Janeva jep sqarime në lidhje me aksionin e mbrëmshëm në Regjistrin Qendror

“Kjo Prokurori Speciale, duke vepruar me urdhër të gjykatësit e procedurës paraprake, gjatë ditës së djeshme ka vepruar për t’i marrë lëndët-dokumentacionin nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë. Urdhri është dhënë me kërkesë të Prokurorisë Speciale, pasi që Regjistri Qendror në afat të 30 ditëve nuk i është përgjigjur kërkesës sonë dhe vetëm na ka njoftuar se kërkesa ka qenë e paqartë, edhe pse vazhdimisht ka pasur me kontakte telefonike me prokurori publik dhe hetues në drejtim të qartësimit që është lëndë e kërkesës sonë”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Speciale, në lidhje me aksionin e djeshëm ku hetuesit e prokurorisë në fjalë kanë kërkuar nga Regjistri Qendror i Maqedonisë që t’ua dorëzojë disa dokumentacione, njofton Portalb.

Prokuroria Speciale shpjegon se gjatë ditës së djeshme, është bërë bashkëpunim me Regjistrin Qendror, dhe se janë dorëzuar një pjesë e dokumenteve të kërkuara.

“Duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për numër të madh të dokumenteve, gjatë ditëve në vijim do të merren të gjitha dokumentet të cilat janë të theksuara në urdhrin për marrjen e dokumenteve të lëndëve, për të cilat do të ju informojmë me kohë. Njëkohësisht, shprehim bindjen se bashkëpunimi me Regjistrin Qendror do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, shtojnë nga Prokuroria Speciale.

Në lidhje me aksionin e mbrëmshëm të PSP-së në Regjistrin Qendror, Gjykata Themelore nuk ka dashur ta komentojë, megjithatë mënyra se si është kryer, ata e krahasojnë me skenar holivudian.

“Gjykata Themelore Shkupi 1, nuk do ta komentojë aksionin e djeshëm të Prokurorisë Speciale he masat e tyre operative-taktike që t’i zë të papërgatitur institucionet, duke u thirrur në urdhra gjyqësore dhe në lajmërime anonime të cilat ngjajnë në skenarë holivudian, dhe jo në punë serioze ashtu siç është PSP-ja”, thuhet nga Gjykata.

Përndryshe, mbrëmë hetuesit e Prokurorisë Speciale kanë arritur deri te dokumentet që i kanë kërkuar në Regjistrin Qendror, thonë burimet e NOVATV-së.

Aksioni ka përfunduar që mbrëmë, gazetar i Portalbit, sot ishte në terren dhe situata ishte e qetë.

Siç shkruan NOVATV, aksioni ka pasur sukses duke iu falënderuar asistimit të njësitit special “Alfa” të cilët kanë qenë të kyçur në operacion pasi nga Prokuroria Speciale është dhënë urdhër gjyqësor për bastisje.

Dje, para mbarimit të kohës së punës, hetuesit e Prokurorisë Speciale kanë qenë në Regjistrin Qendror të cilët kanë kërkuar dokumente që janë të nevojshme për hetim në këtë institucion. Gjatë kësaj tentative ata nuk kanë hasur në bashkëpunim nga një pjesë e të punësuarve në Regjistrin Qendror. Pas largimit të tyre, ka arritur lajmërim nga një i punësuar në Regjistrin Qendror që të bëhet “pastrimi” i një pjesë të dokumenteve me përpjekje që të largohen nga ndërtesa e Regjistrit Qendror. Në bazë të këtij lajmërimi, Prokuroria Speciale menjëherë ka kërkuar vendim gjyqësor për asistim policor.

Pas dhënies së urdhrit, “Alfat”, menjëherë e kanë siguruar ndërtesën dhe u kanë mundësuar asistim ndaj hetuesve që të kenë qasje në dokumentet e duhura. Ashtu siç mëson NOVATV, rreth mesnatës për realizimin e operacionit, “Alfat” kanë siguruar edhe praninë e drejtorit të Regjistrit Qendror. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button