Veterani Shabi Kadriu: Mësuesi është si lulja e pranverës

“7 Marsi” është dita e veçantë e vitit, që secilit nxënës i kujton mësuesin e parë, një ndër njerëzit më të rëndësishëm në jetën e tij. Po kaq i rëndësishëm është edhe nxënësi për mësuesin, ndër tjerash bëri të ditur për Portalb, Shabi Kadriu, veteran i arsimit shqip i cili me vullnet ua mësoi shkrim-leximin rreth 300 nxënësve.

“Kam punuar si mësues 1 vjet në fshatin Strimë, 4 vjet në fshatin Likovë, 4 vjet në fshatin Orkoc, 5 vjet në fshatin Grushinë, 1 vjet në Kaçanik të Kosovës dhe së fundi rreth 30 vjet në fshatin Çerkez.”-deklaroi Shabi Kadriu, mësues i pensionuar në vitin 2004, “Shkrim-leximin ua mësova rreth 10 gjeneratave, respektivisht rreth 300 nxënësve. I mbaj në mend nxënësit, ka pasur shumë të talentuar dhe kanë treguar sukses. I kam dashur dhe asnjëherë nuk kam pasur problem me to. Më kanë respektuar, ashtu siç i kam respektuar unë… Akoma vazhdoj të mendoj për ta. Çdo nxënës dëshiroj ta shoh mirë, të kuptoj ku është, sa ka ndryshuar, çfarë ka bërë.”

“Kur kam hyrë ditën e parë në klasë si mësues, gëzimi im ka qenë shumë i madh.”-kujtoi me nostalgji 77 vjeçari, “Dita e fundit ka qenë ditë shumë e mërzitshme, sepse i lash pas nxënësit të cilët u mundova t’i mësoj e t’i edukoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Por kishte ardhur koha më e patjetër duhej të pensionohesha.”  thotë ai, njofton Portalb.mk.

Sipas tij, puna e mësuesit më herët ka qenë më e vlefshme se sa tani, për shkak se nxënësit ishin më të disciplinuar dhe më të dëgjueshëm ndaj këshillave të mësuesit, “Tani, aq sa kam dëgjuar, raporti mes mësuesit dhe nxënësve nuk është i shkëlqyeshëm: Mësuesi ndryshe thotë, nxënësit ndryshe veprojnë.”

Kadriu nuk është penduar për zgjedhjen e profesionit. Ai shprehet se do të bëhej mësues edhe nëse do të kishte mundësi ta jetonte edhe një herë jetën nga fillimi, pasi siç theksoi “Këtë detyrë e kam pasur në zemër. E kam dashur gjithmonë.”

“Mësuesi është si lulja e pranverës. Mundohet t’i ngrisë gjeneratat me kulturë, disciplinë, me edukatë. Detyra dhe dëshira e tij është shumë e madhe, misioni i tij shumë i rëndësishëm. Nuk është aspak vështirë të jesh mësues në qoftë se e don dhe e respekton atë detyrë, nëse e bën me gjithë shpirt atë punë. Nuk ka më mirë se sa të punosh si mësues! … Mendoj se arsimi është drita e rinisë. Pa arsim ka vetëm errësirë, asgjë tjetër. Apeloj që secili të bëj më të mirën që mundet.” –tha për fund.

Ndryshe, Shabi Kadriu lindi më 23.02.1939, në fshatin Strimë. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, atë të mesëm në fshatin Likovë, ndërsa arsimin e lartë në Prizren. Është baba i dy vajzave e dy djemve dhe njëherit gjysh i tre mbesave dhe pesë nipërve. Jeton në Kumanovë./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button