NSA në reglazh

Epoka pas-Snowdenit ka nxitur një analizë të madhe të operacioneve të NSA-së nga administrata dhe nga Kapitol Hilli, dhe ajo pritet t’i ndryshojë rregullat e agjencisë.

Pak pasi ish-agjenti Edward Snowden ka zbuluar veten në qershor si burim i dokumenteve të ekspozuara të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare amerikane (NSA), drejtori i agjencisë, gjenerali Keith Alexander, ka ofruar dorëheqje, sipas një burimi të lartë amerikan.

Oferta, e paraportuar më parë në media, është hedhur poshtë nga administrata Obama. Por, ajo tregon se deri në çfarë shkalle është tronditur NSA nga ekspozimet e Snowdenit – si asnjëherë më parë gjatë historisë së saj 60-vjeçare, ka shkruar e përditshmja “The Wall Street Journal”.

Epoka pas-Snowdenit ka nxitur një analizë të madhe të operacioneve të NSA-së nga administrata dhe nga Kapitol Hilli, dhe ajo pritet t’i ndryshojë rregullat e agjencisë. “Kanë qenë ekspozime kataklizmike”, ka thënë Richard Ledgett, i cili kryeson një ekip special të NSA-së për adresimin e skandalit. “Ky është problemi më i vështirë që kemi ndeshur në 62 vjetët e historisë sonë”.

Kontrollet e reja të gjera, megjithatë, rrezikojnë të korrigjojnë më shumë seç duhet, duke e bërë agjencinë të paaftë për të reaguar ndaj një krize të ardhshme, kanë thënë kritikët e ndryshimeve.

Kur kanë nisur ekspozimet, disa zyrtarë të lartë të administratës amerikane kanë humbur besimin në gjeneralin Alexander si shef i NSA-së, ka thënë një ish-zyrtar i lartë i mbrojtjes. Por, zyrtarët nuk kanë menduar se dorëheqja e gjeneralit do të zgjidhte problemin e sigurisë dhe janë frikësuar se aprovimi i dorëheqjes së tij do ta nxirrte fitues Snowdenin, ka treguar ish-zyrtari i mbrojtjes.

Ledgett ka thënë se beson se agjencia do ta tejkalojë këtë situatë, por shenjat tregojnë se kritikat kanë ndikuar te punonjësit. “Punonjësi i NSA-së zgjohet në mëngjes, dhe fqinji i tij i thotë, ‘A më përgjon mua?’”, ka thënë Dutch Ruppersberger, përfaqësues i demokratëve në Komisionin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve, në qytetin e të cilit janë zyrat qendrore të NSA-së.

Shtëpia e Bardhë është duke i bërë trysni një ekipi të brendshëm që po i analizon operacionet e NSA-së për të ofruar rekomandime të reja, dhe një zyrtar i lartë i administratës ka thënë se ekipi madje po punon për t’i dërguar disa rekomande qysh këtë javë. Shtëpia e Bardhë gjatë verës i ka ndërprerë disa aktivitete të NSA-së, pasi ka zbuluar se ajo i ka përgjuar komunikimet e rreth 35 udhëheqësve të huaj, ndërsa edhe disa aktivitete të tjera janë nën shqyrtim, kanë thënë zyrtarët e lartë të administratës. Përgjimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, ka qenë ndër të ndërprerit.

Një ndryshim tjetër që po shqyrtohet është vënia e një civili në krye të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare amerikane për herë të parë, pasi gjenerali Alexander të largohet në pranverën e vitit të ardhshëm, ashtu siç ka planifikuar. Zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, po lobon për këtë ndryshim në qarqet e brendshme, sipas zyrtarëve të tashëm dhe të dikurshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button