Për të thjeshtët dhe madhështorët

Prometheu ua dha njerëzve zjarrin dhe “germat e renditura pas radhës, duke e forcuar kujtesën, si mëma e të gjitha muzave” (Eskili). Ky ishte shkaku i dënimit të tij nga Zeus fuqiepri, që njerëzit i mbante të robëruar në terrin e injorancës.

Kjo skenë, si në veprën antike, është përsëritur shpesh në historinë njerëzore, prandaj është riaktualizuar dhe ripërmasuar miti mbi Prometheun, kurse zjarrësjellësit apo dijesjellësit janë krahasuar me heroin mitik.

Botës shqiptare s’i kanë munguar promethenjtë. Ata zjarrin e dijes ua shpërndanë njerëzve që, si në veprën e Eskilit, kishin “sy e nuk shihnin, kishin veshë e nuk dëgjonin dhe si hije ëndrrash zvarriteshin nga njëri brez në tjetrin”.

Të tillë kanë qenë edhe shumë mësues shqiptarë, që kanë përjetuar vuajtje si të heroit mitik. Janë dënuar ose janë vrarë, vetëm se ecën Udhës së Shkronjave, ashtu sikurse plaku Theodor, që solli germat nga Alemanja e largët.

Shumë mësues, me fat Prometheu, nuk i njeh historia. Koncepti ynë mbi historinë është i gabueshëm.

Vangjel Koça thoshte: “historia shqiptare nuk është vetëm histori luftërash, por edhe histori përpjekjesh qytetëruese, të cilat e nderojnë shqiptarin në marrshin e tij të paprerë për Liri, Shtet dhe Qytetërim”.

Historia shqiptare, duke qenë edhe histori e kulturës, duhet t’i të vë në dukje “jo vetëm cilësitë luftarake, por edhe cilësitë qytetëruese të shqiptarëve”, siç thoshte Koça.

Pjesë e kësaj historie të kulturës meritojnë që të jenë shumë mësues të nderuar. Duhet që të afirmohen mesazhet dhe përpjekjet e tyre për ngritjen kulturore të kombit.

Duhet t’i rikujtojmë të thjeshtët e madhështorët, që na nxitën dashurinë për librin, këtë metaforë të jetës, këtë çudi, këtë vazhdimësi kujtese e imagjinate.

Duhet t’i nderojmë mësuesit, që mësuesinë nuk e konceptuan vetëm si profesion, por edhe si mision.

Ata na nxitën dashurinë për jetën, familjen, kombin e Zotin. Ata na nxitën dashurinë për ndjenjën e përbashkët. Ata na nxitën dashurinë për kategoritë etike dhe estetike. Pa u ekspozuar gjithkund, pa u mburrur, pa i lodhur ekranet. Punuan në heshtje, në paqe me vetveten.

Njëkohësisht, duhet ta afirmojmë respektin për mësuesin aktual. Mbi të gjitha duhet të pastrohen idiotësitë nga librat shkollorë. Të bëjmë shkolla shqipe dhe jo shkolla të përkthyera.

Fatkeqësisht, mësuesit e përkushtuar sot i kemi gjithnjë e më të paktë, sepse nuk ndërtojmë sistem vlerash, kurse kjo gjendje prodhon krizë morale dhe shoqërore. Prandaj nuk mund të shpresojmë për shkolla cilësore, që do ta krijojnë qytetarin e ardhshëm.

Shkollat cilësore, me mësimdhënës të zotë, jo me improvizime, krijojnë qenie të lira, që harmonizojnë lirinë e tyre me lirinë e të tjerëve. Krijojnë familjarë të ndershëm. Krijojnë dijetarin e ardhshëm, që punon me durim, metodë dhe kompetencë. Krijojnë zyrtarin me ndërgjegje detyre, i cili, sikurse thoshte Anton Harapi, është i gatshëm që të përballet me atentatorët e jetës civile dhe kombëtare. Krijojnë mjekun, i cili nuk do ta njeh vetëm profesionin, por edhe do të jetë i vetëdijshëm për misionin human të tij etj. Shkollat cilësore do ta bëjnë jetën tonë më të dinjitetshme.

Nëse mësuesit tanë u sakrifikuan për arritjen e një kohe normale, kohën e mendimeve, është padrejtësi, mungesë respekti dhe emancipimi që ta pengojmë ardhjen e kësaj kohe.

Nuk ka kohë më të zymtë kur njerëzit e ditur dhe kreativ ngulfaten dhe nuk mund ta shpalojnë dijen e përvojën e tyre.

Nuk ka kohë më të zymtë kur njerëzit e dijes dhe të mendimit duhet t’i harxhojnë energjitë e tyre krijuese për të mbijetuar…

Janë të fisëm ata që punojnë për ta rikthyer respektin për mësuesin. Janë të emancipuar ata që e nderojnë mësuesin. Ata punojnë për ardhjen e kohës normale, për një sistem vlerash, për cilësi të reja, për prurje të reja kulturore, artistike, shkencore.

Një komb shkon drejt përparimit për sa kohë ka shpirt krijues; për sa kohë respekton të kaluarën, angazhohet në të tashmen dhe ka vizion për të ardhmen.

Ky është mesazhi që kemi marrë nga mësuesit tanë mendjendritur, të cilin duhet ta bartim si stafetë olimpike.

Një komb që nderon dijen, i ka të gjitha udhët e hapura. E ardhmja e pret atë komb që t’ia fal lulet e dashurisë, të mirës dhe të vërtetës. Një komb që nderon të përkushtuarit, investon në shpirtin e vet krijues…

Prometheut, sipas veprës së Eskilit, i copëtohej zemra kur e shihte veten të fyer. Mjerisht, mësuesi shqiptar sot është në këtë gjendje. Sot nuk janë tollumbat e Lulit që duan ta hanë mësuesin, por janë tollumbat e mësuesit që mund ta hanë Lulin e Vocër.

Mjerisht, ky është fati i atyre që e kanë zgjedhur me dashuri profesionin e vështirë të mësuesisë. Atyre u shkon thënia monumentale e Ismet Totos: “Bota nuk u përket atyre që ngrohen, bota u takon atyre që digjen”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button