Mbahet edicioni i 24-të i “Takimeve Poetike të Karadakut”

Të premten në Kumanovë u mbajt edicioni i 24-të me radhë i manifestimit letrar mbarëkombëtar “Takimet Poetike të Karadakut – 2016”. Ky manifestim organizahohet tradicionalisht çdo 11 mars nga Klubi i Shkrimtarëve ‘Jehona e Karadakut’ nga Kumanova.

Sekretari i klubit, Selajdin Shabani, në emër të nikoqirit, tha se me këtë organizim, po vazhdojmë traditën e nisur që nga viti 1992, për të shfaqur dhe prezantuar vlerat shpirtërore, artistike dhe kulturore të kësaj ane, përmes artit të bukur poetik. “Edhe sivjet, në këtë 11 mars, kur kujtojmë demonstratat e rinisë studentore të Kosovës, jemi mbledhur bashkë, poetë e dashamirë të poezisë nga të gjitha trevat shqiptare, për t’u takuar dhe dëgjuar vargjet e bukura të poezisë shqipe”, u shpreh Shabani.

Manifestimin e përshëndeti sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi, i cili tha se ky manifestim është një rast i veçantë për t’u takuar e komunikuar mes vete poetë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria. “Ruajtja e traditës është një nga vlerat më të rëndësishme të organizimeve tona kulturore, që duhet kultivuar gjithmonë. Andaj, krahas mbështetjes sonë si ministri, inkurajojmë vazhdimin e punës së suksesshme dhe me shumë entuziazëm të këtij klubi shkrimtarësh”, tha Shehapi.

“Takimet Poetike të Karadakut 2016”, i pari i hapi shkrimtari, publicisti dhe veprimtari i dalluar në fushën e kulturës dhe letërsisë, poeti i Karadakut, i cili na vjen nga Prishtina, Ibrahim Kadriu. Më pas poezi lexuan poetët: Sali Bashota, Odise Plaku, Sabit Rrustemi, Lindita Ahmeti, Festim Tomorri, Marjana Shkurti, Lulzim Tafa, Rexhep Abazi, Nebih Bunjaku, Demush Berisha, Nexhat Rexha, Sunaj Raimi, Xheladin Mjeku, Bilall Maliqi, Sarë Gjergji, Nazmi Beqiri, Bjanka Karamico, Sinan Sadiku, Arber Saliu, Arsim Halili, Rahim Ganiu, Nehat Ramizi, Sami Sherifi, Ismail Ganiu, Burhanedin Xhemaili, Rexhep Bajrami, Nehat Jahiu, Ismail Bilalli, Mumin Zeqiri, Arben Rashkaj, Arben Ibrahimi, Adriatik Zeqiri, Selajdin Shabani, Bajram Ramadani, Ali Qerimi, Rrahman Hyseni, Ibrahim Bakiu, Kreshnik Sopaj, Arta Selmani, etj.

Një pjesë e poetëve lexuan jashtë konkurimit, kurse juria letrare e përbërë nga Avni Dehari, Hysen Kqiku, dhe Fatos Rushiti, vendosi që të shpërblej tri poezitë më të mira që hyrën në konkurencë. Kështu, me çmimin e parë “Fadil Bekteshi”, u nderua poeti nga Pogradeci, Festim Tomorri, me vendin e dytë poeti nga Kumanova Sunaj Raimi, dhe me vendin e tretë, poeti nga Prishtina, Arbër Salihu.

Në mbrëmje u bë edhe promovimi i botimeve të fundit të klubit. Bëhet fjalë për dramën “Portrete të djegura” nga Burhanedin Xhemaili, librat poetike “Testament” të Sunaj Raimit dhe “Kënga e fundit e mjellmës” e Arben Ibrahimit, si dhe numrat 50 dhe 51 të revistës “Doruntina” – organ i klubit.

Për pjesën artistike-muzikore u përkujdes Florim Zulfiu. Të gjitha poezitë e lexuara në këtë orë letrare, do të botohen në numrin e radhës të revistës “Doruntina”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button