E ardhmja e Kinës, model perëndimor ose autoritar

1. Ngjarja më e rëndësishme gjeopolitike e njëzet viteve të kaluara, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, gjithsesi është ngritja ekonomike dhe politike e Kinës. Nën udhëheqjen e vizionarit të madh Deng Xiaoping në vitet e 80-ta Kina nisi një proces të futjes së graduale të ekonomisë së tregut të lirë dhe hapjes ndaj botës, që rezultoi me bum marramendës ekonomik, i shoqëruar me rritje dyshifrore të BPV-së kineze. Brenda vetëm dy dekadave vendi arriti të bëhet fuqia e dytë ekonomike botërore, madje duke u pozicionuar si lider në disa kategori të veçanta. Sipas një numri të madh ekspertësh është vetëm çështje kohe kur Kina do t’a kalojë edhe SHBA-në dhe do të bëhet lider botëror, jo vetëm ekonomik, por edhe ushtarak e politik. Duket sikur ngritja e Kinës është e pandalshme dhe se ardhmëria padyshim i përket asaj.

Paralelisht me këtë bota perëndimorë nga viti 2008 u desh të përballet me krizë të thellë financiare, e cila nxori në pah të gjitha dobësitë e sistemit politik dhe ekonomik perëndimor, të bazuar te demokracia liberale dhe tregu i lirë. Të fascinuar nga zhvillimi ekonomik kinez dhe të gërditur nga kriza perëndimore, disa shkencëtarë politikë e intelektualë shkuan edhe një hap më tej. Ata thonë se modeli kinez i kapitalizmit efikas, shtetëror, autoritar është treguar më i mirë dhe më stabil, që dëshmon se epoka e demokracive liberale është duke perënduar. Për ta ngritja e pandalshme ekonomike e Kinës do të thotë edhe zgjerim i modelit kinez dhe tërheqje e atij liberal-demokratik gjithkund nëpër botë. Siç mësuam tani shpejtë, adhurues i kësaj ideje është edhe kryetari Gjorgje Ivanov, i cili gjatë vizitës së bërë në Kinë ishte impresionuar nga funksionimi i sistemit kinez në “frymën e Taos”.

2. Të gjitha teoritë për ngritjen e pashmangshme të Kinës janë bazuar te rritja dydekadëshe e BPV-së kineze dhe supozimit se ajo mund të vazhdojë me hapa të njëjtë deri në pafundësi. Këto teori shpesh harrojnë faktin se Kina në dy dekadat e kaluara kapte hapin me pjesën tjetër të botës dhe se dallimi i vetëm me vendet tjera që kanë kaluar këtë rrugë është madhësia e Kinës. Rritja ekonomike në këtë periudhë ka ardhur kryesisht nga eksporti i madh dhe investimet, ku përparësia kryesore e Kinës ka qenë dora e lirë e punës dhe kushtet minimale për punë. Por pasi edhe në Kinë rrogat po rriten, vende tjera po bëhen më atraktive dhe rrjedhimisht eksporti kinez doemos do të zvogëlohet. Në të njëjtën kohë atje po zvogëlohen edhe investimet. 20 vitet e kaluara Kina në infrastrukturë ka investuar sa për 100 vitet e humbura, por edhe këtij bumi po i afrohet fundi. Dëshmi më e mirë janë disa “qytete fantazma”, me infrastrukturë të mrekullueshme, por pa banorë! Prandaj nga rritja nga eksporti dhe investimet, ekonomia kineze duhet të ribalancohet drejt konsumit të brendshëm, si faktor kryesor për zhvillim. Gjë e lehtë për t’u thënë, e rëndë për t’u bërë.

Pengesë kryesore për këtë ribalancim mund të jenë interesat personale të vetë elitës politike. Në vend ku të gjitha firmat e mëdha dhe të gjitha bankat janë pronë shtetërore më së shumti janë pasuruar ata me lidhje politike, e posaçërisht një grup i quajtur “princat e vegjël”, kryesisht pasardhës të “tetë të pavdekshmëve” që udhëhiqnin me partinë në vitet e 80-ta dhe 90-ta. Kështu, sipas një studimi të Ekonomistit, 50 politikanët më të pasur kinezë kanë pasuri prej 94,7 miliardë dollarësh, ndërsa sa për krahasim 50 politikanët më të pasur amerikanë peshojnë vetëm 1,6 miliardë dollarë. Është vështirë të besohet se mu këta politikanë do të duan të ndryshojnë diçka nga sistemi që ju sjell aq begati.

3. Natyrisht kjo elitë është pasuruar në kurriz të qytetarëve tjerë. Shpesh flitet se Kina ka një klasë të mesme 400-500 milionëshe, por kjo do të thotë se atje ka të paktën 800 milionë të varfër, kryesisht fshatarë nga brendia e vendit. Pabarazia ekonomike është më e madhe se në çdo vend perëndimor, korrupsioni lulëzon nga të gjitha anët, ndërsa resurset shtetërore alokohen në mënyra tejet joefikase. Në vend të logjikës ekonomike kreditet dhe mjetet shtetërore shpërndahen politikisht, prandaj lehtë mund të paramendohet se sa është niveli i plasmanit të keq të mjeteve, të ashtuquajtura kredite jofunksionale. E ky plasman patjetër do të pasohet me korigjim, ndërsa mbetet e paqartë vetëm forca me të cilën do të godasë kriza e tillë financiare. Do me thënë Kinën e pret mu ajo që i ndodhi Perëndimit në 2008. Ndoshta mu për këtë shkak një numër i madh pasanikësh kinezë, që poashtu janë funksionarë shtetërorë dhe partiakë, me të madhe i bartin paratë e tyre në Perëndim, ashtu siç bëjnë edhe kolegët e tyre rusë. As ata pra nuk i besojnë modelit dhe shtetitë të tyre dhe pasurinë preferojnë t’a rruajnë diku jashtë.

4. Sipas Xhorxh Fridmanit nga instituti i njohur Stratfor, historia e Kinës zhvillohet në dy cikle. Në njërin cikël Kina hapet ndaj botës, gjë që sjell pasurim të bregdetit dhe prapambetje të brendisë. Si pasojë, në brendi krijohet revoltë, që pastaj shndërrohet në revolucion, pushton bregdetin, vendos rend të ri politik dhe përsëri mbyllet në vete. Hapja e fundit ka ndodhur në shekulli e 19-të dhe pjesën e parë të shekullit 20, pas së cilës është paraqitur Mao dhe Partia Komuniste. Politika e Deng Xiaoping përsëri do të thoshte rikthim në ciklin e parë, por sot ajo përsëri ka sjellë pabarazi dhe pakënaqësi në brendi.

Ndërsa Frensis Fukujama në veprën e tij epokale “Origjina e rendit politik” e sheh Kinën si fluktuon mes dy trashëgimive politike. Njëra vjen nga etika e sundimit të mirë me masat, e bazuar te filozofia e Konfuçit. Tjetra është filozofia politike e themeluesit të shtetit Qin Shi Huangdi, sipas të cilës çdo individ duhet plotësisht t’i nënshtrohet shtetit, qoftë edhe duke flijuar veten dhe të afërmit. Korrupsioni i madh, menaxhimi i keq dhe mungesa e lirive themelorë të njeriut tregon se edhe sot sistemi kinez anon kah filozofija e Qin Shi Huangdi-së. Logjikisht, sfidë e madhe e udhëheqësisë së tashme kineze do të jetë kthimi drejt etikës së Konfuçit, që do të thotë legjitimitet të vërtetë, përgjegjësi dhe transparencë të klasave udhëheqëse, ose me fjalë të tjera demokraci. Pikëpyetje e madhe është sa elitat politike kineze e dëshirojnë këtë gjë.

Një vështrim edhe më i saktë i udhëkryqit ku gjendet sot Kina megjithatë është që ajo të shihet si vend që mbaron me fazën e “kapjes së hapit” me botën e zhvilluar, e që tash duhet ose të reformohet ose të ngecë për një kohë të gjatë në nivelin e sotëm të një shteti mesatarisht të zhvilluar. Në situatë të njëjtë janë gjendur të gjitha shtetet tjera që janë industrializuar me shpejtësi. Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani janë shembuj që kanë kaluar këtë fazë me sukses, ndërsa disa vende të lindjes së mesme dhe latinoamerikane janë shembuj dështimi. Dallimi në mes suksesit dhe mossuksesit ka qenë vetëm një gjë: pranimi ose refuzimi i demokracisë liberale dhe tregut të lirë.

5. Në pjesën e parë të shekullit të 20-të Europa dukej si fushëbetejë e disa sistemeve: fashizmit, nacizmit, komunizmit dhe demokracisë liberale. Atëbotë aftësia për industrializim të shpejtë dhe efikas, për të marrë shpejtë vendime, mobilizimi i lehtë shoqëror, vetëbesimi inherent e të tjera llogariteshin si përparësi të fashizmit dhe komunizmit, e po të njëjta sot na shiten si përparësi të modelit kinez. Demokracia liberale, me zënkat e vogla politike, dyshimet e brendshme, mosmarrëveshjeve pafund, diskontinuitetet në qeverisje, mungesë të vetëbesimit dukej sikur është destinuar për dështim. Atëherë thuhej se është çështje kohe kur Gjermania naciste, e më pas Bashkimi Sovjetik, do të arrijnë fitoren përfundimtare dhe do t’i japin fund botës liberale perëndimore. Megjithatë liberalizmi u tregua më i forti dhe një nga një mundi të gjithë konkurentët e tij. Në fund përparuan vetëm ato vende që përqafuan këtë sistem politik dhe ekonomik, si Gjermania post-naciste, Japonia, Koreja e Jugut.

Prandaj ata që sot na thërrasin të marrim mësime nga modeli kinez bëjnë mirë të lexojnë pak më tepër filozofi dhe histori të Perëndimit. Kina e sotme nuk ka asgjë për t’i ofruar historisë politike dhe ekonomike të njerëzimit; ai sistem është film i vjetër dështimi. Kina do të bëhet vend i begatë e i përparuar vetëm nëse pranon vlerat politike dhe ekonomike të perëndimit. Ditto për vendet tjera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button