Pedagogët luajnë rol kyç në ardhmërinë e nxënësve

Roli i pedagogut në shkollat fillore dhe të mesme është mjaft i rëndësishëm në zhvillimin mendor dhe fizik të nxënësve.

Në shumicën e shkollave shqiptare ka mungesë kuadri dhe në vend të pedagogëve shqiptarë punësohen ata maqedonas, gjë që vështirëson punën me nxënësit e sidomos ata të moshës së vogël.

Në shkollën “25 Maji” në Hasanbeg deri para disa viteve në postin e pedagoges ishte e punësuar një maqedonase, tani ata kanë pedagoge shqiptare e cila më lehtë do të punojë dhe komunikojë me nxënësit e kësaj shkolle.

“Roli im në këtë shkollë është bashkëpunimi i ngushtë me stafin pedagogjik, drejtuesit të shkollës, prindërit dhe komunitetin ku ndodhet shkolla. Ne më shumë fokusohemi në promovimin dhe zhvillimin mendor dhe fizik të nxënësve dhe si jemi pjesë ndihmëse dhe mbështetëse që jep rritjen e cilësisë së procesit të mësimdhënies dhe arsimit në përgjithësi”, tha Florije Dika, pedagoge në shkollën fillore “25 Maji”.

Po ashtu ajo shtoi se roli i pedagogut është që të vlerësoj rezultatet e nxënësve dhe të orientojë ata në karrierë dhe në zhvillimin e tyre social. 

Puna e pedagogut nuk është edhe aq e lehtë, duke pasur parasysh edhe vështirësitë e përditshme.

“Në punën që e bëjmë kemi vështirësi të përditshme , siç është mungesa e mjeteve dhe kushteve për ta realizuar qëllimin dhe detyrën.  Nxënësit në shkollë gjatë orarit mësimor kanë sjellje adekuate dhe jo adekuate. E gjithë kjo varet nga mësimdhënësi dhe metodat e tij për mirëmbajtjen e orës mësimore”, theksoi Dika.

Sa i përket vizitës së nxënësve ajo shtoi se në këtë shkollë është mjaft e shpeshtë.

“Vizita e nxënësve tek neve është e shpeshte duke u nisur nga konsultimet me nxënës problematik, konsulte me nxënës të shkëlqyeshëm të cilët i motivojmë dhe i përcaktojmë për gara  dhe kurse të ndryshme, kontakt rreth aktiviteteve mësimore dhe jashtë mësimore. Po ashtu mundohemi të kemi është kontakt të vazhdueshëm me prindër për informimin e sjelljes së fëmijëve të tyre “, shtoi Dika.  

Ndërkaq në konkurset publike për punësimin e pedagogëve shqiptarë në shkolla të ndryshme, nuk paraqitet askush për arsye të panjohura, duke pasur parasysh se nga Ministra e Arsimit dhe Shkencës (MASH) thonë se kuadro shqiptare në këtë drejtim ka me bollëk.

Lajme të ngjashme

Back to top button