Kongresi i radhës i BDI-së dhe dilemat e Ahmetit

Fundviti i 2013-ës në skenën politike shqiptare të Maqedonisë do të karakterizohet me mbajtjen e Kongresit të III-të të partisë më të madhe shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim, formacionit politik që doli drejtpërdrejtë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe udhëhiqet që nga themeliminga ish-komandant suprem i saj, Ali Ahmeti. Aktualisht, partia e Ahmetit është pjesë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ku njëherësh drejton edhe disa nga ministritë kyçe të shtetit, si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Drejtësisë etj. Po ashtu, kjo parti në Qeveri përfaqësohet edhe nga dy zëvendëskryeministra shqiptar.

· Beteja për kryetarin e partisë, Ahmeti i pakontestueshëm

Edhe në kongresin e III-të të BDI-së, Ahmeti mbetet i pakontestueshëm për pozitën e Kryetarit të partisë. Deri më tani, nuk dihet vetëm se a do të ketë kundër-kandidat apo jo, por njohës të rrethanave politike në Maqedoni për gazetën periodike “Fjala” thonë se Bashkimi Demokratik për Integrim simbolizohet me Ali Ahmetin dhe veprimtarinë e tij,dhe se ri-zgjedhja e tij përsëri në krye të partisë është e pashmangshme.

· Lufta për sekretarin e përgjithshëm të partisë

Luftë e ashpër pritet të zhvillohet për numrin dy të partisë, sekretarin e përgjithshëm, pozitë që aktualisht mbahet nga ministri i mjedisit, Abylaqim Ademi, që besohet se do t’a ushtroj edhe për katër vite. Për këtë pozitë partiake shumë me peshë në BDI, pretendime të hapura kanë shfaqur sekretari organizativ i partisë, Azbi Lika dhe zv/kryeministri për Implementimin e MKO-së, Muza Xhaferi. Vështirë të besohet se Lika dhe Xhaferi mund të sfidojnë Ademin, por si ‘favorit’ nën hije lakohen edhe emrat e zv/kryeministrit për euro-integrime, Fatmir Besimit dhe emri i kryebashkiakes së Tetovës, Teuta Arifit. Ndërsa, pozita e sekretarit organizativ të partisë, po ashtu pozitë e lartë në hierarkinë partiake, sipas të gjithave parashikimeve do t’i takoj Hisen Xhemailit – kryetarit aktual të Këshillit të Bashkisë së Tetovës.

· Kush do të jenë nënkryetarët e rinj!?

Partia e ish-liderit të UÇK-së, Ali Ahmetit, që nga themelimi ka treguar maturi në përfaqësimin e drejtë rajonal dhe regjional, dhe në gjirin e saj ka ofruar kuadro nga të gjitha qytetet dhe zonat tjera të Maqedonisë. Aktualisht, BDI udhëhiqet nga katër nënkryetarë, të cilët janë; Teuta Arifi-Tetovë, Nevzat Bejta-Gostivar, Izet Mexhiti-Shkup dhe Gëzim Ostreni-Dibër. Por, kush do të jenë katër bajraktarët e ‘vegjël’ për katër vitet e ardhshme? Analistë politik nga Maqedonia janë të mendimit se nënkryetarët e rinj të BDI-së do të jenë: Fatmir Besimi-Tetovë (nëse nuk zgjidhet sekretari gjeneral i partisë), Izet Mexhiti-Shkup, Fatmir Dehari-Kërçovë dhe Talat Xhaferi-Gostivar.

· Ri-konfigurimi i kryesisë qendrore, prurjet e reja në parti dhe largimet e “gardës së vjetër”

BDI-ja në rrugëtimin e saj 11 vjeçar ka ndjekur politikat e ripërtrirjes në moshë të partisë, duke u hapur në vazhdimësi për njerëz të rinj me vizione përparimtare, por në asnjë mënyrë nuk ka hequr dorë nga rrënjët dhe njerëzit që themeluan këtë subjekt. Përfshirja regjionale mbetet vlerë e mirëfilltë e partisë.

Vend të sigurt në formacionin e parë prej 21 anëtarësh të partisë së komandant Ahmetit, që përfshinë në vete edhe nënkryetarët dhe sekretarët e partisë, sipas njohësve të zhvillimeve politike në Maqedoni, falë meritave dhe angazhimeve partiake në zgjedhjet e fundit lokale (dhe në të gjithë ciklet tjera zgjedhore të deritanishme) do të kenë:prefektët e rinj të Tetovës dhe Gostivarit, Teuta Arifi dhe Nevzat Bejta; kryetari i komunës Çair, Izet Mexhiti; kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari; ministri i mbrojtjes, Talat Xhaferi;ministri i mjedisit, Abdylaqim Ademi; zv/kryeministri për euro-integrime, Fatmir Besimi;zv/kryeministri për “MKO” Muza Xhaferi; numri një i shëndetësisë shqiptare në Maqedoni – njëkohësisht drejtor i institutit për shëndet publik, Shaban Mehmedi; deputetja shkupjane, Ermira Mehmeti-Devaja; ish-deputeti nga Struga, Arben Labënishti;ish-prefekti i Tetovës, Azbi Lika; ministri i drejtësisë, Blerim Bexheti; kryetari i BDI-së për komunën Çair, Beqir Asani; deputeti kumanovar, Hajrulla Misimi; drejtori gjeneral i postave të Maqedonisë, Rafiz Haliti dhe deputeti tetovar dhe ish i burgosuri politik, Xhevat Ademi.

Ndërsa për vendet tjera të mbetura do të “luftojnë”, zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani; shefi i kabinetit të kryetarit Ahmeti, Artan Grubi; kryetari i qytetit të Dibrës, Ruzhdi Lata; ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini; zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha; drejtori i pallatit të kulturës në Dibër, Artin Spahiu; zv/kryetari i komisionit për qasje të lirë në informacionet e karakterit publik, Blerim Hyseni; kryetari i komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi; kryetari i komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi; zv/ministri i transportit dhe lidhjeve, Xhelal Bajrami; shefi i kabinetit të kryetarit të Gostivarit, Bashkim Hasani; zv/drejtori i Drejtorisë së Energjetikës, Fatmir Limani; deputeti nga Gostivari, Nexhad Jakupi; shefi i kabinetit të ministrit të mjedisit, Amir Sadiku. 

Sfidë më vete për kryetarin Ahmeti do të jetë edhe ‘largimi’ i butë nga formacioni i parë i gardës së vjetër të partisë, të cilët pa diskutim kanë merita të jashtëzakonshme për fitoret e njëpasnjëshme të BDI-së në të gjitha ciklet zgjedhore. Figurat e larta partiake që pritet të largohen nga formacioni i parë janë: Gëzim Ostreni, Ramiz Merko, Argëtim Fida, Nazmi Beqiri, Safet Neziri, Atilla Rexhepi, Sadulla Duraku dhe Tahir Hani.

Për fund, duke mos dashur të favorizojmë njerëz të caktuar, gazeta periodike “Fjala” nuk mund të paragjykoj edhe rezultatin final të Kongresit të III-të, ngaqë partia e Ahmetit, si parti e vlerave të mirëfillta, për çdo pozitë të caktuar partiake do të garoj me kandidatë të ndryshëm dhe me oferta konkrete, kështu që stafit të redaksisë së “Fjalës” i mbetet vetëm të uroj BDI-në për kongres të mbarë dhe suksese të reja!

Alfred Sinoka – gazeta periodike “Fjala” – Tiranë

Lajme të ngjashme

Back to top button