjen e ‘Rrugës së Qumështit’

Çfarë duhet për të ndërtuar hartën e 1 miliard yjeve? Sigurisht një kamera me 1 miliard piksel ndihmon në këtë proces.

Shkencëtarët shpresojnë që të mësojnë më shumë rreth origjinës dhe evolucionit të universit, në vecanti të galaksisë tonë me anë të kameras prej 1 miliard piksel e cila pritet të lëshohet të enjten si pjesë e teleskopit Gaia.

Lëshimi pritet të kryhet në Guajanan Franceze me objektiv matjen dhe vëzhgimin e ‘Rrugës së Qumështit’ si asnjëherë më parë.

Kamera e jashtëzakonshme, e para e këtij lloji është ndërtuar nga “Astrium” për llogari të Agjencisë Europiane të Hapësirës. Ndërtuesit thonë se teleskopi me të tillë kamera është në gjendje që të dallojë njeriun në sipërfaqen e Hënës, ose e thënë ndryshe, të kapë qimen e një floku nga 1 mijë kilometra largësi.

Misioni synon fotografimin 3 dimensional të galaksisë tonë, duke matur me saktësi distancat mes 1 miliard yjeve, megjithëse kjo është një pjesëz e vogël e Rrugës së Qumështit, e cila besohet nga astronomët se është strehë e të paktën 100 miliard yjeve.

“Astrium” thotë se “Gaia” do të shfrytëzohet edhe për kapjen e imazheve përtej galaksisë tonë dhe të qindra-mijëra objekteve të tjera në vetë sistemin tonë diellor, si kometa apo asteroide.

“Gaia mund ta bëjë këtë me një saktësi të pakrahasueshme më parë. Është kamera më e madhe e hedhur ndonjëherë në hapësirë”, deklaroi Ralf Cordey, kreu i shkencës dhe eksplorimit të “Astrium”.

Vetëm ndërtimi i këtij teleskopi ka kushtuar rreth 400 milion euro dhe pritet që kostoja totale e misionit, përfshirë këtu lëshimin dhe mirëmbajtjen në hapësirë përgjatë periudhës 5-vjeçare sa është parashikuar zgjatja e tij, të shkojë në 740 milion euro. 

Lajme të ngjashme

Back to top button