Fillon zhvendosja e refugjatëve nga Idomeni në kampet tjera greke

Koordinatori i UNHCR-së në Idomeni, Babar Baloch deklaroi se refugjatët kanë filluar të tranferohen nga kampi në Idomeni në kampet tjera të ndërtuara nga qeveria greke, ku do të sigurohen kushte më të mira për jetesë, ndërsa më pas ata të cilët do të pranojnë të tranferohen do t’u mundësohet të aplikojnë në programin e Bashkimit Evropian (BE) për zhvendosjen e refugjatëve në vende të tjera evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

Baloch bëri të ditur se kjo vlen vetëm për refugjatët nga Siria dhe Iraku. Ai shtoi se kapacitetet e shërbimeve azilkërkuese greke nuk janë të larta dhe këtij vendi i nevojitet ndihmë nga BE-ja për përshpejtimin e procedurave.

“Plani i Bashkimit Evropian për zhvendosjen e refugjatëve është një program me të cilin vendet e ndryshme evropiane do të pranojnë refugjatë, duke u bazuar në numrin sa janë dakorduar më herët. Mirëpo, problemi është se ky numër është shumë i vogël. Aktualisht bëhet fjalë për një numër prej 600 refugjatësh të cilët kanë filluar këto procedura, ndërsa numri këtu është shumë i madh. BE-ja duhet të vërejë këtë realitet dhe të ndihmojë Greqinë në përshpejtimin e procesit”, deklaroi Baloch.

Numri i refugjatëve në Idomeni është rreth 12 mijë, ndërsa autoritet greke shpresojnë se kampi në vendkalimin kufitar greko-maqedonas mund të zbrazet brenda dy javësh. Prioritet në shfrytëzimin e programit të BE-së që do të kenë familjet me shumë fëmijë apo familjet me anëtarë të sëmurë.

Përndryshe, Maqedonia nga dita e hënë e ka mbyllur plotësisht kufirin, pas vendimit për mbylljen e “Rrugës Ballkanike” për refugjatët ilegalë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button