Kemi tjetër pos monumenteve për nënat?

Gjatë javës së ardhshme do të hapet qendra përkujtimore në Zajaz, përkushtuar viktimave të luftërave ballkanike, me titull “Nëna shqiptare”. Ky është monumenti i parë në historinë tonë bashkëkohore që i përkushtohet nënës – të gjitha tjerat janë ngritur për betejat e ndryshme dhe ushtarakët e rënë, kryesisht pa plan dhe nën shtytje të historive lokaliste. 
 
Në rrugën integruese, njëqind vite pas Luftës së Dytë Ballkanike, monumentet tregojnë se Ballkani ngadhënjen mbi Evropën. Para se të aktivizohet alarmi anti-shqiptar, që rregullisht nxitet nga mediat kujdestare, vlen të përkujtohemi për bujën rreth monumentit në Zebërnjak afër Kumanovës, ku krejt kreu shtetëror serb u radhit në manifestimin historik, duke pohuar që forcat serbe e paskan çliruar Maqedoninë. Për kërdinë nuk u bë fjalë, meqë na duhet të shohim para…

Sidoqoftë, lapidaret i referohen periudhës para njëqind viteve dhe sot kemi sfida dhe probleme tjera, që nuk mund të fshihen nga madhështia e monumenteve, pavarësisht se viktimat – kushdo qofshin ato – meritojnë të nderohen përjetë. Po aq nder dhe drejtësi kërkojnë edhe të gjallët, çështjet e të cilave nuk mund të relativizohen nga fjalimet patetike, flamujt gjigandë ose rishkrimi i historisë. 

Për shembull, kur të vendoset flamuri në shtizën e tridhjetë metrave në Zajaz, është e pamundur të mos mendohet për deformimin ligjor të flamurit shqiptar, që me allesh-verëshe brenda koalicionit është reduktuar për një të tretën, si që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, madje as në komunizëm. 

Gjatë përkujtimit për nënat shqiptare dhe vuajtjen e tyre përgjatë historisë, është shumë e natyrshme të parashtrohet pyetja se çka bëjnë funksionarët e sotëm për nënat dhe ato që presin të jenë nëna. 

Do të ishte demagogji e paskajshme po të mos mendonim të paktën për një moment, për vuajtjen e qindra mijëra nënave, fëmijët e të cilave sot bredhin rrugëve të mërgimit, meqë është dashur të ikin nga mjerimi për të kërkuar një jetë me dinjitet që nuk e gëzojnë në vendlindjen e tyre të korruptuar. 

Kur flitet për dhimbjen e pafund të shkaktuar nga të rënët e panumërt, nuk mund të evitohet pyetja se çka bëjnë të zgjedhurit e sotëm – shumica e të cilëve do të përulen pikërisht para monumentit të radhës – për ta ndalur dhimbjen dhe ankthin e nënave që luten për fëmijët e tyre, për të mos rënë pre e bandave që i sulmojnë fëmijët në autobusët dhe rrugët e Shkupit pa frikë ndëshkimi.

Në momentin kur të ndjehemi krenarë me historinë e lavdishme, do të jemi të papërgjegjshëm ndaj vetes nëse të paktën për një çast nuk reflektojmë për gjeneratat e ardhshme. Fëmijët e nënave që jetojnë në skamjen e pafund, pa çerdhe dhe me shkolla të rrënuara në të gjitha anët, kanë pak arsye për të qenë krenarë në lagjet plot baltë. Kjo rrjedh nga paaftësia dhe mosinteresimi i atyre që rrahin gjoks patriotizëm dhe që në të shumtën e rasteve janë po të njëjtit që mund ta dëshmojnë përkushtimin me vepra për të gjallët, por që i preferojnë monumentet meqë aty askush nuk lyp llogari.

Me pak sinqeritet dhe tejkalim të fasadës së rrejshme, natyrshëm kur dëgjohen fjalimet për krenarinë dhe dinjitetin e nënave, diku në cep të kokës do të lind pyetja se si ne i trajtojmë sot nënat, vajzat dhe motrat tona ose të ndokujt tjetër. Për të qenë krejt të drejtë, mund të flasim edhe për poshtërimin çnjerëzor të nënave të ardhshme, që kushtëzohen me ndyrësi për një vend pune ose provim fakulteti nga ata që pa pikë turpi qëndrojnë shtatlartë pranë flamurit. Fatkeqësisht, atyre nuk do t’u ngrihet asnjë monument, meqë jemi aq shumë të zhytur në realitetin plot makijazh, sa nuk kemi guxim t’ia pranojmë vetes aktet pafytyrë që mbeten brenda katër mureve të paguara me para shteti.  
 
Me gjasë, këto çështje mund të duken si të tepërta për trajtim krahas jetëve të humbura që shënohen nga kjo qendër përkujtimore. Realiteti, megjithatë është pak më ndryshe dhe nuk mund të maskohet me fjalime dhe flamuj. Nëse të paktën për një moment e harrojmë shpërfytyrimin e nënave të sotme dhe të nesërme ndaj të cilave jemi dëshmitarë, madje duke qëndruar ballëlartë kur flitet për nënat e të kaluarës, nuk i bëjmë nder të rënëve në histori, por vetëm ia blejmë vetes qetësinë shpirtërore, duke i harruar të bëmat e sotme që nuk janë në rend dite, si e padenjë për standardet tona të larta njerëzore, patriotike dhe morale!  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button