АNALIZË: Maqedoni, për çka shpenzohen 376 milionë euro?

Shumë para për investime në arsim, mirëpo pa efekt të kënaqshëm. Еfikasiteti i shpenzimeve publike edhe më tej është në nivel të ulët në arsim, në infrastrukturë dhe në mbrojtjen sociale, shkruan Portalb në analizën javore ekonomike. Këto janë disa nga konstatimet që janë theksuar në raportin e ri të Bankës Botërore kushtuar politikave të shpenzimeve publike dhe efekteve të tyre. Për këtë vit, sipas paralajmërimeve të qeverisë, pikërisht arsimi mbetet njëri nga sektorët ku janë paralajmëruar investime të shumta në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Nga ana tjetër, përkundër zotimeve të këtilla, Revizori shtetëror në raportin e fundit të revizionit ka konstatuar një sërë mangësish dhe dobësish në sistemin arsimor. A sollën investimet në arsim përmirësim kualitativ?

Arsimi – shumë para, ku janë efektet? – Buxheti i MASH-it…

“Rezultatet në arsim janë përkeqësuar edhe përkundër shpenzimeve gjithnjë e më të mëdha. Në vitin 2013, shpenzimet e Republikës së Maqedonisë për arsim prej 4,1 për qind të PBB-së ishin më të lartat në rajon, mirëpo treguesit e suksesshmërisë në arsim ishin nën mesataren rajonale. Kualiteti i arsimit fillor dhe të mesëm nuk është përmirësuar dukshëm gjatë viteve të kaluara, matur sipas testeve ndërkombëtare. Rezultatet e ndjekjes ndërkombëtare të kualitetit të arsimit në matematikë dhe në shkencat natyrore dukshëm janë zvogëluar në periudhën prej vitit 1999 deri në vitin 2011 dhe janë nën nivelin e vendeve të tjera të Evropës”, është konstatimi i Bankës Botërore, që është theksuar në raportin e ri që i analizon politikat e shpenzimeve publike, transmeton Portalb.mk.

Sipas analizës së institucionit ndërkombëtar financiar, edhe përkundër asaj se për çdo vit rriten investimet në arsim – efektet nuk janë të kënaqshme. Një pjesë e profesorëve universitarë komentojnë se vlerësimet e këtilla të Bankës Botërore janë të pritura.

“Gjithsesi se këto vlerësime dhe matje të Bankës Botërore janë relevante dhe duhet t’u besojmë, mirëpo unë do të theksoja se duhet të bëjmë dallim ndërmjet asaj që është deklaruar, gjegjësisht që është projektuar të investohet në arsim, kundrejt asaj që në fund të vitit është realizuar. Ose, shpeshherë ajo që është zotim dhe paralajmërim për investime, zhvillim, mbetet vetëm si paralajmërim. Në arsim akoma ballafaqohemi me gjendje absurde. Për shembull, institucionet e arsimit të lartë vetë i paguajnë llogaritë për ngrohje, me çka shteti liron para të cilat i dedikon për projekte të cilat sipas meje nuk kanë dobi, gjegjësisht nuk ka ndonjë përfitim prej tyre. Këto janë vetëm një pjesë e problemeve sistemore në sistemin arsimor”, vlerëson për Portalb.mk profesori universitar dhe njëri nga ministrat e mëparshëm për arsim, Nenad Novkovski.

Sipas të dhënave të vitin buxhetor 2016, buxheti i përgjithshëm me të cilin disponon Ministria për Arsim është 375,5 milionë euro. Për këtë vit në buxhet është planifikuar realizimi i më tepër projekteve.

Portalb”-i i veçon më të rëndësishmet prej tyre: ndërtimi i Fakultetit për shkenca informatike dhe i Fakultetit për kulturë fizike, për të cilat janë ndarë 4 milionë euro, përkthimi dhe botimi i literaturës profesionale me shumë të projektuar prej 500 mijë eurosh, përkthimi i librave nga autorë me renome në vlerë prej 1,2 milion eurosh. Për standardin e nxënësve janë ndarë 4,3 milionë euro, ndërsa për standardin e studentëve në buxhet janë planifikuar 12,6 milionë euro. Nëpërmjet zërit “investime në arsim”, qeveria planifikon të ndajë 10,7 milionë euro, para që duhet të dedikohen për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore, ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave të mesme, ndërtimin e sallave sportive në shkolla, rikonstruimin e konvikteve të nxënësve dhe ndërtimin e konvikteve për studentët.

Përderisa nga njëra anë paralajmërohen investime të reja infrastrukturore në arsim, nga ana tjetër, vlerësimet kualitative të Bankës Botërore nuk janë optimiste.

“Numri i të regjistruarve në arsimin e lartë është rritur me shpejtësi në disa vitet e kaluara, mirëpo efikasiteti i sistemit për arsim të lartë edhe më tutje është në nivel të ulët. Edhe pse nuk ka të dhëna kritike për arritjet e studentëve në mësim, si dhe për punësimin e kuadrove të diplomuara, megjithatë anketa e punëdhënësve që është realizuar nga ana e Bankës Botërore në vitin 2010, tregon se punëdhënësit edhe më tutje ballafaqohen me vështirësi gjatë angazhimit të punëtorëve që i posedojnë shkathtësitë e nevojshme, veçanërisht për vendet e reja të krijuara të punës në firmat bashkëkohore dhe dinamike. Sikurse edhe në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit ECA, nuk janë krijuar mekanizma për mbledhjen e rregullt të të dhënave dhe për analizën e rezultateve në arsimin e lartë”, thuhet në raportin e Bankës Botërore, transmeton Portalb.mk.

Arsimi ishte edhe nën thjerrën e revizorit shtetëror, i cili në mes tjerash i thekson investimet e shtuara infrastrukturore, mirëpo përmend edhe disa dobësi, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me arsimin e mesëm. Kështu, sipas revizorëve, është regjistruar mungesë e analizave të rezultateve nga testimi ekstern, problemet e shkollave me borxhet për shkak të transportit të papaguar, si dhe dobësi me tekstet shkollore falas.

“Nga gjithsej 583 lëndë në dy konkurse të shpallura (në vitin 2009 dhe 2010), për botimin e teksteve shkollore për arsimin e mesëm janë miratuar 324 tekste shkollore. Në vitin 2015, shkollat vetëm për shkak të transportit të nxënësve kanë pasur borxh prej 4,9 milionë eurosh”, thuhet në raportin e revizorëve. Nga Ministria për Arsim, një pjesë e konstatimeve të këtilla u refuzuan me sqarime plotësuese.

Banka Botërore, përveç vërejtjeve, jep edhe rekomandime.

“Sigurimi i trajnimeve për arsimtarët e arsimit fillor dhe të mesëm dhe rritja e numrit të orëve të arsimtarëve në arsimin fillor në përputhje me standardet globale mund të ndihmojë në forcimin e kualitetit të arsimit fillor dhe të mesëm. Arsimi i lartë do të mund të përmirësohej duke i koordinuar programet mësimore me sektorin privat, nevojat e kompanive dhe duke futur sistem të financimit sipas kapitacionit për institucionet e arsimit të lartë”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Pas publikimit të raportit, ministri për arsim, Ademi, shkurtimisht komentoi se rezultatet nga investimet në arsim do të ndjehen së shpejti.

Javën e kaluar qeveria publikoi se vitin e ardhshëm shkollor të gjithë nxënësit e shkollave fillore do të mësojnë matematikë dhe shkenca natyrore sipas programeve të përshtatura mësimore sipas Kembrixhit. Ky projekt filloi para tre vitesh dhe deri tani programet zbatohen prej klasës së parë deri në të gjashtën, ndërsa prej shtatorit do të futen në përdorim edhe në klasën e shtatë, të tetë dhe të nëntë.

“Këto reforma e arritën qëllimin. Këtë e konstatojnë edhe nga vetë qendra e Kembrixhit pas mbikëqyrjes së plotë të realizuar për futjen dhe zbatimin e programeve dhe të teksteve të tyre shkollore në vendin tonë. Raporti nga mbikëqyrja është me konotacion jashtëzakonisht pozitiv dhe në të konstatohet se reforma realizohet në mënyrë të drejtë”, deklaroi zëvendës-ministri për arsim, Spiro Ristovski.

Njëria nga projektet e fundit të paralajmëruar ishte edhe themelimi i universitetit të ri për siguri dhe mbrojtje “Damjan Gruev”. Ky propozim shkaktoi mendime të ndryshme edhe në sferën politike edhe te profesorët, mirëpo fitoi edhe konotacion politik. Në fakt, përpiluesit e idesë paralajmëruan se në këtë universitet do të mund të regjistrohen 25% studentë shqiptarë, mirëpo nuk u qartësua se a do të zhvillohen studimet edhe në gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë formimi i universitetit “Nënë Tereza” ku mësimi do të zhvillohet në tre gjuhë, fitoi bazë ligjore, transmeton Portalb.mk.

4 thoughts on “АNALIZË: Maqedoni, për çka shpenzohen 376 milionë euro?

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP