Igli Tare njeriu i merkatos së Erick Thohir?

Cikloni Thohir mund të trazojë edhe ambientin e Lazios.

Revolucioni në radhët e Interit pas marrjes zyrtare të drejtimit nga mandati indonezian, zbulon disa nga planet e shoqërisë së re ku përfshihet edhe drejtori sportiv i skuadrës bardhekaltër, Igli Tare.

Ish sulmuesi i Shqipërisë që bashkëpunon prej 9 vitesh me presidentin Claudio Lotitto bën pjesë në listën e Thohir bashkë me homologun e tij te Roma, Walter Sabatini.

Nga ana tjetër, Tare njohet edhe si një nga drejtuesit më të suksesshëm për ndërtimin e sektorit të të rinjve, punë e cila u finalizua me titullin kampion në Lazios për të rinjtë sezonin e shkuar.

Sipas gazetës “Corriere Dello Sport”, kjo është një mundësi e artë për Igli Taren që pasi ka sistemuar Lazion,  mund të pranojë ofertën zikaltër.

Disa nga transferimet më të goditura të Tares te Lazio janë; Kolarov, Hernanes, Marchetti, Candreva, Lichtsteiner, Lulic dhe Felipe Anderson, ndërsa Onazi, Cavanda, Keita janë tre prurjet më të bujshme nga ekipi i të rinjve.

Ndërkohë, vetë pronari i ri i Interit nuk ngurron të shpalosë në publik idetë e tij duke u shprehur se ëndrra më e madhë për të është që të ndërtojë një shoqëri të fortë për t’u ndeshur si e barabartë me më të mëdhenjtë e botës.

“Është një ëndërr që u bë realitet por tani duhet të mendojmë për merkaton e Janarit. Shpresoj që finalen e vitit 2016 në Champions League ta fitojë Interi. Kjo skuadër u përket tifozëve por përveç tyre duhet të jenë të lumtur edhe drejtuesit, prandaj si pikë nisje duhet të mendojmë për të balancuar financat. Është shumë herët të flasim për stadiumin. Do të vlerësojmë nëse ia vlen ose jo të vazhdojmë në San Siro. E di shumë mirë se nuk do të jem në gjendje të barazoj arritjet e Morattit por dua ta rris Interin mbi themelet e ndërtuara nga familja e Massimos”.

Në lidhje me Mourinhon dhe marrëdhëniet me Juventusin, presidenti i ri deklaron.

“Mourinho është një trajner i madh, një prej më të mirëve të botës. Batuta e Agnellit? Gjithçka ka kaluar tashmë. Unë kam një djalë juventin por besoj se brenda pak muajsh do të konvertohet në internist”.  

Në fund një koment edhe për simpatinë që Thohir ka ndaj Nicola Ventolas.

“Nuk ka pasur fat për shkak të problemeve të shumta me dëmtimet sepse në të kundërt unë mendoj që do të ishte bërë një yll te Interi”./ Supersport

Lajme të ngjashme

Back to top button