Princi Charles dhe Dukesha Camilla nderojnë personat e pagjetur nga lufta e Kosovës

Dita e dytë e vizitës së Princit Charles të Uellsit dhe Dukeshës Camilla të Cornwall në Kosovë, ka filluar me takimin zyrtarë tek Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me të cilin rast ajo i ka dhuruar çiftit mbretëror një mirënjohje, raporton Anadolu Agency (AA).

Më pas, gjithë së bashku kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për të pagjeturit e luftës në Kosovë, ku Princi Charles dhe Dukesha Camilla vendosën lule në Memorialin e Personave të Pagjetur pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke treguar respekt dhe nderim për këto viktima. Çifti mbretëror u ndal edhe për të biseduar me familjarët e personave të zhdukur, pagjetur. Për 15 minuta, Princi Charles dëgjoi rrëfimet e dhimbshme dhe të tmerrshme të zhdukjes së shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, gjatë luftës në Kosovë. Me këtë rast, ata shprehën ngushëllimet dhe bashkëndjenjat e tyre.

Pas kësaj, aktivitetet e Prince Charlesit dhe Dukeshës Camilla u ndanë. Dukesha Camilla dhe Presidentja Jahjaga, së bashku do të vazhdojnë aktivitetet e tyre duke takuar të mbijetuarat e dhunës seksuale për të dëgjuar për sfidat me të cilat janë përballur ato në kërkim të drejtësisë, si dhe për punën e Këshillit Kombëtar udhëhequr nga vet Presidentja.
Ndërkohë, Dukesha Camilla do të vizitojë edhe organizatën joqeveritare Ideas Partnership në Fushë Kosovë e cila punon me grupet e margjinalizuara, për të parë se si janë duke u ndihmuar ato, përmes fuqizimit arsimor dhe ekonomik.

Nga ana tjetër, Princi i Uellsit do të vizitojë Prizrenin ku do të marrë pjesë në konferencën ndërfetare të organizuar në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, prej nga do kthehet në Prishtinë, për të marr pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorës për të përkujtuar personelin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të KFOR-it që kanë humbur jetët e tyre gjatë shërbimit të tyre në Kosovë. Kjo ceremoni do të mbahet në Shtabin Kryesor të KFOR-it në “Film City”, ku edhe përfundon vizita e çiftit mbretëror në Kosovë.

Mbrëmë, Princi Charles dhe Dukesha Camilla mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ku ishin pritur në mënyrë solemne nga Presidentja Jahaga dhe Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të vazhduar vizitën me pjesëmarrje në koktejin solemn të mirëseardhjes, të organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, ku çifti mbretëror i Mbretërisë së Bashkuar u takua me krerët më të lartë shtetëror dhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve dhe subjekteve politike në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medieve kosovare.

Me përfundimin e vizitës në Kosovë, Princi Charles dhe Dukesha Camilla përfundojnë turneun e tyre gjashtë ditor në shtetet e Ballkanit.

Princi Charles dhe Dukesha Camilla priten nga presidentja e Kosovës Jahjaga

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button