U promovua romani “Shira zogjsh”

Në kuadër të Ditëve të Frankofonisë në Shkup, të mërkurën, në Librarinë e Çarshisë në Shkup, u promovua romani i autores kanadeze Zhoslin Sosie, “Shira zogjsh” në botim të SHB “Shkupi”, të cilin në gjuhën shqipe e ka përkthyer Ilir Haxhi. Libri u botua në bashkëpunim me Fondacionin Kanadez për Art dhe Kulturë. Editori i kësaj shtëpie botuese, Azam Dauti, potencoi se me promovimin e librit “SHIRA ZOGJSH” “Shtëpia botuese “Shkupi”, po vazhdon të sjellë në gjuhën shqipe, vlera letrare të verifikuara dhe të shpërblyera nga letërsia botërore.” Në këtë promovim, i cili u bë në kuadër të Ditëve të Frankofonisë, foli edhe ambasadori i Kanadës, Filip Piningoton, i cili duke përshëndetur bashkëpunimin e “Shkupit” dhe Fondacionin Kanadez për Art dhe Kulturë, tha se “bashkëpunimi në afirmimin e vlerave letrare dhe kulturore kanadeze, qoftë në gjuhën angleze, qoftë në atë frëngjishte do të vazhdojë me “Shkupin”, sepse vetë projektet e realizuara deri më tash nga kjo shtëpi botuese, dëshmojnë përkushtimin, që u manfestua edhe gjatë publikimit të tyre, por edhe në vetë promovimet e deritanishme.” Me këtë rast ai potencoi se “pas botimit të Piter Behrens-it “Ligji i ëndrrave”, të Dejvid Chariand-it “Një roman i harresës”, të Erin Shilds-it “Po të ishim zogj”, të Kevin Chong-ut “Bukuri dhe mëkat”, të Edit Ravel-it “E mbajtur peng”, jemi të gëzuar që sot marrim pjesë në këtë ngjarje letrare, që përkon edhe me Ditët e Frankofonisë, që flet edhe për shkathtësinë e ShB “Shkupi”, për të gjetur momente që afrojnë popujt, ashtu siç e bëri në vitin 2012 me shtëpinë botuese maqedonase “Ikona”, ku së bashku organizuan një sërë panel diskutimesh të përbashkëta shqiptaro – maqedonase për letërsinë në përgjithësi dhe letërsinë kanadeze në veçanti.”

Në vazhdim, për përmbajtjen e romanit “Shira zogjsh” foli shkrimtari Fadil Curri, i cili recensionin e tij e kishte titulluar “HISTORIA E LETRARIZUAR E EPOPESË SË ZJARREVE TË MËDHA”.  Sipas tij, në këtë roman lexuesi kureshtar do të përjetojë pikën rrëfimtare të veprës nga një ngjarje tragjike natyrore që pati kapluar Ontarion më 1916, ndonëse dhe më parë më 1911 kishte ndodhur një zjarr i madh, por edhe pas. Në flakën që kaploi dhe dogji edhe qendra urbane, pësuan qindra jetëra njerëzish, por që është e natyrshme pas kalimit të fatkeqësisë, mbeten gojëdhëna, enigma, mite e mistere të pandriçuara, dashuri të këputura dhe formime karakteresh të ndryshme njerëzish, të cilat në mënyrë mjeshtërore i ka përshkruar autorja.

Më pastaj foli edhe diplomati  dhe poeti i njohur shqiptar Daim Iljazi, i cili duke respektuar edhe Ditët e Frankofosnisë që shënohen në mbi 60 shtete të botës, ndër ta edhe Maqedoni duke folur për biografinë e autores Zhoslin Sosie. Poashtu, promovimin e përshëndeti edhe poeti dhe shkrimtari Rahim Ganiu. Gjatë promovimit u dëgjua edhe një pikë muzikore nga talenti i ri i muzikës Visar Islami.

Autorja e romanit “Shira zogjsh” Zhoslin Sosie ka lindur në vitin 1948 në New Brunswick, Kanada. Është autore e disa novelave dhe fituese e shumë çmimeve letrare. Romani “Shira zogjsh” (“Il pleuvait des oiseaux”) ka fituar çmimin “Prix des Cinq Continents de la Francophonie” dhe “Grand Prix de la ville de Montreal”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button