105 vjet ‘Kongresi i Manastirit’, sfidat e gjuhës shqipe!

Në vendin tonë me aktivitete të ndryshme sot po kremtohet 105 vjetori i Kongresit të Alfabetit Shqip në Manastir. 

Shënimi i kësaj dite është festë zyrtare për shqiptarët në Maqedoni dhe me këtë rast janë paraparë disa aktivitete nën patronatin qeveritar dhe të komunave.

Zëvendëskryeministri përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferi sot pasdite do të qëndrojë në Manastir, në një ceremoni të përkujtimit të 22 nëntorit të Ditës së Alfabetit.

Shtëpia e Alfabetit në Manastir, është demoluar disa herë nga keqdashësit e gjuhës shqipe, por kjo asnjëherë nuk ka ndalur shqiptarët të shënojnë këtë datë madhështore.

Por gjithashtu policia deri më tani asnjëherë nuk ka gjetur këto huliganë!


‘Në orën 19 me rastin e 105 vjetorit Institucioni nacional i Muzeut të gjuhës shqipe organizon akademi solemne në të cilin do jenë pjesëmarrës zv. kryeministri Musa Xhaferi, ministrja e kulturës e Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, ambasadorë, drejtorë, rektor të USHT-së dhe drejtor të institucioneve të ndryshme. Është konfirmuar pjesëmarrja e Mirela Kumbaros ministre e sapoemëruar e Shqipërisë, tre ministrat e kulturës do të kenë takim bashkë me Musa Xhaferin, ku do të bisedohet për nënshkrim marrëveshjesh bilaterale mes vet’ tha Gazmend Hoxha, drejtor i Muzeut të Alfabetit në Manastir.

Avzi Mustafa, profesor në fakultetin e gjuhëve në Shkup, vuri theksin në sfidat dhe tentativat e ‘intelektualëve’ për prishjen e bukurisë së gjuhës shqipe dhe rreziqet që i kanosen asaj në të ardhmen.

‘Kongresi i Manastirit është lokomotiva që i nisi gjitha punët që të vijnë në një stadium në të cilin ndodhemi sot e kësaj dite. Me ardhjen e demokracisë kemi një ulje të përdorimit të gjuhës, një shkujdesje ndaj gjuhës dhe këtu më kujtohet thënia e të madhit Eqrem Qabej ‘Se nuk është modë dhe të përdoret gjuha shqipe ashtu kujt si ti kujtohet’. Vitet e fundit është një turmë intelektualësh me diploma në xhep të cilët kërkojnë të shkruajnë ashtu siç duan vetë dhe tentojnë ta prishin bukurinë e gjuhës shqipe. Në etapën e ardhshme kur pritet globalizimi ku do të ketë mirëqenie ekonomike duhet të mendojmë se si ta ruajmë gjuhën shqipe, sidomos ne shqiptarët e Maqedonisë nuk kemi institucione ku ta ruajmë gjuhën shqipe’ tha Mustafa.

Sevdail Demiri nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve të Maqedoni, foli për pjesëmarrjen e tyre në manifestimin e sotëm të Ditës së Alfabetit.

‘Kësaj date të sotme që përkon me gjashtë vjetorin e themelimit të Institutit tonë ne ju kemi bashkangjitur manifestimeve të Kongresit të Manastirit meqë është edhe një vit jubilar, atje do të jetë një konferencë shkencore ku do të marrin pjesë pesë studiues nga institucioni jonë, që do të referojnë tema të ndryshme të gjuhës, letërsisë dhe historisë shqiptare’ tha Demiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button