Mikes

Shoqërimi me Kikin nisi me intervistë të dështuar. Punoja gazetare asokohe dhe në pyetjen se cilën e kanë studenten më të mirë, profesorët e Fakultetit të arteve u përgjigjën unanimisht. Por ajo e drojtur, tha se s’i duron kamerat, mikrofonin hiç e më hiç, punë e saj është të pikturojë e jo të flasë. Më kishte ndodhur edhe herave tjera me artistët, mendova se do të lëshojë pe edhe ajo kur ta shohë ekipin teknik, kështu janë bindur edhe të tjerë që e kanë problem të folurit publik. 
Shkuam teknikisht të kompletuar në dhomën-atelje të saj në Reçicë, por asgjë nga emisioni. 
Në vend të tij lindi diçka shumë më e çmuar.
Diçka që zgjat tash 15 vjet.
Asnjë hamendje deri tash.
Apo zbrapsje, nga ato tipiket për miqësitë femërore.
Pa vënë gjë në peshojë se cila prej të dyjave çka ka thënë, bërë, menduar, paramenduar.
Prandaj orët e kaluara me të janë çlodhje në kuptimin e plotë të fjalës.
Ikje nga marrëzitë e ditës.
Me Kikin mund të flasim me orë në ateljenë e saj në Çarshi, me piktura varur gjithandej, ose vetëm mbështetur për muri se tashmë janë bërë shumë, me skica e ilustrime derdhur mbi dysheme, rrafte të vjetra me libra dhe muzikë të mirë.
P.sh Daire Street.
Joe Cocker.
Tracy Chapman.
Është një nga ata që s’mund të jetojnë pa muzikë.
E kemi pasion të përbashkët.

Me të mund të heshtim me orë që poashtu përbën kohë të çmuar të shoqërimit.
Ajo i ndjen, më mirë se kushdo, të gjitha gjendjet e mia, nuancat e disponimit, çdo dëshprim kur është ende në zanafillë “ama, mos e len ashtu të piqet” është mantra që e thotë në ato raste. 
Mjafton t’më shohë dhe e ka të qartë.
Ajo e din kur më bisedohet dhe kur s’e duroj bisedën.

I rrëfehesha një ditë një miku për këto, ai tha se unë qenkam vajza më e pasur e qytetit.
Vajzë e miliona dollarëve.

Ajo është shoqja më e mirë edhe e djalit tim.
Fëmijët e të gjitha moshave e adhurojnë Kikin, dhe është e ditur se receptorët e tyre janë supersensitivë. Më vonë këto “antena” sikur qëllimisht atrofohen se nuk na pëlqen çka shohim në njerëz, ose duke vrapuar pas qëllimeve i durojmë edhe të padurueshmit.  
Dua të them, raporti me kalamajt është indikator i saktë se a jemi si duhet apo vetëm bëhemi sikur jemi.

Kiki është nga ajo kategori e miqëve që për sukseset e tjetrit gëzohen si për sukseset personale.
Kjo për shkak se të arriturat i ka të merituara, vetë ka mbërrirë tek ta, prandaj nuk e njeh xhelozinë, atë ndjenjë cfilitëse që duket jo vetëm në minimizimin, por ngaherë edhe në maksimalizimin e sforcuar të vlerave të tjetrit për të fshehur gjurmët e dashakeqësisë.

E gjerë është fusha e arteve aplikative ku ajo shkëlqen.

Zgjedhjet skenografike dhe kostumografike për teatër, film, balet…i ka pasur të tilla që në vend jo si ky “i harruar edhe nga djalli, edhe nga Zoti, ku çdo gjë vonohet ose nuk vjen fare, ku edhe vonesa vonohet ose nuk vjen fare…”, asaj nuk do t’i dilte koha që t’u përgjigjet të gjitha ofertave.

Intervenimet e saj në enterier janë origjinale në sensin që nuk i gjen në asnjë revistë për dizajn.  

Niveli, harmonia e formave dhe teksturave të teshave që dizajnon dhe qep ajo mund të hasen vetëm tek emrat e njohur të modës. 

Ilustrimet për libra, veçanërisht për fëmijë mund të rradhiten në libraritë më të mira. Këtu te ne menjëherë do kishin rënë në sy, prandaj s’janë aty.

Dhe magjia gastronomike e Kikit në frymën e kohës: shije dhe aromë e papërsëritshme që kushton paak. 
Edhe këto i bën me përkushtim, pa ngutje, më së miri që di.
Ashtu si bën ajo me gjithçka tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button