Oj ingje, a doni emra?

Shumica e lexuesve besoj ende e kujtojnë një praktikë të hershme autentike të shitjes derë më derë, shumë kohë para se të dalë e tanishmja: door to door sale. Atëbotë zakonisht nëpër lagjet e qyteteve ndokush që kishte sjellë ndonjë mall të rrallë, zakonisht rroba, më shumë për gra dhe më shpesh fustane dhe këmisha, angazhonte ndonjë të ri ose të re, e që ofronin këtë mall për shitje; derë më derë. Pasi këto shitësit më shumë i drejtoheshin zonjave të shtëpive, atëherë shprehja më e shpeshtë ishte: Oj ingje, a doni fustana?!

Kjo ishte sqarim i shkurtë për titullin, kurse për atë se përse mu në Maqedoni më shumë flitet për emrat se kudo tjetër, duhet ndonjë sqarim më i gjatë. Parë nga jashtë duket e pabesueshme se si një shtet që ka problem vet emrin e shtetit të ketë aq shumë probleme me emrat dhe emërtimet dhe kaq pak rregulla ligjore dhe praktikë të shëndoshë në lidhje me emrat. Prej rrugëve dhe shkollave e deri tek toponimet e vendbanimeve dhe institucioneve. Por, ky fakt bëhet i besueshëm dhe i argumentueshëm me problemet në lidhje me emrat dhe emërtimet që shpesh dalin në shesh dhe më pas, pa u zgjidhur në tërësi, shfaqen diku tjetër. Zakonisht nëpër vendbanime ku dy gjuhët zyrtare të shtetit duhet të zbatohen.

Ka shumë sqarime se pse ndodhë kjo kështu por, sqarimi kryesor është se nuk është bërë ndonjë zgjidhje përfshirëse dhe e detajuar për këtë çështje. Mandej duke qenë se zgjidhja e përgjithshme mungon, polemikat bëhen në varësi prej komentimit dhe trajtimit. 

Ashtu ishte rasti edhe me problematizimin e emërtimit të shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” edhe në gjuhën maqedone në komunën Çair të Shkupit. Një emërtim që ashiqare nuk ishte në gjuhën maqedone ndonëse ishte bërë edhe në alfabetin cirilik. Ky problem më së paku u trajtua në aspektin ligjor dhe gjuhësor për të parë nëse është në rregull, kurse u trajtua dhe vazhdon të trajtohet bollshëm në politikën ditore. Ku më së shumti kontribuojnë qarqet dhe mediat opozitare të cilët vërejtën një shtangie tek qeveritarët për këtë çështje. Shtangie që u pa qartë në fytyrën e kryeministrit dhe ministrit të cilët nuk dinin si të përgjigjen. E pasi opozita maqedonase qëmoti nuk kishte një kësi çështje që shtang qeveritarët u kapën për te dhe vazhdojnë ta trajtojnë, duke shfaqë aspak respekt për shqipen dhe qytetarët shqiptarë. 

Aq hiç respekt për shqipen sa askund nuk u evidentua se ky emërtim i gabuar në maqedonisht është në komunën Çair të Shkupit në të cilën edhe në shqip vetëm janë transkriptuar emërtimet nga maqedonishtja. Jo vetëm ato me emra personal të papërkthyeshëm, por edhe emrat në dhanore si rrugët; e pazarxhinjve, e Sevastopolit dhe e Krimesë. Këto emra rrugësh edhe në shqip qëndrojnë njëlloj si “Kongresi i Manastirit” në maqedonisht, të pakuptueshme: Pazarxhiska, Sevastopolska, Krimska?!

Pjesa e opinionit në gjuhë maqedone e vendit, dështoi të kupton se nuk mund të mos ua masakron edhe atyre gjuhën një strukturë analfabete komunale që ka masakruar gjuhën e vet amtare. Pra ata që kanë venduar tre shkronja të pakuptimta (SKA) në emrat e rrugëve në gjuhën e vet sigurisht nuk hezitojnë të masakrojnë gjuhën tjetër duke ja shtuar një shkronjë (I) si lidhëse e pakuptimtë në atë gjuhë.

Duke parë se si bëhet trajtimi dhe debati më së paku në leksikologji dhe onomastikë për emrat dhe emërtimet zor se pritet të gjendet prapë ndonjë zgjidhje e përgjithshme. Por edhe nëse do gjendej një zgjidhje parciale vetëm në këtë komunë të Shkupit, shqiptarët do duhej të ishin pro kësaj zgjidhje. Që ashtu disi fatmirësisht do përmirësonte edhe emrat e rrugëve ti kenë tamam në shqip, e jo si tani vetëm pakuptimshëm të transkriptuara.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button