Rama, pse spranova armët kimike

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në një intervistë për emisionin “Top Shoë”, të gazetarit Alban Dudushi se edhe ai vetë nuk ishte i bindur për shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri. 

Ai thotë se me kreun e Kuvendit, Meta, ishte në sintoni të plotë. “Qysh në momentin e parë thashë “po”, ne jemi gati ta konsiderojmë, u bë e qartë se konsiderojmë pjesëmarrjen pa përfshirjen tonë me asgjë tjetër përveçse me një pikë mbështetje në Mesdhe”,-tha ai.

Sipas Ramës, Shqipëria nuk ishte vendi i vetëm që kishte pranuar ta konsideronte. “Dhe sigurisht që konsiderata në parim, apo konsiderata fillestare është gjithmonë në parim dhe këtu bëhet fjalë për njëoperacion shumë të komplikuar humanitar dhe ushtarak. Në këtë kuptim u bënë diskutime dhe u ndërtua një proces, ku krahas gjithë elementëve teknike, sigurisht neve na binte barra, mua në radhë të parë më binte barra të trajtoja dhe aspektin tjetër, që kishte të bënte pikërisht me domosdoshmërinë që ky operacion të ishte sa më i koordinuar mes forcave apo fuqive të mëdha, jo thjesht në kuptimin e përfshirjes së drejtpërdrejtë në të, por në kuptimin e ndërtimit të një plani, ku aktorët e ndryshëm do të kishin role të ndryshme dhe ku ajo që filloi të bëhej shqetësim me tërheqjen e disa vendeve të tjera ishte vetmia e Shqipërisë. Vetmia e Shqipërisë si një problem, që pastaj u kthye në një problem të madh edhe psikologjik, por që në radhë të parë është i lidhur me faktin që Shqipëria e ka një imazh jo fatlum si një vend i varfër dhe si një vend i ndotur dhe lidhja e këtij operacioni vetëm me Shqipërinë krijonte përfundimin që ky operacion të bëhej në Shqipëri se Shqipëria është e varfër dhe e ndotur dhe nga ana tjetër sillte detyrimisht një kosto negative për imazhin vendit. Dhe ky ishte shqetësimi im qysh në fillim që u… ose jo qysh në fillim, por qysh kur filluan të tërhiqen të tjerët që pastaj u pa qartë kur me të dalë lajmi në mediat ndërkombëtare, shpërtheu një lumë i atillë, aspak i kënaqshëm për mos të thënë më shumë në raport me Shqipërinë dhe që përsëri cenoi imazhin e saj”,-tha ai. 

Në intervistë Rama thotë se kreu i opozitës ka qenë në dijeni për këtë çështje. “Përsa i përket pjesës tjetër, ajo është një pjesë që me siguri e kishte radhën menjëherë sapo qeveria dhe unë si kryeministër të kishim në dorë një projekt jo një bisedë”,-tha ai.

Kryeministri tha se kryetari i Kuvendit Ilir Meta ndante të njëjtin qëndrim me të, kur u pyet se pati disa qëndrime kundër nga deputetë të PS-së si Ben Blushi, Erion Braçe, Nasip Naço apo Lefter Koka. 

Sa i takon deklaratës së ambasadorit Arvizu se SHBA do të zhgënjehej nëse Shqipëria do të thoshte “JO”, Rama tha:

“Unë di çfarë ndodh kur SHBA iu bëhet një karshillëk i atyre përmasave që iu bëri opozita. Jo se mbajti një qëndrim të ndryshëm, por sepse qëndrimin e ndryshëm e mbajti me mungesën më të plotë të respektit për atë që SHBA përfaqësojnë. Duke i pikturuar SHBA në sytë e publikut shqiptar, si një rrezik për jetën e qytetarëve shqiptarë, ndodh që të humbasësh shumë nga respekti i tyre. Ndërkohë që pa asnjë dyshim, jam i bindur që qeveria SHBA e ka absolutisht të qartë që nga ana jonë bëmë gjithçka që na takonte për të qenë mbështetës në përpjekjen e tyre dhe mospërfshirja e Shqipërisë në këtëoperacion është pamundësi dhe jo mungesë e dëshirës apo e vullnetit për të qenë krah për krah me SHBA.”

Lajme të ngjashme

Back to top button