Greqi, Trojka: Duhen masa të reja. Samaras: Duhen reforma

Greqi, Trojka: Duhen masa të reja. Samaras: Duhen reforma“ Do të duhet që Greqia të marrë masa të reja në periudhën 2014-2016.

“Jo masa horizontale, por të adresuara, me qëllim që mos të goditen shtresat më të dobëta të popullsisë”, thekson shefi i Trojkës për Greqinë, Poul Thomsen, në një intervistë për shtypin grek.

“E kuptojmë se masat e reja fiskale janë shumë të vështira, nga pikëpamja politike dhe sociale. Pajtohemi me qeverinë se duhet të shmangen masat horizontale, dhe se ato duhet të përqëndrohen në fusha ku ka ende shpërdorime apo shpenzime të ekzagjeruara. Masat duhet të jenë të adresuara me kujdes, me qëllim që të mbrohen shtresat më të ndjeshme sociale”, deklaron Thomsen.

Nga ana e tij kryeministri grek, Antonis Samaras nënvizon se hapi i parë është bërë, por vendi ka ende shumë rrugë përpara. Samaras theksoi se në Greqi, vitet e mëparshme do të duhej të realizoheshin më shumë ndryshime strukturore dhe më pak përshtatje fiskale, ndërsa vuri në dukje se tash e tutje prioriteti i qeverisë do të jenë reformat.

Ai përsëriti se nuk do të nevojitet një program i ri mbështetjeje për Greqinë, përderisa pas çertifikimit të suficitit primar, BE ka premtuar të marrë masa për lehtësimin e borxhit grek.

Kryeministri theksoi se ka ende shumë rrugë, por recesioni po mbaron dhe do të fillojë rimëkëmbja.

Lajme të ngjashme

Back to top button