Foli Wohlersi – Urime, urime, urime

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni Paul Wohlers para dy ditëve në një ligjëratë para studentëve të UEJL-së në Tetovë foli për së pari herë në lidhje me disa çështje esenciale dhe aktuale për Maqedoninë. Duke u shprehur  bile për atë se identiteti nuk mund të ndërtohet duke shikuar mbrapa në histori dhe se kjo është një gjë e rrezikshme.
“…kjo është një mënyrë e rrezikshme ti qasesh çështjes, sepse disa kanë për tu ndjerë të përjashtuar dhe shumë njerëz aktualisht ndihen të lënë pas dore nga kjo qasje. Pra, duke pasur si qëllim apo vizion vlerat tuaja është një mënyrë më e suksesshme më afatgjate dhe poashtu shumë vizionare dhe e shëndetshme dhe që është shumë e rëndësishme dhe e ndryshme nga ajo që të shikosh prapa historinë’, tha Wohlers siç përcjell Portalb.

Me ndjekje të opinionit për këtë fjalim, vet folësi por edhe të tjerë do mund të shohin dallimet në perceptimin e këtyre deklaratave. Dallimi më i madh, e që shihet që në trajtimin dhe publikim e kësaj deklarate është në pjesën e opinionit në shqip dhe atë në maqedonisht. Ashtu në mediet shqipe kjo deklaratë trajtohet si e veçantë deri sa gjen pjesë edhe në ballina të gazetave, kurse në ato maqedonisht kur nuk shahet dhe kontestohet, vetëm se evidentohet, kryesisht në faqet çift të gazetave. Një dallim që më së shumti dëshmon mospasjen e të përbashkëtës mes gjithë qytetarëve në Maqedoni, gjë kjo që është trajtuar edhe në këtë fjalim.

Por, përveç kësaj pjese të fjalimit që e meriton këtë urim të trefishtë në titull, nga Arifhikmeti i famshëm i serialit “O, sa mirë”, kishte edhe një pjesë ku citohet presidenti i ndjerë amerikan John Kennedy për relacionin mes qytetarit dhe shtetit. Shumë rëndë mund të ndërlidhet ajo thënie me situatën aktuale në Maqedoni dhe kjo për shumë shkaqe nga e cila, ndoshta më e rëndësishmja, se kjo është thënë pasi SHBA-të janë bërë shtet në të cilin ka sunduar drejtësia dhe ka ndodhë përfshirja dhe inkluzioni i gati gjithë qytetarëve të saj.
Gjë që nuk është rasti me Maqedoninë ku pjesa dërmuese e qytetarëve të saj shtetin e trajtojnë, më butë thënë, si ndonjë shtet fqinj. Kurse shteti ata si, më butë thënë, një taksirat, me të cilin ja, i duhet të merret me to, shkaku i votimeve.

Ashtu nëse bëhet një analizë pak më e thellë për Maqedoninë del në pah se njëri nga problemet e shoqërisë, qytetarëve dhe popujve që jetojnë në Maqedoni është se aparati shtetëror dhe institucionet janë të tëhuajësuara për qytetarët e saj. Niveli i këtij tëhuajësimi sigurisht dallon, në varësi për cilët vende ose qytetarë bëhet fjalë, por në përgjithësi vërehet se ekziston.
Kjo, të qenurit i huaj shteti për qytetarin, më së shumë merret vesh në atë se çka i jep, i kthen prapë, shteti, institucionet dhe gjithë politika, qytetarëve të saj. Sidomos në atë më të nevojshmen ose minimalen e asaj çka paraqet shtet dhe pushtet: karakteri social i shtetit apo thënë në mënyrë më të përgjithshme fisnikëria e jetës njerëzore që nënkupton edhe ushqimin, drejtësinë dhe përfaqësimin. 

Pra, nëse mundohemi të vendojmë një barazim në relacionin tonë si qytetarë me shtetin, me çka do që ta matim ne, tani për tani, shumë më shumë i japim këtij shteti dhe institucioneve, se sa që marrim nga ai. Ashtu shtetin e mbajmë në këmbë, sigurojmë ekzistencën e tij, i japim rrogë dhe ia mbushim buxhetin, mes tjerash për ti ushqyer me një minimum të gjithë qytetarët, të vendon dhe zbaton drejtësi mes neve dhe për neve dhe të na përfaqësojë brenda dhe në botë. Kurse në kthim, tani, marrim drejtësi të vonuar, që shpesh anon, ka shumë përqindje të madhe të qytetarëve në varfëri të skajshme dhe nuk jemi të përfaqësuar politikisht mirë, as brenda vendit e as jashtë në botë.

Shkaku i disa keqkuptimeve prezentë, ndoshta duhet të sqarojmë shtesë, se si mu ne qytetarët jemi bartësit dhe mbajtësit e këtij shteti. Tani nuk ka, dhe urojmë të mos ketë nevojë edhe me dalje në mbrojtje fizike, të verifikojmë këtë gjë, p.sh. në rast të ndonjë agresioni nga ndonjë vend tjetër. Por, më shumë dhe më qartë kjo kuptohet nga tatimi; ky shtet mbahet nga tatimi ynë. Për derisa ne nuk arrijmë të njohim denarin tonë, në ato që janë fonde publike, tëhuajësimi prezent vetëm se, më shumë e më shumë, do thellohet. 

Sa i përket tatimit duhet të përmirësohet edhe një keqkuptim, pasi shpesh shohim se me tatim kuptohet vetëm ajo që jepet në fund të vitit si para të thata; tatim prone ose pasurie ose tatim fitimi. Por, jo, tatimi më i shpeshtë dhe më i madh nga i cili mbahet ky shtet, me gjithë komuna e ambasada, përmendore e sallata, është paraja që ne harxhojmë për të mbijetuar një muaj, dhe gjithë ato fatura që i paguajmë. Pra, nëse për një muaj shpenzohen afër katërqind euro, prej tyre, më së paku, kanë shkuar nja 70-80 euro direkt dhe për shtetin. Ky shtjellim simplifikues mund të shërben për të sqaruar se çka dhe ku është paraja dhe mundi ynë në buxhetin e shtetit dhe institucioneve.

Ajo çka duhet të artikulojmë është se si ne qytetarët të bëjmë që shteti të na respekton neve, që në fakt jemi pronarët e shtetit dhe bartësit e sovranitetit të tij. Pra, disi të bëjmë që shteti të na ktheje më shumë se ajo që tash na e jep, nga krejt ajo që ne i japim atij.
Sigurisht mjetet që ka në dispozicion shteti në proporcion me ato që kemi ne si qytetarë nuk janë të barabarta, prandaj ndoshta nuk mund të kthejmë gjithë atë që duhet. Por, kjo përpjekje mund të bëhet më e barabartë, nëse bartet aty ku edhe duhet, në rrafshin politik.
Kjo nuk është patjetër të bëhet në formë klasike me parti dhe angazhim direkt politik, por eksiztojnë shumë metoda tjera me të cilat politikisht mund të artikulohet kjo dhe të marrim nga shteti atë që ai duhet tua garanton qytetarëve të vet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button