Maqedonizimi i gjuhës shqipe

Është folur shpesh për problemin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, për mospërdorimin e gjuhës shqipe në shumë institucione në Republikën e Maqedonisë si edhe për shtrembërimin e saj nga shumë institucione tjera zyrtare. Pa ulur rëndësinë e këtyre aspekteve që kanë bëjnë me gjuhën tonë amtare, shqetësim serioz përbën degjenerimi dhe sllavizimi i shqipes nga vet shqiptarët, nga jo pak mediume dhe institucione ku përdorimi i saj i drejtë nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe ku kjo është plotësisht në dorën e vet shqiptarëve. Problemi nuk është vetëm te fjalët e përdorura. E keqja është se disi pa u vërejtur shumë edhe fjalitë tek ne po ndërtohen vazhdimisht sipas rregullave të maqedonishtes. Aq thellë janë ngulitur shtrembërimet e tilla në fjalorin e përditshëm edhe në mediumet kryesore në gjuhën shqipe saqë shumë njerëz habiten dhe kundërshtojnë kur u thua se këto formulime nuk janë pjesë e gjuhës shqipe.

Vite më parë pata potencuar në një shkrim disa nga problemet e mësipërme, por meqë dukuritë e tilla vazhdojnë të jenë pjesë e gjuhës që përdorim çdo ditë, e shoh të nevojshme të përsëris disa nga shembujt më të shpeshtë të kësaj natyre:

1.     ‘I DËMTUARI DO TË NGREJË PADI DERI TE GJYKATA KOMUNALE’ ose’ ‘KAM NJË PYETJE DERI TË MINISTRI’ ose ‘DUA TË BËJ NJË APEL DERI TE QYTETARËT’
Këto formulime janë të huaja për gjuhën shqipe. Ato janë pjellë e maqedonishtes, e cila nuk ka lakim të emrit në rasa. Në maqedonisht emrat (p.sh. gjykata, ministri, qytetarët, etj.) mbesin të njëjtë dhe nuk ndryshojnë në rasa të ndryshme si në shqip (ministri, i/e ministrit, ministrit, ministrin, prej ministrit). Për t’iu përshtatur kësaj veçorie, në fjalitë e llojit të mësipërm, në maqedonisht përdoret parafjala ‘do’ (deri te) … ‘do Ministerot’, ‘do Osnoven sud’, ‘do gra?anite’. Fjalitë e mësipërme në shqip formulohen ndryshe, ”Kam një pyetje për ministrin’, ‘Familjarët do të ngrenë padi në gjykatën komunale’, ‘Dua t’ju bëj një apel qytetarëve’, pa qenë nevoja e përdorimit të ‘deri te’ (do) … thua se pyetja, padia apo apeli do të ngarkohen në tren ose në aeroplan dhe pastaj do të dërgohen deri te ministri, gjykata apo qytetarët!
Edhe në dërgimin e letrave në shqip nuk përdoret parafjala ‘deri te’ si në maqedonisht (do), p.sh.: jo ‘Deri te Drejtori i institutit …’ (Do Direktorot …) por ‘Drejtorit të institutit’ ose ‘Për Drejtorin e institutit …’.

2.      ‘DELEGACIONI DO TË VIZITOJË MË SHUMË KOMUNA!’ … ‘VIKTIMA U QËLLUA ME MË SHUMË PLUMBA’! 
Këto janë imitime të gabuara në shqip të përdorimit në maqedonisht të fjalës ‘pove?e’ (më shumë). Në gjuhën shqipe shprehja ‘më shumë’ përdoret si formë krahasuese në fjalitë ku krahasimi i bërë citohet direkt ose nënkuptohet dhe nuk përdoret asnjëherë për të treguar se bëhet fjalë për numër të papërcaktuar, por më shumë se një person, send apo veprim, siç ndodh në maqedonisht. Për këtë qëllim në shqip, varësisht nga rasti, zakonisht përdoren fjalët ‘disa’, ‘ca’ ‘shumë’, etj., por kurrë forma krahasuese ‘më shumë’. Përdorimi i tillë i ‘më shumë’ (pove?e) është i huaj për gjuhën shqipe dhe nuk do ta hasni askund në Tiranë dhe në Prishtinë.
Se si mund të qëllohet një person me më shumë plumba kjo është vështirë të kuptohet në shqip! 

3. Formulimi ‘KËSAJ RADHE KARLITO MJAFT MIRË INTERVENON’ ose ‘UNË SHUMË MIRË TË KUPTOJ’ imiton radhitjen e fjalëve në fjali sipas gjuhës maqedone ku ndajfolja është para foljes, në vend të asaj shqipe “kësaj radhe Karlito intervenon mjaft mirë” dhe “unë të kuptoj shumë mirë”, ku ndajfolja qëndron pas foljes. Formulimet e tilla në gjuhën shqipe në Maqedoni të vrasin veshin çdo ditë. Kuptohet se gjuha nuk mund të jetë krejtësisht e ngurtë dhe formulimi mund të ndryshojë jo vetëm në poezi, për shkak të rimës, por edhe në shkrime e në komunikim, por nëse në mënyrë të vazhdueshme rregulli bëhet përjashtim dhe përjashtimi rregull, atëherë është e qartë se bëhet fjalë për ndikim shtrembërues të maqedonishtes.

 4. Një numër i madh i mjekëve dhe doktorëve të shkencave e shkruajnë gabim shkurtesën e titullit të tyre. Këtë mund ta hasni edhe në televizonet kryesore në gjuhën shqipe në Maqedoni. Në shqip titulli ‘doktor’ shkurt shkruhet ‘Dr.’ dhe në asnjë mënyrë ‘D-r.’ Shkurtesa ‘D-r.’ përdoret në gjuhën maqedone. 

5. Një deformim i madh i shqipes po merr hov në përkthimet nga maqedonishtja ku përkthyesit po bëjnë vetëm përkthimin e fjalëve nga maqedonishtja në shqip, duke mos ua përshtatur fare atë rregullave të gjuhës shqipe. Detyra e përkthyesit është të ruajë kuptimin e fjalisë dhe ta përshtatë atë në gjuhën që e përkthen e jo të përkthejë fjalë për fjalë nga gjuha që përkthehet. Kështu p.sh. reklama e VIP-it ‘VRTI SLOBODNO’ mund të ketë kuptim në maqedonisht por përkthimi në shqip ‘RROTULLO LIRISHT’ nuk ka fare kuptim. Merreni me mend si do të tingëllonte shprehja shqipe ‘ma vret veshin’ nëse do përkthehej fjalë për fjalë në maqedonisht!

6. Është interesant se si fjala ‘prefekt’ përdoret gabimisht për kryetarët e komunave. ‘Prefekti’ tenton të imitojë modelin maqedonas me një fjalë për ‘gradona?elnik’, në vend të ‘kryetar komune’ që përbëhet nga dy fjalë. Kjo jo vetëm që është e panevojshme, sepse nuk ka pse të imitohet formulimi maqedonas por edhe sepse prefekti është krejt diçka tjetër. Prefekti emërohet nga qeveria që të mbikëqyrë punën e pushtetit lokal. Ai nuk është pjesë e pushtetit lokal dhe nuk zgjidhet në zgjedhje lokale. Në Maqedoni nuk mund të ketë prefekt përderisa në organizimin e saj nuk ka prefektura.

7. Në gjuhën shqipe fjala ‘veç’ ka kuptimin e fjalëve ‘vetëm’, ‘përveç’, ‘përpos’ dhe jo të fjalëve ‘sapo’ dhe ‘tashmë’, siç përdoret gabimisht me të madhe, duke kopjuar sllavishten (serbishten). Në shqip nuk thuhet ‘NDESHJA VEÇ MË KA FILLUAR’ por ‘ndeshja tashmë ka filluar’. Nuk thuhet ‘VEÇ SA I THASHË’ por ‘sapo (porsa) i thashë’.

Është tronditëse të shohësh se si vet disa shqiptarë mbiemrin e tyre nuk e shkruajnë ‘Elezi’ por Eljezi, me ‘lj’ – shkronjë karakteristike sllave që nuk ekziston fare në alfabetin shqip; ‘Rexhepi’ e shkruajnë ‘Redžepi’, ndërsa ‘Xheneta’ ‘Ðeneta’. Kur jemi te emrat e mbiemrat nuk ka si mos bie në sy që shkronjat e shqipes që nuk ekzistojnë në maqedonisht zëvendësohen me shkronja tjera që i ka edhe kjo gjuhë, p.sh: jo ‘Zyberi’ por ‘Ziberi’ ose ‘Zuberi’, ose që shkronja ‘h’ në fillim të emrit hiqet dhe ‘Hasani’ bëhet ‘Asani’, ‘Hyseni’, ‘Iseni’ dhe për më keq ‘Hoxha’ bëhet ‘Oxha’.
Gjuha është pasuria më e madhe e një populli. Në rastin e shqiptarëve ajo është dëshmi e fortë e autoktonisë së tyre. Fakti se gjuha shqipe flitet vetëm nga shqiptarët dhe nuk flitet në asnjë vend tjetër të botës dhe fakti se ajo është krejt e veçantë dhe nuk ngjan aspak me asnjë gjuhë tjetër në botë, është dëshmia më e mirë se shqiptarët kanë qenë gjithmonë të pranishëm në këto hapërisa dhe nuk kanë ardhur nga ndonjë vend tjetër.

Gjuha shqipe e përdorur në Maqedoni është në një situatë të mjeruar, ashtu si janë edhe vet shqiptarët në Maqedoni në gjendje të mjeruar. Është momenti i fundit që të merren masa për mbrojtjen e saj me ligj, ashtu siç veprohet tashmë edhe me gjuhën maqedone. 

DR. ARTAN DIKA

Lajme të ngjashme

Back to top button